1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

081111 EU-Finanzminister Brüssel

8 Nëntor 2011

Ndërkohë që grekët ende këshillohen për formimin e një qeverie kalimtare përfaqësuesit e eurogrupit dalin me kërkesa: qeveria e re duhet të deklarohet me shkrim për objektivat e reformave dhe të kursimeve.

https://p.dw.com/p/136hz
Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/dpa

Ndërkohë që partitë politike në Greqi po këshilloheshin ende për formimin e qeverisë së unitetit kombëtar, të hënën në mbrëmje (7.11.) përfaqësuesit e eurogrupit prezantuan vendimet e Këshillit të Ministrave të Financave. Tek këto vendime bën pjesë edhe kërkesa që kryetarët e dy partive më të mëdha politike në Greqi të deklarohen me shkrim, se pranojnë objektivat për reforma dhe kursime në vend, për të cilat është rënë dakord në fund të tetorit në samitin e BE-së.

Komisari i BE-së për Monedhën Oli Rehn, në të vërtetë një burrë shumë i rezervuar shprehu pakënaqësinë e tij ndaj sjelljes së kryeministrit të deritanishëm, Girogos Papandreu. "Ne po bëjmë pjesën tonë. Nga Greqia pritet që edhe ajo të bëjë pjesën e saj. Dhe unë nuk besoj se isha i vetmi që kisha ndjenjën se paralajmërimi i njënashëm për një referendum në lidhje me marrëveshjen e 27 tetorit, paraqiste një thyerje të besimit."

Përfaqësuesit e eurogrupit prezantuan vendimet e Këshillit të Ministrave të Financave
Përfaqësuesit e eurogrupit prezantuan vendimet e Këshillit të Ministrave të FinancaveFotografi: dapd

Ndërkaq presidenti i Eurogrupit, Jean-Claude Juncker nuk është zemëruar vetëm me lëvizjen e papritur të Papandreut për referendum popullor. Ai akuzoi tërë politikën greke për dështim për shkak se asaj i është dashur një kohë kaq e gjatë që të veprojë e bashkuar në një krizë kaq serioze. "Ju duhet ta dini se është tmerrësisht e vështirë për t'iu shpjeguar qytetarëve në Gjermani, Holandë, Belgjikë, Austri dhe Luksemburg, që të tregojnë solidaritet  - dhe unë jam qind për qind për atë që të tregohet solidaritet  - në qoftë se në Greqi nuk ka  aspak vullnet për një analizë të përbashkët të gjendjes dhe gjetjen e një konsensusi kombëtar. Unë jam shumë i kënaqur, që pas kaq muajsh sqarimesh dhe përpjekjeve pedagogjike klasa politike në Greqi vendosi tani të punojë së bashku. Kjo me të vërtetë është dashur të ndodhë muaj më parë."

Nëse në Greqi, çdo gjë rrjedh pa probleme dhe palët angazhohen për zbatimin e programit të kursimeve, vendi mund të marrë edhe transhin e ri, prej tetë milairdë eurosh nga paketa e ndihmave. Kjo sipas Juncker, mund të ndodh deri në fund të nëntorit. Për shkak të rrethanave të paqarta dhe përparimin e ngadaltë të reformave qeveritë e eurozonës nuk kanë pranuar të paguajnë deri tani transhin e radhës.

Nga ana tjetër, ministrat e Financave janë të shqetësuar edhe për Italinë. Pas Greqisë, Italia është e dyta sa i përket borxheve në Unionin e Monedhës. Kryeministri Silvio Berluskoni shihet si i goditur politikisht. Tregjet financiare nuk besojnë se ai është në gjendje të kryejë reforma të thella. Prandaj Italia detyrohet që të paguajë kamata rekorde për kreditë e reja. Kështu që Juncker është pyetur nga gazetarët nëse eurogrupi i ka rekomanduar edhe Italisë një qeveri të unitetit kombëtar.

"Ne nuk kemi kërkuar formimin e një qeverie të unitetit kombëtar në Itali, sepse Italia nuk ndodhet në një program të ndihmave. Ky është dallimi në mes të Italisë dhe tre vendeve të tjera (Greqisë, Portugalisë, Irlandës). Ajo çfarë ne presim prej Italisë, është që Italia të zbatojë masat e paralajmëruara nga Silvio Berluskoni në letrën drejtuar presidentit të Këshillit (Herman Van Rompuy) dhe presidenti të Komisionit (José Manuel Barroso)."

Autor: Christoph Hasselbach / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama