1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Azil për një jetë më të mirë - Romët e Kosovës në Gjermani

20 Qershor 2011

Një e katërta e azilkërkuesve të vitit të kaluar në Gjermani ishin me shtetësi serbe, shumica romë. Shanset që të fitojnë të drejtën e strehimit janë gati zero. E megjithatë sërish mbledhin valixhet e shkojnë në Gjermani

https://p.dw.com/p/11few
Roma në Beograd
Roma në BeogradFotografi: AP

Që prej pesë muajsh jeton në një strehimore azilkërkuesish. Vështrimi i tij është plot shpresë. Meqë do të mbetet anonim, ne po e quajmë Mirko. Për politikën nuk i pëlqen të flasë. E as për vendin e tij e rrethanat e largimit. Por se përse ka ardhur në Gjermani? Po, këtë e thotë pa problem: «Sepse këtu kam kushte më të mira për të jetuar, këtu fëmijët e mi janë të lirë, shkojnë në shkollë. Këtu unë kam çdo gjë që më nevojitet.»

Me të shoqen dhe gjashtë fëmijë jeton ai në banesën pesëdhomëshe që është e mobiluar dhe e rregulluar mirë. Mirko dhe familja e tij janë romë nga Kosova. Ai thotë se aty ku jetonte nuk kishte punë, pastaj shkoi në Beograd, por as aty nuk ishte më mirë: «Romët jetojnë nën ura, nëpër çadra e kontejnerë. Nganjëherë vjen ndonjë ministër e do të na dëbojë nëpër fshatra, se nuk do që romët të rrinë në qytet. Sepse aty ata mbledhin hedhurina, me ato rrojnë.»

Mirko donte t'i ikte këtij mjerimi

Shtëpi rome në Gjakovë
Shtëpi rome në GjakovëFotografi: DW / Beqiraj

Prandaj edhe mori rrugën në drejtim të perëndimit. Aty thonë që jeta është e bukur. Dhe ai nuk është i vetmi. Çerekun e numrit të kërkesave për azil në Gjermani për vitin 2010 e shtruan qytetarë serbë, shumica romë.

Sipas Zyrës Federale për Migracion dhe Refugjatë ky trend erdhi si pasojë e heqjes së regjimit të vizave me Serbinë. Një rol këtu luanin në fillim edhe ndihmat për ata që pranonin të ktheheshin vullnetarisht. Por, që kur këto ndihma u hoqën vitin e kaluar, atëherë numri i kërkesave për azil nga këto vende ra sërish.

Lagje rome në Gjakovë
Lagje rome në GjakovëFotografi: DW / Beqiraj

Shumë refugjatë kanë një ide të gabuar për Gjermaninë

Që shumë refugjatë që vijnë në Gjermani kanë një ide të gabuar për Evropën Perëndimore, këtë e di edhe Tina Klessen, e cila punon prej 15 vjetësh me azilkërkues: «Ajo që vihet re është se shumë shpesh ata vijnë këtu me shpresë se do të gjejnë punë e se do të ushqejnë familjen. Por shumë syresh dështojnë, sepse u mungon e drejta e punës ose nuk kanë mundësi të lëvizin lirshëm dhe kështu mbeten të zhgënjyer. Aty fillon puna jonë.»

Tina Klessen është personi, tek i cili drejtohen ata për gjithçka, ajo i ndihmon të shkojnë në administratë, të hapin ndonjë xhirollogari apo të lidhin një kontratë për celularin. Por ajo nuk është mbështetje vetëm për çështjet burokratike. Për 148 azilkërkuesit në strehimoren komunale të Dortmundit ajo shpesh shërben edhe si ngushëlluese. Shumë syresh janë njerëz, që ende ndodhen në procedurën e azilit ose që u është refuzuar kërkesa e duhet të largohen nga Gjermania: «Ky është rrethi i personave, me të cilët kam punë e që zakonisht nuk kanë shans të fitojnë azil. Këta duhet të pajtohen me faktin, që dikur do të dëbohen dhe detyra jonë është, që të gjejmë aty fjalë të qarta.»

Edhe Mirko ka marrë një përgjigje negative nga kërkesa e tij për azil. Në të ardhmen ai do të dëbohet. E shoqja dhe fëmijët mund të rrinë në Gjermani, derisa të shërohet vajza që është e sëmurë nga zemra. Që Mirko nuk do të lejohej të jetonte në Gjermani, kjo ishte e qartë që më parë. Sepse varfëria ekonomike dhe diskriminimi «parimisht nuk përbëjnë shkak për të marrë strehim nga përndjekjet», argumenton Zyra Federale për Migrim dhe Refugjatë.

Familie rome në Hamburg
Familie rome në HamburgFotografi: picture-alliance/ dpa

Çfarë i shtyn për këtë udhëtim, që duket kaq i pa shpresë?

Por, sipas Konventës së Gjenevës për Refugjatë, edhe diskriminimi mund të shihet si përndjekje, në ato raste kur ekziston një diskriminim kumulativ, thotë Imke Dierssen, referente e Amnesty Internatinoal për Evropën: «Një rast i tillë është me romët, të cilët diskriminohen në sektorë të ndryshëm të shoqërisë. Dhe po të shohim Kosovën, atëherë e shohim se romët, ndryshe nga shumica e popullsisë, kanë shumë më tepër vështirësi të regjistrohen në vendbanimet e tyre, shpesh nuk kanë vend për të banuar, nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollë. E njëjta gjë vlen edhe për shëndetësinë dhe shërbimet sociale. Amnesty thotë në këtë rast se kemi të bëjmë me një diskriminim kumulativ.»

Prandaj edhe romët nga Kosova duhet të gjejnë strehim në Gjermani, thotë Imke Dierssen. Kjo mund t'i jepte Mirkos pak shpresa. Sepse ai nuk do ta pranojë që duhet të kthehet dhe ta lërë gruan me fëmijë këtu në Gjermani. Ai nxjerr një copë letër të zhubrosur nga xhepi i pantallonave dhe ngutshëm e drejton gishtin nga ajo. «Avokati le ta zgjidhë!» thotë. Ai e ka kontestuar tashmë vendimin negativ të autoriteteve. Por edhe me avokat shanset për të pasur sukses nuk duken të mira: Kuota e mbrojtjes së azilkërkuesve nga Evropa Juglindore në vitin 2010 ishte gati zero. Vetëm 3,5 përqind e kërkesave për azil nga Kosova u pranuan vitin e kaluar. Por për Mirkon këto shifra nuk kanë rëndësi....

Autor: Reyna Breuer/Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica