Aktivisti i të drejtave të njeriut Hu Jia nderohet me çmimin e Parlamentit Europian për lirinë e mendimit 'Saharov'
24 Tetor 2008Në vështrim të parë Hu Jia nuk duket si luftëtar i ashpër për të drejtat e njeriut. 35-vjeçari është i vogël dhe i dobët dhe flet saktë dhe me strukturë si një profesor filozofie. Ai flet për mediat e huaja dhe dënon gjendjen e të drejtave të njeriut në Kinë. Angazhohet për të tjerë njerez të burgosur, anagazhohet për të sëmurët me SIDE dhe proteston me zë për mbrojtjen e mjedisit. Autoritetet kineze e kanë halë në sy.
Që prej vitit 2006 Hu Jia është jozyrtarisht në arrest shtëpie. Por ai kritikon edhe më tej. Të drejtat e njeriut nuk janë respektuar në prag të lojërave olimpike. Shërbimi mjekësor i të sëmurëve me SIDE në fshatra është i pamjaftueshëm.
Në nëntorin e kaluar ai mori pjesë përmes një webcam në një konsultim të Parlamentit Evropian për të drejtat e njeriut në Kinë. Pak pas kësaj u arrestua. Në një nga intervistat e tij të fundit ai kritikoi në dhjetor të 2007 në DW-RADIO mungesën e kujdesit për të sëmurët me SIDE:
„Unë mund të them me siguri, se diskriminimi i të sëmurëve me SIDE në Kinë është më i madhi në botë. Kjo ka të bëjë me atë, që qeveria kineze reagoi me kënaqësi të madhe, kur në botën perëndimore u bë i njohur virusi HIV në mesin e viteve 80-të. Aparati gjigand i propagandës e cilësoi sëmundjen rezultat të mënyrës së degraduar kapitaliste të jetesës. Drogat, homoseksualiti dhe prostitucioni janë qenë shkaqet e kesaj semundjeje. Ky mesazh i përçon opinionit kinez përshtypjen se të gjithë të sëmurët me SIDE janë vetë fajtorë. Ata janë të gjithë të ndyrë."
Të drejtat e njeriut janë universale
Hu u arrestua më 28.12.2007, mes krishtlindjeve dhe vitit të ri. Bota e mori vesh këtë në fillim të vitit 2008. Ai u akuzua për gjashtë artikuj kritikë ndaj regjimit botuar në internet dhe për dy intervista për shtypin e huaj. Supozohet se arrestimi ka lidhje me paraqitjen në video në Parlamentin Evropian. Kryetari i parlamentit Hans Gert Pëttering u indinjua, kur mori vesh lajmin, se Hu është dënuar me tre vjet e gjysmë burgim.
„Në qoftë se Hu Jia ka kontaktuar me internet me Parlamentin Evropian, kjo është diçka që u përgjigjet standardeve ndërkombëtare. Duhet të kemi shkëmbime në nivel ndërkombëtar. Mundësia teknike ekziston sot, prandaj edhe duhet shfrytëzuar. Por për këtë arsye nuk duhet dënuar askush. Të drejtat e njeriut vlejnë kudo në botë - edhe në Kinë."
Por Kina e konsideron Hu Jia- në kriminel. Aktivisti më i njohur i të drejtave të njeriut në Kinë ka qenë edhe këtë vit kandidat për çmimin Nobel për paqen. Nderimi është për të dhe familjen e tij një ngushëllim, thotë Teng Biao, një i besuar i Hu-së dhe jurist në Pekin:
„Por ende është vështirë të thuash, nëse nderimi i shërben në këtë moment. Megjithatë nderimi i Hu-së është një stimul i madh për aktivistët për të drejtat e njeriut në Kinë."
Edhe kancelarja Angela Merkel e përshendeti dhënien e çmimit Saharov Hu Jia-s. Qeveria gjermane do të vazhdojë të angazhohet për lirimin e aktivistit për të drejtat e njeriut.
Çmimi Saharov
Çmimi që shoqërohet me 50.000 euro mban emrin e ish-disidentit sovjetik dhe laureatit të çmimit nobel, Andrej Saharov. Ai u jepet çdo vit personave, të cilët angazhohen për të drejtat e njeriut dhe demokracinë.