1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Alumni-Deutschland në Maqedoni

6 Dhjetor 2011

Ambasada gjermane dhe shoqata maqedono-gjermane në Shkup kanë organizuar takimin tradicional të Alumni-Deutschland.

https://p.dw.com/p/13NcQ

Përmes bursave të financuara nga shteti gjerman një numër i konsiderueshëm i studentëve të diplomuar nga Maqedonia kanë rastin që të qëndrojnë për aftësim profesional në institucionet shtetërore të Gjermanisë, si dhe në sipërrmarje të njohura ndërkombëtare. Të gjitha përvojat e fituara gjatë qëndrimit në Gjermani janë të një rëndësie të veçantë për formimin profesional të studentëve të diplomuar, thotë Kornelija Utevska, ambasadore e Maqedonisë në Gjermani, ish bursiste e Bundestagut gjerman. Si bursistë kemi patur rastin të shohim, se si funksionon një sistem parlamentar i një shteti të zhvilluar dhe më stabil demokratik, siç është Gjermania. “Qëndrimi në Bundestag më mësoi se çfarë rëndësie ka pushteti ligjdhënës në një shtet. Përvojat e fituara atje unë i barta në vendin tim”, shprehet ambasadorja Kornelija Utevska.

Maqedonia dhe Gjermania realizojnë një sërë programesh me bursa

Kornelija Utevska-Gligorovska, ambasadore e Maqedonisë në Gjermani
Kornelija Utevska-Gligorovska, ambasadore e Maqedonisë në GjermaniFotografi: DW

Takimet e ish bursistëve janë një ngjarje e rëndësishme, sepse në këto takime shkëmbehen përvojat dhe jepen ide për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen, thotë Gudrun Shtajnaker, ambasadore e Gjermanisë në Maqedoni.

“Konkurenca për të fituar bursat e Gjermanisë në Maqedoni është e madhe. Nuk është e lehtë përzgjidhja e tyre, sepse kandidatët janë tejet të aftë. Ata pas qëndrimit në Gjermani përvojat e tyre i bartin në vendin e tyre”, thotë ambasadorja Shtajnaker.

Bashkëpunim me rezultate tejet pozitive

Për çdo vit nga Maqedonia të drejtën për bursë në Bundestagun gjerman e fitojnë tre studentë. Përfaqësuesi i Unionit të Odave ekonomike maqedono-gjermane Mihail Shmit ka folur për rolin pozitiv, që kanë sipërmarrjet në investimin në arsim.

“I inkurajojmë kompanitë, të cilat janë anëtare të Unionit të inkuadrojnë praktikantë-bursistë në sipërmarjet e tyre në Maqedoni, siç është praktikë edhe në Gjermani”, shprehet Mihail Shmit.

Rëndësia e bursave për karrierën pas kthimit në vendlindje

Studentë në universitetin e Shkupit
Studentë në universitetin e ShkupitFotografi: MIA

Shefki Aliti, anëtar i Odës ekonomike gjermano-maqedone, thotë se përvojat e fituara në Gjermani hapin shtigjet e suksesit gjatë punës në vendlindje.

“Ky është një manifestim shumë bukur i organizuar dhe është shumë i dobishëm për biznesin dhe për të rinjtë. Apeli im te të rinjtë, tek studentët shqiptarë është, që të ndjekin këtë politikë, ta ndjekin këtë fondacion që të kapen me studime në Gjermani.”

Muharem Ajdari, profesor i gjuhës gjermane, ka patur fatin që të jetë bursist i DAAD. Përvoja e fituar në Gjermani ka qënë domethënëse në karrierën e tij në Maqedoni.

“Është shumë e rëndësishme që studentët e ardhshëm, të rinjtë të mund të kyçen në këto programe, është shumë me rëndësi që të marin përvojat e ndryshme, konkretisht në Gjermani dhe ato t'i praktikojnë pastaj këtu tek ne”.

Gjatë një viti të funksionimit të portalit Alumni-Deutschland në Maqedoni janë të regjistruar 340 kandidatë dhe 9 sipërmarrje.

Autor: Fatos Musliu.

Redaktoi: Angjelina Verbica