1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Amel Grami rivlerëson rolin e "medieve të reja"

Amel Grami/Auron Dodi6 Korrik 2013

A kanë qenë mediet sociale ato, që i kanë shkaktuar revolucionet në botën arabe? Publicistja tuniziane, Amel Grami, është skeptike, madje paralajmëron për potencialin e medieve të reja.

https://p.dw.com/p/192uQ
Amel Grami, aktiviste për të drejtat e gruas në Tunizi
Amel GramiFotografi: DW/U. Schaeffer

Të ashtuquajturat "medie të reja" i japin invididit "empowerment", me fjalë të tjera fuqizim të vetes. Pra njeriu ka mundësi që me tekste të ndryshme, ide dhe me premisa të ndryshme, të cilat i mban të gatshme rrjeti i internetit, të kalojë në ndërveprim. Ai jo vetëm pret, merr, por edhe shpërndan dhe komunikon. Ai pra mund të bëjë atë, që bën në fakt një nënshtetase e një nënshtetas.

Prandaj disa flasin për një "demokratizim të mjeteve të komunikimit". Ato thonë se për qytetarët dhe qytetarët hapen perspektiva të pamata për të marrë pjesë në formësimin e një bote të re - në sajë të një revolucioni politik të iniciuar nga Mediet e Reja.

Në ballë të ndryshimeve?

Disa studime kanë arritur në përfundimin, se rinia arabe nuk do të kishte dalë në ballë të ndryshimeve politike, po të mos kish pasur në duar këta instrumentat e rinj tepër efektivë. Publicisti libanez, Nadim Mansouri, e përmbledh me pak fjalë: "Facebook-u ka fituar statusin e një kulti në botën arabe dhe është përhapur me një ritëm marramendës. Në sajë të mundësive të tij, përdoruesit i arritën synimet e tyre dhe i mobilizuan masat për të përmbysur regjimet shtypëse."

Për rolin e medieve të reja në krijimin e një ndërgjegjeje revolucionare, demokratike, ka megjithatë pikëpamje të ndryshme. Në anën tjetër të "entuziastëve të Facebook"-ut janë ata, që theksojnë rëndësinë e përvojave të mbledhura nga breza të tërë aktivistësh në luftën politike. Midis këtyre dy poleve është një spektër i gjerë mendimesh, i cili na bën që pas dy vitesh të kryengritjes arabe, të shtrojmë pyetjen: cili është roli, që kanë luajtur me të vërtetë Mediet e Reja në revolucionet arabe dhe në ç'masë kanë arritur ato me të vërtetë që të rrënjosim një ndërgjegje demokratike?

Një ndërgjegje e re

Një gjë është e qartë: vitet e fundit ne kemi një përhapje të dukshme të blogjeve politike, të forumeve të internetit, të programeve të satelitit dhe të faqeve të Facebookut. Ngarkimi i videove të youtube-it dhe shkëmbimi i mesazheve të shkurtra, i fotografive dhe i informacioneve përmes twitterit ka gjetur mbështetje që para shpërthimit të revolucionit.

Padyshim që kjo kontribuoi që shumë në mediet moderne të shohin aktorin kryesor në krijimin e një ndërgjegjeje politike. Një ndërgjegje, e cila ka etje për liri, dinjitet dhe drejtësi.

Të rinjtë kanë përfituar nga të ashtuquajturat medie digitale edhe të krijojnë rrjete solidariteti dhe mbështetjeje. Ata i shfrytëzojnë ato për të publikuar artikuj kritikë, për të komentuar ngjarjet më të fundit dhe për të koordinuar mënyrën e tyre të veprimit në rrugë. Me këtë ato rifitonin besimin në vete dhe sigurohen para së gjithash për aftësinë e tyre për të ndikuar realitetin, madje për ta ndryshuar atë.

Mbivlerësimi i Facebook-ut?

Por ka jo pak, që pohimin se revolucioni është në radhë të parë një meritë e medieve të komunikimit e quajnë të tepruar. Ndërgjegjia politike nuk krijohet nga sot nesër, pa mbajtur parasysh punën e brezave të tërë të aktivistëve, thonë ata. Kufizimi tek Mediet e Reja bën më tej që të mos vlerësohet si duhet roli i formave të tjera të angazhimit civil. Fakt është se shkaqet për revolucionin, në një vështrim më të afërt, rezultojnë shumë më heterogjene dhe komplekse. Po të vështrojmë krijimin e lëvizjes opozitare në Tunizi, mund të konstatojmë qartë se ndërgjegjia politike tek populli, nën përshtypjen e formave të shumëllojshme të aktiviteteve të aktivistëve të të drejtave të njeriut, është rritur. Edhe nëse regjimi i mëparshëm u përpoq t'i ndalojë këto premisa, në vazhdën e shumë viteve ato arritën të zhvillohen. Një shembull: kryengritjet para pesë vjetësh në rajonin e minierave në jug të Tunizisë, ku u vranë disa punëtorë, lanë në të gjithë vendin një përshtypje të thellë, megjithë shtypjen e tyre me dhunë dhe izolimin e rajonit nga pjesa tjetër e vendit.

Jo rol drejtues

Mjetet e komunikimit modern nuk kanë qenë thuajse fare të përhapura në këtë rajon të varfër. Por megjithatë, lajmi për ngjarjet u përhap. Ai nxori në rrugë shumë gra dhe burra të patrembur. Prandaj ne duhet ta rivlerësojmë rolin e medieve dhe t'u japim atyre njërin nga këto rangje. Ato janë vetëm një mjet prej shumë mjeteve të tjera, gjithsesi një mjet i fuqishëm: ato ia çorrën maskën para gjithë botës regjimit të Ben Ali-së.

Amel Grami është profesore për barazinë dhe studimet ndërkulturore në universitetin tunizian të Manouba-s.