1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Analistët: Fushatë zgjedhore pa ide të reja

3 Qershor 2011

Fushata parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni në përgjithësi vlerësohet si e qetë dhe korrekte. Por sipas analistëve mediat kanë qenë të pozicionuara.

https://p.dw.com/p/11TpE
Maqedonia në prag të zgjedhjeve
Maqedonia në prag të zgjedhjeveFotografi: AP

Në Maqedoni sot përmbyllet fushata parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit. Partitë politike gjatë fushatës 20 ditëshe para elektoratit kanë shpalosur platformat dhe kanë prezantuar strategjitë, se si do t'i zgjidhin problemet dhe do të udheheqin vendin gjate 4 viteve të ardhshme. Analistët politikë ambientin, premtimet, retorikën e përdorur në fushatë dhe rolin e mediave e kanë vlerësuar si një proces më të qetë për dallim nga zgjedhjet e mëparshme parlamentare, por njëherit kanë theksuar edhe mangësitë që janë shprehur në këtë fushatë.

Latifi: Fushatë e zbehtë, pa oferta reale politike

Çështja e emrit e pret skenën politike pas zgjedhjeve
Çështja e emrit e pret skenën politike pas zgjedhjeveFotografi: Petr Stojanovski

Drejtori i Institutit për Demokraci dhe Zhvillim, Veton Latifi, thotë se fushata parazgjedhore ka qenë e zbehtë dhe me një mungesë të ofertës reale politike. Në mitingjet e partive është vërejtur nivel i ulët i dinamikës politike e programore dhe në anën tjetër nivel i lartë i dinamikës polarizuese, duke pasur parasysh ashpërsinë e retorikës. Sipas Latifit ndonëse motivi pikënisës i këtyre zgjedhjeve ishte në një formë situata emergjente për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, në këtë fushatë çuditërisht nuk u shpalos ndonjë vizion i partive politike për zgjidhjen e çështjes së emrit: “Dhe kjo është tejet shqetësuese, pasi që një nga sfidat e para, që do ta pret skenën politike pas zgjedhjeve, do të jetë pikërisht çështja e emrit. Kurse në fakt gjatë fushatës madje edhe diskutimi për emrin ishte gati inekzistent në këtë drejtim”, vlerëson Veton Latifi. Në të dy kampet etnike politike qoftë shqiptare, apo maqedonase nuk janë ofruar ide të reja politike, por premtime të konsumuara, thotë Latifi: “Gjatë kësaj fushate zgjedhore në programet politike nuk u vërejt ndonjë ofertë konkrete dhe ndonjë mekanizëm real për implementimin e premtimeve, që në fakt edhe nuk pritej, pasi që bëhet fjalë kryesisht për premtime joreale dhe jokonsistente “.

Mehmeti: Retorika e bllokut maqedonas më e ashpër se e atij shqiptar

Nikola Gruevski, Fushata zgjedhore e VMRO DPMNE
Nikola Gruevski, Fushata zgjedhore e VMRO DPMNEFotografi: MIA

Analisti Ibraim Mehmeti thotë se për dallim nga fushatat e tjera një retorikë më e ashpër kësaj radhe është vërejtur te blloku politik maqedonas per dallim nga ai shqiptar: “Në fushatën e partive shqiptare kësaj rradhe kemi tema ekononomike që është ndoshta hera e parë dhe mendoj se kjo gjithashtu ka ndikuar pozitivisht”.

Ai ka vërejtje edhe në rolin e mediave në fushatë: “Përkrahja, që ata ia shprehin platformave të ndryshme politike, kësaj rradhe është shumë e dukshme dhe mund të vërehet qartë se cili medium cilën platformë politike e përkrah”.

Karakamisheva: E djathta maqedonase mjaft e përçarë

An elderly ethnic Albanian
Fotografi: AP

Profesoresha universitare Tanja Karakamisheva thotë se përçarja më e madhe në këtë fushatë është vërejtur tek e djathta maqedonase: “Ndarja e së djathtës maqedonase në parti të vogla rezultoi me një retorikë të ashpërsuar në fushatë. Lufta për të uzurpuar hapësirën politike në fakt elektrizoi tej mase ambientin e fushatës“, thotë Karakamisheva.

Analistët kanë drojë se situata relativisht e qetë dhe pa incidente të mëdha gjatë fushatës parazgjedhore mund të përkeqësohet në ditën e zgjedhjeve. Prej sonte në mesnatë hyn në fuqi heshtja parazgjedhore, ndërsa votimi do të zhvillohet me 5 qershor.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Angjelina Verbica