1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ballkani, terreni i fortë i bankave greke në kohën e krizës

29 Korrik 2011

Me gjithë krizën e thellë që ka mbërthyer Greqinë sistemi bankar grek mbahet në këmbë në sajë dhe të terrenit të fortë që gjen me filialet e tij në Ballkan dhe Turqi.

https://p.dw.com/p/1263o
Monedhë euro
Monedhë euroFotografi: dapd

Skenari më negativ për ekonominë greke do të ishte që kthetrave të krizës së borxhit prej 350 miliardë eurosh t'u shtoheshin edhe ato të krizës së sistemit bankar. Një eventualitet kërcënues, që deri tani mundi të evitohej me subvencionin shtetëror prej 27 miliardë eurosh, në fillim të krizës, dhe që tani, pas garancisë së likuiditetit të tyre nga Mekanizmi i Stabilitetit Financiar (EFSF), të vendosur në samitin evropian të 21 qershorit, ngjan edhe më i largët. “Likuiditeti dhe stabiliteti i sistemit bankar shndërrohet në likuiditet dhe stabilitet të ekonomisë reale greke” deklaroi ministri grek i Financave, Evangjellos Venizellos, i cili nuk nguroi ta cilësojë sistemin bankar grek “si më të sigurt në botë” dhe të drejtojë apel për riatdhesimin e parave të larguara jashtë shtetit.


Ristriktim dhe humbje në tregun e brendshëm, fitime në rajon

Gjërat tani ndryshojnë për mirë dhe për prezencën e bankave greke në vendet fqinjë, në Evropën Juglindore edhe në Turqi, me rreth 48 filiale dhe rreth 20% të sistemit bankar të këtyre vendeve. Të shndërruara në një faktor të fuqishëm zhvillimi, së bashku me bankat e tjera perëndimore, bankat greke gjetën në 16 vendet fqinje të afërta (Ballkan) dhe të largët (Evropa Qëndrore) dhe një terren të fortë për t'i rezistuar tallazeve të krizës. Të dhënat e një studimi të publikuar së fundi nga Unioni Grek i Bankave janë sinjifikative: Përkundër “rrudhjes” së tyre në tregun e brendshëm, në rajonin përrreth në fund të vitit 2010 rezultonin me një aktiv prej 90.4 miliardë eurosh, të shtuar 3 % në krahasim me vitin 2009, si edhe me 43.5 miliardë euro depozita, të shtuara 15% të njejtën periudhë. Në të njejtën kohë në Greqi depozitat ishin reduktuar rreth 29 miliardë euro. “Rezultatet që patën vitin ose dy vitet e fundit janë rezultatet pozitive më të fuqishme të bilanceve të tyre, duke përmirësuar dukshëm indeksin e fitimeve të tyre në tërësi apo duke kompesuar akoma dhe humbjet e tyre”, i thotë DW kryeredaktori i gazetës “Capital” Janis Angjelis. Fitimet vitin në fjalë arritën në 790 milionë euro, një shifër aspak modeste që analisti bankar grek e shpjegon me “strategjinë investuese të bankave në një mjedis të favorshëm ritmesh të larta zhvillimi të këtyre vendeve." Indeksi livrime/depozita u përmirësua në 141%, nga 169% të një viti më parë.


Filialet sigurojnë 18% të totalit të fitimeve

Sa për kurbën e fitimeve, mjafton të themi se 18% e fitimeve të bankave greke janë siguruar nga filialet e tyre në 16 vendet e rajonit përreth. Eurobank falë fitimeve në 5 vendet e prezencës së saj, që përllogariten në 1/3 e totalit të tyre, mundi të kalojë nga 44 milionë humbje të vitit 2009 në 32 milionë fitime gjatë vitit 2010. “Fokusuam në zhvillimin selektiv të shërbimeve tona, kryesisht jashtë shtetit dhe në kufizimin e mëtejshëm të kostos, paralelisht me menaxhimin efektiv të risqeve” ishte shpjegimi që dha për këtë ecuri të suksesshme këshilltari drejtues i Eurobankës, Nikos Nanopullos.

