1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Autorët e rinj shqiptarë shkelin brigje të reja estetike

Anila Shuka12 Tetor 2005

Revista prestigjioze letrare e Austrisë "Lichtungen" organizoi në Grac një mbrëmje të letërsisë së re shqipe

https://p.dw.com/p/AsHb
Qyteti i Gracit, Austri
Qyteti i Gracit, AustriFotografi: BilderBox

Shqipëria

Shqipëria është më e madhe se toka e saj,
Se qielli i shtrirë pingul.
Ajo është ëndërr e thinjur anije-
Jaht që greminat puth.

Me krahë rreh plagët - gjak t'i mbyllë
Tek përpëlitet përgjysmuar.
Ajo s'është pjesë planeti, por yll, -
Loti që Zotit i pati pikuar.

(Agron Tufa)

Vjersha "Shqipëria" e poetit shqiptar Agron Tufa ishte edhe motoja, nën të cilën një nga revistat prestigjioze letrare të Austrisë "Lichtungen" botoi së fundi një cikël me autorë të rinj shqiptarë. Ishte meritë e autorit austriak Markus Jaroshka, i cili që në vitin 1977 përkujdeset për botimin e njërës prej pesë revistave letrare të Gracit, që solli publikimin e veprave të nëntë autorëve të rinj nga Shqipëria, dy prej të cilëve, Gentjan Çoçoli dhe Virion Graçi, ishin të pranishëm edhe në Grac për të marrë pjesë në ceremoninë e prezantimit.

Përzgjedhjen dhe gjermanizimin e prozës dhe poezisë e kishte bërë Joachim Roehm. Autorët e botuar, mes të cilëve krahas të lartpërmendurve gjenden edhe emra të tillë, si Ervin Hatibi, Ledia Dushi dhe Ilir Belliu, që për fat të keq, tre vjet më parë u nda shumë herët nga kjo botë, Roehm i konsideron si pjestarë të një brezi, që karakterizohet nga rrefuzimi i prerë ndaj të ashtuquajturit realizmi socialist. "Këta janë të rinj që po shkelin brigje të reja estetike, që kanë filluar të njohin rrymat dominuese në botën letrare. Një njohje jo emocionale, gjë që sjell deri diku një farë eklekticizmi, por gjithsesi ata janë eksperimentues dhe kanë dëshirë të përparojnë në aspektin estetik," - thotë Roehm. Që prej shtatë vjetësh ai po punon sistematikisht për të bërë të njohur letërsinë shqipe në Evropë. Ishte ai që i solli lexuesit gjermanofon emra të tillë, si Fatos Kongolin, Elvira Dones, Beqë Cufajn, Rexhep Qosjen e Kim Mehmetin. Përmes përkthimit të veprës së plotë të Ismail Kadaresë (me porosi të shtëpisë zviceriane Amann) po ripozicionon tek publiku gjermanofon autorin shqiptar, të lindur gati 70 vjet më parë në qytetin jugor të Gjirokastrës.

Letërsia shqipe më prezente në Austri e Zvicër

Përsëri dy gjirokastritë i ka sjellë Roehm publikut austriak. Virion Graçi, njëri prej tyre, tashmë i botuar edhe në Francë e Greqi, është docent i letërsisë antike në Universitetin e Gjirokastrës dhe ka botuar pesë romane. Në Grac ai u prezantua me një tregim të shkurtër, të cilin siç thotë me shaka e ka shkruar "si për të mprehur lapsin." `Dita e Pestë e Punës` është një fragment i shkurtër nga përditshmëria shqiptare me korrupsion, krim dhe oligarki, themelet e përgjakura, mbi të cilat po ngrihet shoqëria e re që ka marrë udhën drejt Evropës.

