1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

“Alarm nga azilkërkuesit e rremë”

Fatos Musliu4 Qershor 2013

Debatet në Parlamentin Evropian për suspendimin e përkohshëm të vizave për vendet, me numër të madh i azilkërkuesish të rremë kanë alarmuar institucionet e Maqedonisë.

https://p.dw.com/p/18jHf
Fotografi: Fotolia/chrisdorney

Në një situatë kur institucinet e BE-së po shqyrtojnë mundësinë për kthimin e regjimit të vizave për ato vende qytetarët e të cilave nuk respektojnë dhe keqpërdorin lëvizjen e lirë sipas marveshjes Shengen, ministria e Punëve të Brendëshme e Maqedonisë ka ndërmarë një varg masash në bashkëpunim me institucionet e tjera për parandalimin e dukurisë së azilkërkuesve të rrejshëm. Sipas zëdhënësit të Ministrisö së Brendshme Ivo Kotevski, këto masa kanë dhënë rezultate, sepse është shënuar rënie e ndjeshme e numrit të personave, që përmes formave të ndryshme kanë tentuar të keqpërdorin benefitet e regjimit të lirë të vizave.

“Trupi koordinativ deri tani ka ndërrmarë masa në drejtim të pengimit të të ashtuquajturve azilantë të rrejshëm, me të cilët jemi ballafaquar periudhën e fundit. Në kuadër të këtyre masave janë bërë ndryshime ligjore, me të cilat keqpërdoruesit e regjimit të lirë të vizave mund të akuzohen për vepër penale. Institucionet e Maqedonisë kryesisht janë të orientuara në dy drejtime, takime intensive me qytetarët për t'i njoftuar ata pör rregullat e regjimit të vizave, si dhe masa të shtuara në vendkalimet kufitare, ku besohet se ka lëvizje të tilla të migrimit të jashtëligjshëm”, shprehet Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.

Aktpadi penale për mashtruesit

Sipas tij që nga heqja e vizave deri më tani policia e Maqedonisë nuk ka lejuar kalimin e mbi 9 mijë udhëtarëve në vendkalimet kufitare, sepse ata kanë qenë të dyshuar se si destinacion të fundit kanë njërin nga vendet anëtare të BE-së. Pas bisedave të zhvilluara me qytetarët, që janë penguar të kalojnë kufirin, është ardhur në konstatim se qëllimi i tyre ka qenë aplikimi për azil në shtetin përkatës të BE-së. Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka bërë kontrolle rigoroze në 120 agjenci turistike dhe 38 ndërrmarje transportuese, me qëllim parandalimin e shkuarjes së azilkërkuesve të rrejshëm nga Maqedonia në vendet e BE-së

“Ndaj 22 personave për shkak të dyshimeve se kanë organizuar grupe të azilkërkuesve të rrejshëm janë shqiptuar sanksione të ndryshme. Disa prej tyre po ndiqen edhe penalisht”, thotë Kotevski.

Zyberi: Faji është tek ne

Për analistin Naser Zyberi institucionet e vendit nuk kanë reaguar me seriozitet në mesazhet, që vinin nga vendet e BE-së për numrin e madh të azilkërkuesve nga Maqedonia. Masat, që ndërmerreshin nga Maqedonia nuk jepnin rezultate, apo nuk ishin aq bindëse për t'i detyruar qytetarët të mos marrin rrugën drejt vendeve të BE-së. Kontrolli më i rreptë i vendkalimeve kufitare dhe grupeve të personave, që organizojnë transportin e azilkërkuesve të rrejshëm do të mund ta ulte numrin e azilkërkuesve, por jo edhe ta çrrënjosë atë.

“Një ndër masat e nevojshme për zvogëlimin e numrit të azilkërkuesve do të ishte krijimi i një standardi më të mirë për jetesë për ato grupe të qytetarëve, që janë të rrezikuar në aspektin social. Investimi në rajonet më pak të zhvilluara dhe hapja e vendeve të reja të punës, do të ishte një prej mekanizmave më të sigurtë për të parandaluar, që qytetarët e Maqedonisë të kërkojnë azil në vendet e BE-së” , thotë Zyberi.

Ministria e Brendshme në Shkup
Ministria e Brendshme në ShkupFotografi: Petar Stojanovski

Reagim jo i mjaftueshëm i institucioneve

Faji për rikthimin e mundshëm të vizave për qytetarët e Maqedonisë duhet kërkuar tek institucionet e vendit, thotë profesoresha universitare Sonja Stojadinoviq.

“ Ka pasur raste, kur familje të tëra me bagazh të shumtë kanë udhëtuar në ndonjë vend të BE-së dhe me siguri ata nuk kanë shkuar atje për vizitë apo në ndonjë udhëtim zyrtar. Thjesht ata kanë kaluar kufirin pa pengesa nga ana e institucioneve”, shprehet Stojadinoviq. Sipas saj institucionet në Maqedoni duhet shumë më tepër të angazhohen në promovimin dhe njëkohësisht në edukimin e qytetarëve, se çfarë do të thotë qarkullim i lirë i njerëzve sipas marrëveshjes së Shengenit. Çdo qytetar i Maqedonisë duhet ta ketë të qartë se statusi i azilantit ekonomik në BE nuk ekziston, shprehet Stojadinoviq.

Prosperiteti ekonomik do të parandalojë azilkërkimin

Eksperti për çështje ndërkombëtare Nazmi Maliqi thotë, se me sanksione dhe dënime nuk mund të sfidohet dukuria e azilkëruesve të rrejshëm. Krijimi i mirëqenies ekonomike, krijimi i kushteve minimale për jetesë, si dhe eleminimi i dallimeve sociale në rajone të caktuara të vendit, do të ishin masat më efektive në parandalimin e azilkërkuesve të rrejshëm.

Varfëria bën që shumë qytetarë të largohen
Varfëria bën që shumë qytetarë të largohenFotografi: DW / Anila Shuka

“Qeveria është fajtorja kryesore, ajo nuk ka mbajtur llogari për mirëqenien e qytetarëve në viset më pak të zhvilluara të vendit. Varfëria ka ndikuar që shumë qytetarë të marrin rrugën për të kërkuar shpëtim nga skamja në shtetet e BE-së”, thotë Maliqi.

Bojan Mariqiq, nga Qendra Maqedonase për Arsim Evropian, është optimist se qytetarët e Maqedonisë nuk do ta humbasin benefitin nga lëvizja e lirë, që e mundëson marrëveshja e Shengenit. Masat, që po ndërrmer Maqedonia, kanë ndikuar dukshëm që në 12 muajt e fundit të ulet numri i azilkërkuesve të rrejshëm nga vendi ynë.

“Unë sinqerisht nuk besoj se kjo do të ndodhë. Maqedonia është një vend shumë i vogël dhe qytetarët e saj nuk mund të bëjnë ndonjë disbalanc në demografinë e vendeve të BE-së. Në fillim numri i azilkërkuesve nga Maqedonia ishte i madh, andaj edhe vendi ynë u gjet në listën “e zezë”. Situata ka ndryshuar dhe besoj se gabimet e të kaluarës nuk do të përsëriten në të ardhmen”, shprehet Mariqiq.

Qeveria ka paralajmöruar realizimin e një sërë projekteve në viset nga vjen numri më i madh i azilkërkuesve të rrejshëm për t'u mundësuar atyre vende të reja pune dhe përmirësimin e kushteve për një jetë normale.