1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ballkan: Viktimat jemi ne – jo George Floyd

Ivaylo Ditchev
13 Qershor 2020

Përse në Evropën Juglindore protestojnë kaq pak njerëz kundër racizmit?

https://p.dw.com/p/3di0D
Frankreich | Paris | Tod George Floyd | Rassismus | Polizeigewalt | Black Lives Matter
Fotografi: DW/S. Phalnikar

Vdekja e dhunshme e qytetarit amerikan me ngjyrë, George Floyd ka shkaktuar në gjithë botën një valë solidariteti me njerëzit e diskriminuar – dhe jo vetëm në SHBA. Në Francë janë bërë temë diskutimi sulmet e policisë, në Izrael fati i palestinezëve, në Australi ai i aborigjinëve. Në Gjermani u diskutua për migrantët nga Rumania dhe Siria. Në Bristol në Angli demonstruesit hodhën në det statujën e tregtarit të skllevërve Edward Colston. Duket, sikur bota ka ndryshuar rrënjësisht. Dhe shumë besojnë se ka ndryshuar për të mirë.

Por një pjesë e Europës nuk tregoi thuajse fare solidaritet: Ballkani. Ndërsa gjetiu mijëra vetë marshonin në demonstrata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në kryeqytetin bullgar Sofje dolën më pak se dyqind të rinj, mes tyre aktiviste dhe aktivistë LGBT, si dhe mbështetës të grupeve antifashiste e grupeve të tjera të majta të formuara nën ndikimin nga perëndimi. Nëse e kam kuptuar drejt, iniciativa për demonstratën erdhi nga amerikanë, që jetojnë në Bullgari.

Në kohët e komunizmit thuhej me shaka: Çfarë kanë të përbashkët Bullgaria dhe SHBA? Aty mund të demonstrohet lirshëm kundër diskriminimit të zezakëve amerikanë. Pankartat në Sofje tregojnë gjithsesi se këto kohë kanë kaluar: në vend që të drejtohen kundër policisë së Minneapolisit, protestuesit u përqendruan te diskriminimi i pakicës rome në Bullgari. Aktiviteti u hap me një fjalim shumë të bukur të një gazetari rom.

Në kryeqytetin rumun Bukuresht të rinjtë organizuan aktivitete të ngjashme, në ish-Jugoslavi dhe në Turqi pati në mënyrë sporadike aktivitete të vogla solidariteti. Të vetmin përjashtim në vendet e Ballkanit e bënte Greqia, ku ngjarje si vrasja e George Floyd aktivizojnë përherë të majtën ekstreme dhe përfundojnë në luftime të dhunshme në rrugë me frymë antiamerikane. Ekzistenca e së majtës radikale duket një shenjë e eurointegrimit të avancuar të vendit.

Kritikë dhe mosbesim

Demonstratat në vendet e Ballkanit jo vetëm që ishin të frekuentuara dobët, por tek shumica e popullatës ndeshën në një përzierje kritike dhe mosbesimi. Kishte nga ata që e bënin George Soros përgjegjës për protestat.

Nga njëra anë duket se në Europën Juglindore askush nuk beson se afroamerikanët në vendin më të pasur të botës mund të kenë problem. Kërkesat e tyre për barazi para ligjit shihen, si teka, si komplot i demokratëve, shprehje e anarkizmit dhe e "marksizmit kulturor". Në Sofje ambasada e SHBA organizoi një miting të çuditshëm alternativ, në të cilin lexoheshin parulla "Stop terrorit të të zinjve", "Mbështesni Trumpin!" (Mbështetësit ishin nacionalistë pro Putin).

Romë të privilegjuar?

Nga ana tjetër diskriminimi i pakicave nga shumica në vendin e tyre konstestohet në shumicën e vendeve të Ballkanit. Romët konsiderohen të privilegjuar, thuhet se ata përfitojnë nga subvencionet e huaja dhe trajtohen mjaft mirë nga policia.

Me të vërtetë një aspekt i rëndësishëm i identitetit balkanik sot është bindja se viktimat e vërteta nuk janë njerëzit e pafat diku nëpër botë – por ballkanasit vetë. Duhet thënë se shumë vende të Evropës Juglindore e cilësojnë kohën e Perandorisë Osmane (1299 deri 1922) "Skllavëria turke" – edhe nëse kjo formë e skllavërisë ishte në fakt një dukuri margjinale.

Kolumnist Ivaylo Ditchev
Ivaylo DitchevFotografi: Svetla Encheva

E ndaluar të flasësh

E vërteta historike në Ballkan ka një rëndësi të dorës së dytë. Qëllimi është të paraqitesh si martir – dhe të kesh një justifikim për ta refuzuar dhembshurinë ndaj të tjerëve. Ne, jo zezakët amerikanë si i vrari George Floyd, jemi viktima të fuqive gjeopolitike, të komunizmit, të rregulloreve të BE, etj.

