Bajerni në finalen e Ligës së Kampionëve
28 Prill 2010Ekipi gjerman rekord fitoi në ndeshjen kthyese me rezultatin e thellë 3:0 kundër ekipit francez Olympique Lyon. Të tre golat u shënuan nga Ivica Olic. Ndeshja e parë e zhvilluar në Mynih pati përfunduar 1:0 për bavarezët. Trajneri i ekipt gjerman, holandezi Louis van Gaal nuk ve në dyshim suksesin e ekipit të tij:
" Bajerni mund të rrahë çdo ekip dhe për këtë arsye në e arritëm edhe këtu. Unë mendoj se ne kemi arritur një rezultat shumë të lartë".
Ndërsa golshënuesi me tre gola në këtë ndeshje Olic u shpreh:
"Unë nuk e kam besuar që ne do të fitonim me tre gola. Kjo është fenomenale. Por ne këmi luajtur së bashku shumë mirë. Dhe kjo ishte edhe më e lehtë për mua, sepse unë kisha shumë mundësi që të tre golat duhet ti bëja".
Me këtë fitore, ekipi i Bajernit merr pjesë për të dhjetën herë në finalen e një Kupe të Europës, dhe për të tretën herë lufton për trofeun e Ligës së Kampionëve.
Ekipi i Inter Milanit do të jetë kundërshtari i ekipit të Bajernit të Mynihut në finalen e Ligës së Kampionëve. Italianët humbën mbrëmë në ndeshjen me ekipin spanjoll të Barcelonës me rezultatin 0:1, por ndeshja e parë në Milano ishte në favor të tyre 3:1. Trajneri Jose Mourinho foli për "mundjen më të bukur" në karrierën e tij. Finalja do të zhvillohet më 22 maj në stadiumin e Realit të Madridit.
Autor: Mimoza Cika -Kelmendi
Redaktoi: Bahri Cani