1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Akuza nga Greqia në drejtim të Gjermanisë për ryshfete

Janis Papadimitriou / Eliana Xhani1 Janar 2014

Ish-shefi i blerjeve në Ministrinë greke të Mbrojtjes Antonis Kantas ka pranuar se ka marrë ryshfete në shumë milionëshe. Para duket se kanë ardhur edhe nga Gjermania.

https://p.dw.com/p/1Ajzr
Symbolbild Korruption
Fotografi: Gina Sanders/Fotolia

Kantas u arrestua që në mes të dhjetorit pasi autoritetet patën zbuluar mbi 13 milionë euro në llogaritë e tij të fshehta bankare. Pak para Krishtlindjeve ish-oficeri i marinës dha një dëshmi të gjerë, e cila ditët në vijim doli në shtypin grek. Sipas saj 72 vjeçari deklaroi se që prej fundit të viteve ´80 kishte marrë gjithsej 15 milionë euro ryshfete në këmbim të bizneseve miliardëshe me armë.

Me sa duket paratë e ryshfeteve kanë ardhur nga Franca, Rusia, Suedia, Izraeli, SHBA dhe në shumë raste edhe nga Gjermania: ndër të tjera sipas Kantas bëhej fjalë për livrimin e 170 tankeve të tipit Leopard 2 të Krauss-Maffei Wegmann (KMW), si dhe për modernizimin e nëndetëseve greke nga sipërmarrjet gjermane të armatimit Rheinmetall dhe Atlas.

Vetëm për biznesin me Leopard 2, Kantas ka "fituar" 1,7 milionë euro. Në këtë rast si njeriu i tretë më i rëndësishëm në ministri ai pati shprehur rezerva të qarta lidhur me marrëveshjen, të cilat më pas u zhdukën në mënyrë çuditërisht bindëse gjatë një vizite të përfaqësuesit grek të KMW-së në zyrën e tij, në fund të 2001: negociuesi kishte pasur me vete një çantë udhëtimi, të cilën e kishte lënë atje pasi ishte larguar nga zyra e Kantas. "Harrove çantën", i thirri Kantas nga pas sipas informacioneve të veta. "Nuk e kam harruar, ajo është për ty", është përgjigjur përfaqësuesi i KMW. Në çantë duhet të kenë qenë 600.000 euro.

Griechenland Prozess gegen den Ex-Verteidigungsminister Tsochatzopoulos
Procesi kundër ish-ministrit grek të Mbrojtjes Akis XohaxopulosFotografi: imago stock&people

Ish-ministri i mbrojtjes i dënuar me 20 vjet burg

Pretendimet e Kantas deri tani nuk janë konfirmuar zyrtarisht dhe mohohen me forcë nga KMW. Por akuzat për ryshfete nuk erdhën krejt papritur për opinionin grek: në tetor 2013 u dënua me 20 vjet burg ish-ministri i Mbrojtjes dhe eprori i Kantas, Akis Xohaxopulos për pastrim parashë dhe pranim ryshfeti. Një gjykatë në Athinë pranoi provat sipas të cilave ish-ministri kishte marrë gjithsej 55 milionë euro ryshfete për blerjen e armëve nga Gjermania dhe Rusia.

"Dënimi i Xohaxopulosit ishte katalizatori i nevojshëm për luftën kundër korrupsionit; ai solli hapa të tjerë juridikë", thotë për Deutsche Welle, Thanasis Mavridis, analist ekonomik dhe drejtor i portalit ekonomik Capital.gr. Kantas tani do të tregojë pendim me vepra do të bashkëpunojë me autoritetet duke dhënë emra të të dyshuarve, pasi kështu mund të shpresojë për një dënim të butë, shpjegon Mavridis.

Qoftë për Xohaxopulos, qoftë për Kantas është shumë e rëndësishme të konstatohet se veprimet e tyre të paligjshme nuk ishin aspak një fenomen i izoluar. Ish-shefi i blerjeve në Ministrinë e Mbrojtjes e formuloi kështu: "Kur kam marrë unë ryshfete, atëherë me siguri kanë marrë edhe njerëz në poste më të larta se unë."

Kjo deklaratë e tij është qartë një goditje ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Xohaxopulos dhe ish-sekretarit të përgjitshëm në Ministrinë e Mbrojtjes Jannis Sbokos, gjithashtu i dënuar nga drejtësia. Sipas informacioneve në medien greke Kantas me dëshminë e tij rëndon fort edhe ministrin e mëvonshëm të Mbrojtjen Jannos Papantoniu.

Deutschland Bundeswehr Kampfpanzer Leopard-2A5
Tanket gjermane Leopard 2Fotografi: picture-alliance/dpa

Korrupsion me sistem në sektorin e armatimeve

"Është një sekret i ditur nga të gjithë që bizneset e armatimit janë të ndjeshme ndaj korrupsionit", thotë Thanasis Mavridis. Në Greqi shumë oficerë menjëherë pas daljes në pension u vunë në shërbim të koncerneve të armatimit me fuqi paguese dhe punojnë si përfaqësuesit e tyre tregtarë jashtë vendit, megjithëse si rregull e kanë të ndaluar ta bëjnë këtë për një periudhë kalimtare prej rreth pesë vjetësh pas përfundimit të shërbimit, kritikon analisti ekonomik.

Skandali i ryshfeteve është kthyer tani në një çështje politike. Që në fillim të dhjetorit opozita e majtë kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për livrimin e nëndetëseve gjermane në Greqi, por pa sukses. Pas një dëshmie të plotë të Kantas opozita sheh një shans të ri: "Kur një nëpunës i thjeshtë i shtetit si Kantas ka përfituar 15 milionë euro ryshfete, atëherë do të doja të dija se sa kanë marrë njerëzit vërtet të rëndësishëm", deklaroi në Parlamentin grek kryetari i grupit parlamentar të partisë së majtë Dimitris Papadimulis

Edhe vetë analisti liberal i ekonomisë Jorgos Kyrtsos e konsideron të drejtë kritikën e opozitës së majtë: "mund të mendosh çfarë të duash për partinë e majtë por në këtë rast ajo ka të drejtë: skandali i nëndetëseve duhet të hetohet me hollësi", tërheq vëmendjen ekonomisti në intervistë me stacionin e lajmeve Skai. Nëse pretendimet e Kantas rezultojnë të vërteta atëherë ka të drejtë ish-ministri Xohaxopulos që ka deklaruar se i gjithë sistemi të fton për korrupsion, thotë analisti i ekonomisë.

Prokuroria në Athinë do të hetojë ndaj të dyshuarve të tjerë. Sipas medieve greke një ish-përfaqësues tregtar i koncernit gjerman të armatimeve KMW është arrestuar tashmë dhe do të dalë para gjykatësit të premten (3.1.2014). Kantas pretendon se njeriu i KMW i ka paguar atij 750.000 euro ryshfete.