Athina duhet të ruajë kursin e kursimeve
26 Korrik 2012Këtë të premte (27.7.) kryeministri grek Antonis Samaras do të presë kontrollorët e Komisionit Evropian, FMN-së dhe Bankës Qendrore Evropiane. E ashtuquajtura Trojka po shqyrton përparimet në zbatimin e masave të kursimit dhe reformave. Veç kursimit të 11,5 miliardë eurove, dy vitet e ardhshme duhet të rriten me rreth 3 miliardë euro edhe të ardhurat buxhetore.
Jo më vonesa
Pas takimit me Barroson kryeministri grek siguroi se nuk do të ketë më vonesa në rrugën drejt rimëkëmbjes së financave të shtetit. Miku nga Brukseli, i cili e vizitonte për herë të parë Athinën që prej shpërthimit të krizës së rëndë, shfrytëzoi rastin për të drejtuar një apel të fortë: "Athina duhet të mbajë premtimet e dhëna por ne jemi në krah të grekëve."
Në pritje të raportit të Trojkës
Se çfarë dotë thotë kjo konkretisht, do të varet nga inspektorët e Trojkës. Të enjten (26.7.) ata u takuan me ministrin grek të Financave Janis Sturnaras. Siç u bë më pas e dituz nga Ministria e Financave, ministri grek ka ngulur këmbë për marrjen e një afati më të gjatë për zbatimin e masave.
15 miliardë euro për Greqinë dhe Spanjën
Po sipas njoftimeve në shtyp vendet e eurozonës po konsiderojnë ndihma të reja për shtetet në krizë, Spanjën dhe Greqinë. Sipas informacioneve të "Süddeutsche Zeitung" diskutohet që fondi për shpëtimin e euros EFSF t'u blejë bankave private obligacione shtetërore spanjolle, për të ulur barrën e interesave për Madridin. Ndihma e përgjithshme për Greqinë dhe Spanjën do të ishte sipas njoftimeve 10 deri 15 miliardë euro.