Arrestohen dy të dyshuar për aktin e Potsdamit
21 Prill 2006Të enjten në mbrëmje policia arrestoi në Pocdam të dyshuarin e parë, gati një orë e gjysëm më vonë u kap edhe i dyshuari i dytë. Prokuroria federale, përgjegjëse për hetimet konfirmoi lajmin e arrestimit, por nuk dha informacione të tjera.
Kështu ajo që u mor vesh, ishte se këta dy persona janë në moshë 29- dhe 30 vjeçare dhe se vinë nga rajoni i Pocdamit. Ka të dhëna që rëndojnë mjaft të dyshuarit, se ata e kanë kryer aktin për shkak të urrejtjes ndaj të huajve dhe bindjes së tyre të ektsremizmit të djathtë.
Ministri i brendshëm i Brandenburgut, Jërg Shëneborn, shprehu kënaqësinë e tij për suksesin e hetimeve: "Më e rëndësishmja në këtë situatë është: të gjithë duan që ajo të sqarohet sa më shpejt, sepse ka pasoja. Ne të gjithë e dimë, që njerëzit janë të shokuar për atë se si është e mundur një gjë e tillë. Kur çështja të zbardhet, mund të flitet më mirë për të"
Po kështu u shpreh në Berlin dhe kancelarja Angela Merkel: "Për mua ka rëndësi që rasti të zbardhet shpejt, që të bëjmë të qartë, që ne e dënojmë armiqësinë ndaj të huajve, dhunën, si atë të ekstremizimit të djathtë ashtu si çdo lloj tjetër dhunë, dhe se kjo nuk është ajo çfarë dëshiron shumica e popullsisë në Gjermani."
Hetimet në Pocdam vazhduan deri në mesnatë. Ditën e sotme pritet që prokuroria federale, të vlerësojë rezultatet dhe të vendosë nëse të dyshuarit do t'i paraqiten gjyqtarit hetues. Viktima me origjinë etiopiane ndodhet ende në rrezik jete. Autorët e krimit e kapën 37 vjeçarin të dielën e pashkëve në një stacion tramvaji dhe e goditën derisa ai nuk po jepte më shenja jete, dhe ra në tokë i mbuluar nga gjaku dhe dëmtime të rënda në kokë.
Edhe qytetarët e Pocdamit u treguan të lehtësuar nga suksesi i hetimeve të policisë: është një ndjenjë e mirë, që u arrit që brenda një kohë të shkurtë të kapen personat. Ndërsa nj grua tha: është si një shpërblim, që të paktën ata u kapën.
Ditën e sotme, kryetari i bashkisë së Pocdamit, Jan Jakobs ka bërë thirrje për një miting solidariteti për babain e dy fëmijëve. Edhe pas arrestimit të autorëve, është e rëndësishme të japim një sinjal kundër armiqësisë ndaj të huajve dhe dhunës, u shpreh ai.