1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sveçla: Radoiçiqi ishte prijësi i sulmit terrorist

27 Shtator 2023

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla pohon se Millan Radoiçiq, nënkryetari i listës Srpska, ka qenë prijës i grupit terrorist që mori pjesë në sulmin mbi policinë e Kosovës.

https://p.dw.com/p/4Wqp6
Serbët e armatosur të strehuar në manastirin në Banjskë
Serbët e armatosur të strehuar në manastirin në BanjskëFotografi: Office of the Kosovo Government

Autoritetet në Prishtinë thonë se prijësi i grupit të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës të dielën në Banjskë në veri të Kosovës, është nënkryetari i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës Lista Srpska, Milan Radoiçiq. Pamjet e një droni u publikuan nga Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ku shihet grupi i personave të armatosur dhe theksohet se një nga ta është Milan Radoiçiq, i cili kërkohej edhe më herët nga autoritet kosovare dhe është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar.

"Kryekrimineli Radoiçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”, shkroi në ministri Sveçla.

Lista Serbe pa koment

Nga lista Srpska nuk i kanë komentuar pohimet e autoriteteve të rendit. Ndërsa kjo parti shpalli tre ditë zie në zonat e banuara me shumicë serbe në kujtim të tre sulmuesve të armatosur që u vranë të dielën në përleshje me policinë e Kosovës. Edhe Qeveria e Serbisë të mërkurën e shpalli ditë zie.

Lista Serpska nuk komonton përfshirjen e Radoiçiqit po shpall ditë zie
Lista Serpska nuk komonton përfshirjen e Radoiçiqit po shpall ditë zieFotografi: Ognen Teofilovski/REUTERS

Sulmi i së dielës në veri ku u vra një polic i Kosovës nga një grup i armatosur që më pas në përleshje me policinë u vranë tre pjesëtarë të grupit, ka nxitur shqetësime në arenën ndërkombëtare për stabilitetin e rajonit.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, të marten mbrëma zhvilloi biseda telefonike të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Chollet u  bëri thirrje palëve për uljen e tensioneve dhe kthimin në tavolinën e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.

Reagimet amerikane dhe evropiane

"Bisedova me kryeministrin Albin Kurti për sulmin e tmerrshëm të së dielës në Kosovë. Dënoj ashpër dhunën kundër policisë së Kosovës dhe shpreha ngushëllime për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Të dyja palët duhet të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatojnë përkushtimet e marrëveshjes së Ohrit”, shkroi Chollet në platformën X. Po ashtu ai nënvizoi se me presidentin serb Vuçiq, ka folur "për rëndësinë e shtensionimit të menjëhershëm në veri të Kosovës dhe shmangien e veprimeve që mund të nxisin më tej tensionet. Humbja tragjike e jetës nënvizon nevojën urgjente për të rivendosur qetësinë dhe për t'u kthyer në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, shkroi Chollet.

Policia e ka gjendjen nën kontroll
Policia e ka gjendjen nën kontrollFotografi: Ognen Teofilovski/REUTERS

Edhe ministrja gjermane e Punëve të Jashtme,Analenna Baerbock, shkroi në  platformën X se "pas sulmit ndaj policisë së Kosovës, të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për rolin e tyre në paqe. Në situatën e tensionuar në Ballkanin Perëndimor, përgjegjësia matet me atë që bën për të de-përshkallëzuar. Serbia në veçanti duhet të bëjë thirrje pa mëdyshje për heqjen dorë nga dhuna," shkroi Baerbock.

Bashkimi Evropian në të njëjtën kohë, përsëriti kërkesën që përgjegjësit për sulmet e së dielës ndaj Policisë së Kosovës në veri të sillen para drejtësisë, duke bërë thirrje që të zbardhen të gjitha faktet rreth asaj që ka ndodhur.

"Hetimet janë duke vazhduar, siç kemi thënë, dhe ato akoma nuk kanë përfunduar krejtësisht. Ato janë kryesisht në duart e Policisë së Kosovës dhe me kërkesë të Policisë së Kosovës mund të asistohen edhe nga EULEX-i dhe KFOR-i. Duhet të vërtetohet se kush i bëri këto sulme terroriste, kush i organizoi, kush qëndron prapa tyre dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Sa u përket përgjegjësisë, pandëshkueshmërisë, qëndrimi i BE-së është shumë i qartë, të gjithë përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë dhe këtu nuk ka asnjë dilemë”, tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano në një konferencë me gazetar të Bruksel.

Policia e Kosovës tashmë ka arrestuar gjashtë persona pas sulmit të së dielës në fshatin Banjskë. Tre prej të arrestuarve, një Gjykatë në Prishtinë u shqiptoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Ata sipas Gjykatës dyshohen për përfshirje në "vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprave terroriste”. Ministri i brendshëm Xhelal Sveçla, i bëri thirrje autoriteteve të Serbisë që të dorëzojnë serbët e armatosur, të cilët sipas policisë, pas sulmit të së dielës  u arratisen dhe ikën në Serbi.