1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Angela Merkel lavdëron punën e kryesisë së Finlandë në BE

21 Dhjetor 2006

Vanhanen: Bilanci i gjashtë muajve të kaluar është - Bashkimi Evropian nuk ka qenë kurrë më i bashkuar sa sot

https://p.dw.com/p/Aqng
Kancelarja Angela Merkel duke takuar kryeministrin finlandez Matti Vanhanen
Kancelarja Angela Merkel duke takuar kryeministrin finlandez Matti VanhanenFotografi: AP

Shumë lavdërime patën për njëri-tjetrin pas takimit të zhvilluar në Helsinki kryeministri finlandez Matti Vanhanen dhe kancelarja gjermane Angela Merkel. Atje u fol para së gjithash për çështje euroatlantike. Vanhanen theksoi se gjatë kryesisë së Finlandës në Bashkimin Evropian ai nuk është takuar me asnjë kryetar qeverie evropiane më shpesh sesa me kancelaren gjermane. Bilanci i gjashtë muajve të kaluar është ky, tha Vanhanen, Bashkimi Evropian nuk ka qenë kurrë më i bashkuar sa sot.

Merkel nga ana tjetër nënvizoi rolin konstruktiv të Finlandës gjatë negociatave për anëtarësimin e Turqisë, falënderoi finlandezët për rolin e tyre udhëheqës gjatë misionit politiko-ushtarak në Kongo dhe lavdëroi marrëdhëniet e mira të Bashkimit Evropian me Rusinë, të cilat u përmirësuan gjatë kryesisë finlandeze të radhës në Bashkimin Evropian. Për rolin e afërt udhëheqës gjerman në Bashkimin Evropian ajo theksoi synimin e një kushtetute të përbashkët.

Pjesën e parë të vizitës të saj kancelarja e kishte kryer dje në Kopenhagen. Atje atmosfera nuk ishte aq harmonike. Edhe një herë tjetër ajo e justifikoi qëndrimin e saj, se nuk është përkrahëse e fuqishme e urës mbi Detin e Veriut. Vendimi për apo kundër ndërtimit u shty për në muajin janar:

"Është vërtet kështu që u theksua rëndësia e projektit prej Komisionit Evropian si rrjet transevropian. Ne verifikojmë aktualisht modelet e financimit, ministri ynë i transportit i ka bërë të ditur homologut të tij danez se kjo do të vlerësohet në fillim të vitit dhe atëherë ne do të mund të marrim vendime mbi një bazë të qëndrueshme."

Se çfarë duhet përfytyruar me fjalët bazë e qëndrueshme, këtë Merkel nuk e specifikoi. Pyetjen se përse modelet e financimit nuk janë vlerësuar përfundimisht kancelarja e "grushtoi" duke treguar nga vëllimi financiar i projektit:

"Jo rrallë ndodh që verifikimi të zgjasë një ose dy muaj më shumë sesa mendohej. Dhe unë besoj që në një vendim të kësaj rëndësie modelet e financimit duhet të shqyrtohen me vëmendje."

Përballë kaq shumë rregulli gjerman kryeministri i Danimarkës Anders Fogh Rasmussen nuk mund të thuhet se rrezatonte optimizëm, por ai nuk donte ta humbiste rastin për të vënë edhe një herë në dukje dobinë e urës, sipas mendimit të tij:

"Nuk kemi dyshime se ura mbi ngushticën Fehmarnbelt do të sillte përfitime të mëdha për të dyja palët, Danimarkën dhe Gjermaninë. Ajo do të ishte me avantazhe të konsiderueshme për rajonet fqinje, sepse ura nuk do të bashkonte vetëm dy vende, por krejt Skandinavinë me kontinentin evropian."