1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ata që duan të dinë pse ekziston ende RAF duhet të lexojnë librat

Sonila Harasani20 Shkurt 2007

Gazetat e sotme gjermane fokusohen tek lirimi i parakohshëm i ish terroristëve të grupit Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe, të cilët janë përgjegjës për vrasjen e dhjetëra njerëzve, dhe tek konflikti në Lindjen e Afërt

https://p.dw.com/p/ArlW
Fotografi: AP Graphics/DW

Gazeta «Tageszeitung» nga Berlini shkruan mbi viktimat e grupit terrorist RAF:

"Qeveria duhet të kujdeset që fëmijët të mësojnë gjermanisht dhe makinat të hedhin sa më pak CO2 në ajër. Por ajo nuk ka përse t´i shpjegojë popullit përse ekzistonte dikur grupi terrorist Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe RAF. Ata që duan ta dinë këtë gjë, mund të lexojnë dhjetëra libra apo të shohin filma. Edhe pa akte shtetërore, viktimat e RAF-it nuk do të harrojnë gjë. Përkundrazi: Lakmia e mediave për të afërmit e viktimave të RAF-it duket sikur nuk merr fund këto ditë."

Gazeta «Offenbach-Post» komenton:

"Për ta zbutur paksa debatin e nxehtë, deklaratat janë tani: Nuk duhet t´i harrojmë viktimat. Tani e ka rradhën qeveria që të ndërmarrë një iniciativë të drejtë. Por shtrohet pyetja se përse qeveria nuk u kujtua shumë kohë më parë që t´u japë viktimave dhe të afërmve të tyre nderin e duhur. Pikërisht tani, kur kjo qeveri do të lirojë para kohe atentatorët përgjegjës të krimeve, duket paksa absurde që të kujtohen edhe viktimat. Ky është valium për popullin."

Në gazetën "Mannheimer Morgen» lexojmë:

"Deklaratat e rrema mbeten të tilla edhe po të përsëriten dhjetra herë. Politikanë si ish kryeministri i Bavarisë Günther Beckstein (CSU) mund të mendojnë se është shumë e rëndësishme që të lirojnë terroristët para kohe nga burgu, në rast se dëshmojnë se janë penduar dhe japin informacione mbi vrasje ende të pazbardhura të RAF-it. Por nga ana juridike kjo nuk ka asnjë vlerë. Kush i mban terroristët e RAF-it për vrasës - dhe ata janë vrasës - duhet t´i trajtojë ata si të tillë. Pa rabat ideologjik."


Ndryshojmë temë. Në gazetën «Kölnische Rundschau» lexojmë mbi konfliktin në Lindjen e Afërt:

"Qeveria amerikane e ka lënë me vite me rradhë pasdore konfliktin izraelito-palestinez. Para pak kohësh ky konflikt hyri sërish në qendër të vëmendjes, por tani Uashingtoni nuk e sheh më veten si një ndërmjetësues të sinqertë, si Bill Clintoni, por si një superfuqi mbrojtëse për Izraelin. Nuk është për t´u çuditur pra që ky konflikt nuk merr fund. Por tani, në fund të periudhës së tij legjislative, presidenti Bush dëshiron ta përmirësojë pak bilancin e tij katastrofal në Lindjen e Afërt. Por sa kohë që politika e tij mbetet në takime tripalëshe që nuk kanë asnjë vlerë, ai shkakton më shumë dëme sesa përparim. Ata takohen e pastaj ndahen sërish. Dhe rezultati mbetet gjithmonë i njejti: Pa sukses. Por politika simbolike është e rrezikshme, kur duket se nuk të çon në asnjë drejtim. Sepse ajo u jep shpresa radikalëve që të përpiqen t´i arrijnë me dhunë qëllimet e tyre."

Në gazetën «Wiesbadener Kurier» lexojmë:

"SHBA_s dhe kontrahentët e tyre në Lindjen e Afërt i bënë edhe njëherë krejtësisht të qarta kushtet e tyre për bllokadën totale aktuale, pa propozuar ndonjë zgjidhje. Izraeli dhe superfuqia që e mbron atë, por edhe evropianët që marrin pjesë në kuartetin e Lindjes së Afërt duan t´i bindin islamistët që të pranojnë ekzistencën e shtetit Izrael. Por Hamasi nuk do megjithë sanksionet që i janë vënë rajoneve palestineze."

Dhe së fundi në gazetën «Kieler Nachrichten« lexojmë:

"Samiti i Jeruzalemit na dëshmoi edhe njëherë se sa shumë ka vuajtur autoriteti i superfuqisë së fundit që ka mbetur nga politika gjashtëvjeçare e Bushit. Është për të ardhur keq, që Rice e vlerëson si sukses uljen në tryezën e bisedimeve mes Olmertit dhe Abazit. Kush bie kaq thellë, nuk beson më në influencën e vet në rajon. Politika për Lindjen e Afërt, që ka munguar me vite të tëra, nuk mund të ripërtëritet brenda një nate. Për presidentin Bush lufta kundër terrorit ndërkombëtar ka prioritet. Iraku, Irani, Afganistani dhe Korea e Veriut janë në qendër të agjendës së politikës së tij të jashtme. Zgjidhja e konfliktit në Lindjen e Afërt nuk ka ndonjë domethënie strategjike për SHBA-s."