Banka Kombëtare e Athinës
Banka Kombëtare e AthinësFotografi: AP


Kriza në Greqi i detyron të shesin një pjesë të “bizhuterive” të përftuara në rajon

Kriza ndërkohë është prezente dhe kërcënuese dhe është kjo që i bën bankierët grekë shumë të kursyer në fjalët e tyre. “Po iu them se kjo nuk është absolute, se përforcohet pozita e bankave greke në rajon” ishte dhe pohimi domethënës në DW i drejtorit të marrëdhënieve me jashtë të Bankës Kombëtare të Greqisë Agis Leopullos, pa dashur të hapë më tepër kartat. Banka në fjalë siç u mësua do të shesë 20% të aksioneve të saj në Turqi, edhe pse gjatë vitit 2010 pati 500 miionë euro fitime në këtë vend. Kufizimin e pjesëmarrjes së saj në këtë vend shpalli edhe banka tjetër greke Eurobank. “Mendoj se depërtimi i bankave greke gjatë periudhës në vazhdim në Ballkan do të ristriktohet pikërisht për shkak se problemet me të cilat përballen në qendër, në Greqi, i detyrojnë të shesin asetet e tyre më të çmueshme” thekson Angjelis.

“Rrethim” të bankave greke në rajon nga bankat e tjera perëndimore për përftim të një pjese të pronës së tyre, për shkak të krizës, sheh edhe analistja tjetër bankare, Nena Malara. “Bankat greke sigurisht që do të duhet të bëjnë ristrukturim të filialeve të tyre në rajon”, sipas saj, gjë që do të bëhet “sapo të krijohen kushte të favorshme me bursën”. “Nuk është diçka që duan ta bëjnë, detyrohen ta bëjnë pasi ato janë asetet e vetme me vlerë që mund të kompensojnë humbjet në tregun e brendshëm,” thotë Malara për këtë “paradoks” të kufizimit të prezencës së tyre në një treg fitimprurës, të fituar me shumë mund dhe përpjekje për një dhjetëvjeçar të tërë.

“Do të përpiqen me mish e me shpirt të ruajnë prezencën e tyre në rajon”

Por a duhet të shqetësohen fqinjët për këtë “largim” të pjesshëm të bankave greke, siç ndodhi në vitin 2008 me “mosfinancimin” e përfolur të likuiditetit të filialeve të tyre për shkak të krizës? “Jo, se bankat greke do të përpiqen me t gjitha fuqitë të ruajnë prezencën e tyre në këto vende dhe për arsyen e thjeshtë se aty ndodhen mijëra biznese greke që duan financim”, thotë Nena Malara dhe përmend vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të Aksionerëve të Bankës Kombëtare të 23 qershorit për një lloj “ristrukturimi” të saj, krijimin e një rrjeti-ombrellë për të gjitha filialet e saj që do të reduktojë ndjeshëm edhe koston.


Prezencë në varësi të strategjisë së zhvillimit në rajon

Për historinë të theksojmë se janë rreth 8.000 biznese greke të instaluara në rajon, që kërkojnë mbështetje financiare kur rubineti i subvencioneve, por edhe i depozitave sa vjen e shtrengohet. Shumë nga këto biznese kryejnë mbi 20% të ciklit të punëve të tyre në këto vende ku drejtohet edhe 27% e eksporteve greke. Kështu vijimësia e prezencës së bankave presupozon vijimësinë e strategjisë së zhvillimit me kredi si për bizneset vendase po kështu edhe për ekonomitë familjare. Pesëmbëdhjetë miliardë eurot e garancisë së likuiditetit të bankave greke prej Mekanizmit të Stabilitetit Financiar a nuk është një garanci edhe për prezencën e tyre të mëtejshme në Ballkan? “Kjo do të jetë e vërtetë vetëm në qoftë se përforcimi i kapitaleve të bankave greke do të ketë të bëjë me totalin e aktivitetit të tyre, brenda dhe jashtë Greqisë” vërren analisti grek Janis Angjelis, i cili në sfondin e krizës e vlerëson ndërkohë si të pashmangshëm ndryshimin e “hartës” së sistemit bankar grek, brenda dhe jashtë vendit.

Autor: Niko Anagnosti/ Athinë

Redaktoi: Auron Dodi