1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arenca Trashani: Shqipëria nuk është më delja e zezë në hartën e Evropës

Lindita Arapi13 Qershor 2006

Në bisedë për DW, Ministrja e Integrimit të Shqipërisë, Arenca Trashani, thekson se nënshkrimi i marrëveshjes është një shenjë e besimit të Evropës ndaj Shqipërisë, por ende duhen plotësuar standartet evropiane

https://p.dw.com/p/Arf9
Parlamenti, Tirane
Parlamenti, TiraneFotografi: AP

Nënshkrimi i marrëveshjes së stabilizim-asociimit në Luksemburg është një shenjë e vlerësimit pozitiv të zhvillimeve të viteve të fundit në Shqipëri. Nëse kjo tregon se Evropa ka më shumë besim tek Shqipëria, Ministrja e integrimit, Arenca Trashani, shprehet: "Po, absolutisht që po. Unë do të thoja që me nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit, Evropa tregoi që tashmë ka shumë më tepër besim tek Shqipëria dhe tek zhvillimet e fundit. Nuk është më Shqipëria delja e zeze në hartën e Evropës, vendi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, por do të thoja tashmë janë ndezur dritat jeshile edhe për Shqipërinë, si një vend që mund të prodhojë qetësi dhe siguri.

Ky është një hap që Shqipëria bën përpara në drejtim të procesit të integrimit evropian. Me nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit hyn në fuqi marrëveshja e ndërmjetme, e cila u gjithashtu u nënshkrua, dhe nuk është gjë tjetër veçse pjesa e shkëmbimeve tregtare të marrëveshjes së stabilizim-asociimit."

Por çfarë detyrash të reja e presin Shqipërinë në mënyrë që të përshpejtohet rruga e integrimit drejt Evropës? Lidhur me këtë Ministrja e integrimit, Arenca Trashani thekson: "Unë mendoj që ky është vetëm stacioni i parë i rrugëtimit tonë drejt integrimit evropian, që do të sjellë një ulje të tarifave doganore, le të themi një liberalizim të tregut ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Por bëhet fjalë edhe për standartet e tjera evropiane, të cilat kërkohen për t'u plotësuar nga Shqipëria, siç janë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, vendosja e demokracisë funksionale, shtetit ligjor dhe padiskutim edhe ngritja e investimeve."