Graçi, i cili qysh në moshën 23-vjeçare botoi romanin e tij të parë "Të çmendur në parajsë", e quan veten autor klasik, që lëndën dhe frymëzimin për atë që shkruan e merr gjithmonë nga jeta. Nga ngjarjet që i vërtiten vazhdimisht në kokë. Tani është duke u përkthyer një tjetër roman në gjuhën franceze me titullin "Grua pa emër". Roehm shpreson që së shpejti të gjejë një shtëpi botuese gjermane. Pardon! Ndoshta këtu duhet bërë një korrigjim i vogël, jo gjermane, por gjermanofone.

"Kam përkthyer 20 libra në gjuhën gjermane, vetëm njërin prej tyre e ka nxjerrë një shtëpi botuese gjermane. Shtëpitë e tjera kanë qenë ose austriake ose zvicerane," thotë Roehm. "Austria së bashku me Egon Amann-in nga shtëpia botuese "Amann" nga Zvicra kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në bërjen të njohur të letërsisë shqiptare në hapësirën gjermanofone." Një shembull konkret përbën "Kultur Kontakt Austria" që ka financuar mes të tjerash edhe numra të revistës kulturore artistike "ALEPH", qe e ka marrë titullin nga një tregim i shkrimtarit amerikano latin, Horge Luiz Borges. Numri i fundit i saj shërbeu si bazë për edicionin aktual të "Lichtungen".

"Një monument në kaosin e letërsisë shqiptare" e quan Roehm revistën "Aleph". Gati dhjetë vjetë më parë botuesi i saj Gentjan Çoçoli u shpërngul nga vendlindja e tij Gjirokastër me të vetmin qëllim që të nxirrte për botim, Alephin, numri i parë i së cilës i ra në dorë publikut në janar të vitit 1997. Çoçoli është vetë njëri nga poetët e talentuar të letrave shqiptare. "Revista "Aleph" arriti që të mblidhte pas vetes autoret dhe autorët më të rëndësishëm dhe madje në një nivel shumë të lartë në dy aspekte: së pari, si zëdhënëse e këtyre shkrimtarëve, por së dyti, edhe përmes përkthimeve të veprave nga letërsia botërore dhe eseve që mund t'i shërbejnë debatit ndërmjet shkrimtarëve shqiptarë," vlerëson Roehm.

Aleph-i renditet krahas epiqendrave të ndryshme të letërsisë së re shqiptare, që mes njëra-tjetrës nuk janë në marrëdhënie shumë harmonike, konstaton Roehm. Qëllimi i tyre është i njëjtë: të gjejnë shigjetën e orientimit nga letërsia cilësore, ose siç thotë Çoçoli, problemi me i madh eshte "orientimi i letërsisë së sotme shqipe në sfondin e një kulture evropiano-perëndimore, si edhe çlirimi apo shkëputja nga hija e së kaluarës''.

Sepse kush do të jetë në fund të fundit ai që do të vendosë për letërsinë e mirë? Në Shqipëri botohet gjithçka që gjen para ose sponzor. Uria që ekzistonte para kthesës politike për të lexuar gjithçka që dilte në vitrinë ose fshihesh nën banakët e librarive duket se është ngizur nga produktet e tjera të konsumit, që mbulojnë vitrinat. Përvoja që kanë nevojë për trajtim letrar, me sa duket, Virion Graçi sheh pikërisht aty rrezikun që i kanoset letërsisë shqiptare: "Rreziku përmblidhet në atë fakt komik dhe tragjik njëkohësisht, kur numri i atyre që shkruajnë është më i madh se numri i atyre që lexojnë", përmbledh Graçi.

Humori i Graçit i pëlqen publikut austriak. Ata duartrokasin. Ndoshta kjo ka të bëjë me faktin që, lidhjet mes dy kulturave asaj të gjuhës gjermane dhe asaj shqiptare kanë kaluar përmes Gracit. Ketu ka studjuar Çabej dhe Poradeci. Ky qytet që tashmë numëron 250.000 banorë ka shërbyer në kohërat e monarkisë perandorake austro-hungareze si vendi i pensionimit të nëpunësve të perandorisë austro-hungareze që ishin të stacionuar në Ballkan. Vjenezët thonë Ballkani fillon në Gracë, thotë Jaroshka me buzëqeshje.