Mungesa e debateve mbi racizmin është një problem serioz i shoqërive të Evropës Juglindore. Si në shakanë e kohës së komunizmit pretendohet se racizmi është diçka amerikane, që nuk ka të bëjë me ne. Por para fundit të socializmit shtetëror 1989/90 në Bullgari dhe kudo tjetër në Balkan ka pasur natyrisht praktika përulëse raciste, si kudo në botë; por ka qenë absolutisht e ndaluar të flasësh për to. Prandaj shumica e kombeve të Balkanit pas Luftës së Dytë Botërore nuk i ka konfrontuar debatet e dhimbshme, që janë zhvilluar në Perëndim; dhe nuk është vetëdijësuar për domosdoshmërinë e masave politike përkatëse.

Nacion kundër nacioni

Nga këndvështrimi i Ballkanit ka grupe, që luftojnë kundër njëri-tjetrit – dhe individi duhet të mbështesë ekipin e tij. Serbët shtypin shqiptarët, të cilët pastaj hakmerren; turqit "skllavërojnë" bullgarët, pastaj janë bullgarët ata që kanë në dorë të vendosin; orthodoksët mbrohen kundër myslimanëve, katolikët kundër ortodoksëve…

Por racizmi nuk është luftë për pushtet mes kombeve. Bëhet fjalë për një tendencë të thellë kulturore, që bën që grupe të tëra njerëzish të trajtohen sistematikisht më keq se të tjerët. Romët janë shembulli më i trishtuar – por edhe migrantët në vende si Greqia dhe Turqia, pakicat seksuale dhe gjinore kudo. Racizëm është, kur emri, origjina juaj, ngjyra juaj e lëkurës apo trupi juaj bëjnë që ju të konsideroheni inferiorë. Nëse nuk ju lënë në pishinë, sepse qënkeni i pisët, për të mos thënë infektues.

Argumentet e së djathtës ekstreme

E djathta ekstreme pretendon se dëshiron vetëm barazi. Pakicat duhet t‘i binden ligjit - si të gjithë të tjerët. Argumentet e tyre janë se vendbanimet e romëve në Ballkan, ashtu si lagjet afroamerikane në SHBA, kanë statistika të larta kriminaliteti. Por a është një argument i tillë statistikor arsye e mjaftueshme për të arrestuar dikë, që është i dyshimtë vetëm për ngjyrën kafe të fytyrës së tij?

Përfytyroni që një bullgar dhe një estonez aplikojnë për një vend pune në Gjermani. Punëdhënësi thotë: "Ju, bullgarët, jeni fare poshtë në klasifikimin e arsimit sipas Pisa. Prandaj unë nuk do të përpiqem fare t'ju testoj, por do të marr estonezin, sepse vendi i tij është i pari sipas vlerësimit nga Pisa." A do të ishte e drejtë kjo? Bullgari konkret mund të jetë më i përgatitur se estonezi konkret – pavarësisht nga të gjitha statistikat. Një shembull tjetër: Ne dimë se 90 përqind e të gjitha krimeve të dhunshme kryhen nga burra në moshë të re. A duhet që për këtë arsye policët të arrestojnë çdo të ri, që shohin pas orës 22?

Akuza absurde

Thomas Jefferson ka frazën e famshme: "Nuk ka gjë më të pabarabartë se trajtimi i barabartë i njerëzve të pabarabartë." Nëse një shoqëri do të integrojë qytetaret dhe qytetarët e pafavorizuar, duhet të ofrojë mundësi të barabarta. Racizmi i ri ka zhvilluar një ideologji të re të formalizmit, barazia para ligjit barazohet me barazinë në vetvete: barazia e të lindurve në pallat me ata që vijnë nga kasollet. Në Bullgari dhe Rumani kanë ndodhur padi absurde ndaj shtetit – për shkak të diskriminimit të shumicës nga masat politike kundër diskriminimit të pakicës rome.

Solidariteti botëror antiracist pas vjekjes së dhunshme të George Floyd duhej t‘u sinjalizonte shteteve të Ballkanit, se brenda tyre troket një bombë me sahat. Racizmi minon solidaritetin pikërisht në vende, që nuk e kanë përfunduar me të vertetë krijimin e kombit të tyre. Jo më kot vitet e fundit në Ballkan ka pasur shpërthime të dhunës për vogëlsira.

Racizmi margjinalizon Europën Juglindore edhe në botën globale, duke nxitur paragjykimet e përhapura në rajon ndaj të huajve, investitorëve, ekspertëve dhe madje turistëve. Kush thotë, se Ballkani ndryshe nga Perëndimi nuk ka të kaluar koloniale dhe si rrjedhojë nuk ka probleme racizmi, e fsheh kokën në rërë: të mohosh racizmin në Ballkan është shumë e rrezikshme. Duhet diskutuar më në fund se çfarë duhet bërë.

 

Ivaylo Ditchev është profesor i antropologjisë kulturore në Universitetin e Sofjes në Bullgari. Ai ka dhënë leksione ndër të tjera në Gjermani, Francë dhe SHBA.