1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Heldt: Jemi bashkëbisedues për Hotin dhe qeverinë e tij

4 Qershor 2020

Ambasadori gjerman në Kosovë Christian Heldt, tha se Gjermania do të jetë afër qeverisë së kryeministrit Avdullah Hoti, për të shërbyer si bashkëbiseduese në punën serioze të ekzekutivit dhe vendosjen e standardeve.

https://p.dw.com/p/3dFVn
Deutscher Botschafter im Kosovo Christian Heldt
Fotografi: DW/B. Shehu

Këtë deklaratë, ambasadori Heldt e bëri në twitter në ditën kur kryeministri i ri i Kosovës, Avduallh Hoti, e mori zyrtarisht detyrën në krye të ekzekutivit të vendit.

"Kosova ka qeveri të re, të votuar nga shumica e nevojshme prej 61 deputetëve. Qeveria e kaluar, me pjesëmarrje të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka vendosur standarde në qeverisje, transparencë, luftim të korrupsionit dhe nepotizmit. Këto janë standardet të cilat presim të fillohen”, shkroi ambasadori Heldt, duke theksuar faktin që "Kosova përballet me sfida të mëdha, që lidhen me pasojat e pandemisë Covid-19.

"Ne do të jemi aty si bashkëbisedues për Hotin dhe qeverinë e tij për punë serioze, në agjendën serioze: Dialog të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, pa korrupsion, sundim të ligjit, pa nepotizëm, qeverisje me vendosje të standardeve. Për Kosovën dhe njerëzit e saj”, shkroi ambasadori gjerman në Kosovë Christian Heldt.