1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Akademia e DW: 50 vjet angazhim për të drejtat e njeriut

Richard Fuchs12 Nëntor 2015

Njerëzit kanë nevojë liri informacioni, që të kenë mundësi të thonë fjalën e tyre dhe të bashkëvendosin. Angazhimi i Akademisë së DW dhe kontributi i saj për mediet e lira në botë u vlerësuan në jubileun e 50 vjetorit.

https://p.dw.com/p/1H4j7
50 Jahre DW Akademie Preisverleihung
Fotografi: Reiner Freese

Gjashtë në shtatë vetë në mbarë botën nuk kanë akses në informacion. Mediet e lira kontribuojnë, që shoqëritë të lejojnë dialogun e hapur dhe që gjithkush të dëgjohet. "Puna e Akademisë së Deutsche Welle-s ndihmon miliona njerëz për këtë të drejtë themelore humane. Ajo mbështet ata, që nuk kanë një platformë", kështu e vlerësoi ministri i Zhvillimit Gerd Müller kontributin prej disa dekadash të Deutsche Welle-s (DW) veçanërisht edhe përmes Akademisë së DW. "ju jeni partneri ynë dhe ne jemi krenarë për këtë", shtoi ministri.

Në 50 vjetorin e themelimit Akademia e DW ftoi në një cerremoni festive në Berlin 160 përfaqësues nga politika dhe shoqëria civile. Edhe partnerë ndërkombëtarë dhe ambasadorë ishin të pranishëm në selinë federale të shtypit, Bundespressekonferenz, të dekoruar në mënyrë festive.

50 Jahre DW Akademie, Bundesentwicklungsminister Gerd Müller
Gerd Müller, ministri i ZhvillimitFotografi: Reiner Freese

Angazhim dhe bindje

Christian Gramsch, drejtor i Akademisë së DW, e hapi mbrëmjen me një fjalë falenderimi adresuar partnerëve dhe pjesëmarrësve në 50 vjet mbështetje për zhvillimin e medias: "kjo mbrëmje ju dedikohet juve", tha Gramsch duke u përshëndetur me duartrokitje frenetike. Ndër angazhimet e Akademisë së DW-së bëjnë pjesë nisma për gruan, me synim që asaj t'i sigurohet e drejta të thotë fjalën e saj dhe të dëgjohet. Bëjnë pjesë gazetarët, që në mbarë botën luftojnë kundër censurës, duke kërkuar me guxim të vërtetën. E bëjnë pjesë gjithashtu edhe radiot civile, që përmes dialogut të hapur thyjnë tabutë shoqërore.

50 Jahre DW Akademie, Christian Gramsch
Christian GramschFotografi: Reiner Freese

Edhe të ftuar nga bota e jashtme kishin ardhur në ceremoninë festive në Berlin, ndër ta edhe U Thiha Saw, drejtor ekzekutiv i Journalism Institute në Mijanmar (MJI). Ai foli për kthesën e mediave në vendin e tij dhe se çfarë do të thotë, pas censurës prej disa dekadash për herë të parë të mund të themelosh një këshill të lirë për median, i cili mbikqyr standardet etike në raportim. Ai vuri në dukje, se tani për herë të parë edhe pjestarët e minoriteteve mund të krijojnë mediat e tyre. "Para zgjedhjeve të fundit ne së basahku mundëm të kualifikojmë rreth 400 gazetarë për raportimin mbi zgjedhjet", tha U Thiha Saw.

Për trazira dhe kriza, që i venë në pozitë të vështirë punonjësit e mediave, folën ekspertë të medias nga Egjipti dhe Ukraina. Gazetarja e re Basma El-Oufy nënvizoi se sa shumë gazetarë egjiptianë pavarësisht censurës angazhohen për informacionin e lirë. "Ne përpiqemi që hapësirën e verpimit që kemi, ta zgjerojmë në maksimum." Oleksandr Kharebin, nëndrejtor i përgjithshëm i radios shtetërore në Ukrainë (National Television Company of Ukraine/NTU), njoftoi, se si bashkë me Akademinë e DW-së po punohet për ristrukturimin e këtij stacioni në një media publike. "Ne jemi krenarë për atë që kemi arritur."

Novacion nga Afrika

Nuk mungoi as një vështrim tek revolucioni i medias në Afrikë. Sepse pikërisht në këtë kontinent është në bum skena e medias digjitale dhe sipërmarrjet Startup. Në qendra novacioni ekspertët e rinj krijojnë aplikacione Apps, që janë të programuara për nevojat specifike rajonale: kioska solare për karikimin e baterive të telefonëve mobilë, ose Apps për transferimet me kartë krediti mes operatorëve të ndryshëm telefonikë. "Më shumë se gjysma e popullsisë afrikane është nën 24 vjeç dhe Afrika e Subsaharasë ka përhapjen më të madhe të telefonëve mobilë në mbarë botën. Shanset për novacion dhe zhvillim janë të pafundme!", tha Claudette Irere, drejtore ekzekutive e kLab (knowledge Lab) në fjalën e saj mjaft pasionante të hapjes. kLab është një qendër novacioni për sipërmarrjet Start-Up në Ruandë.

#Edhe ministri i zhvillimit Müller theksoi potencialin afrikan për novacione për zhvillim mbarëbotëror. "Për shumë njerëz pikërisht në Afrikë interneti është porta drejt botës dhe mundësi për të drejtën e fjalës." Ndaj është e rëndësishme të shfrytëzohen mundësitë e kthesës digjitale - e në këtë kontekst të vazhdojë mbështetja për krijimin e një raporti të drejtë ndaj medias si dhe për zhvillimin e medias së pavarur. Kjo jo vetëm krijon mirëkuptim - por madje edhe mund të parandalojë krizat, theksoi Müller: "Ndaj ne duam të angazhohemi fort për të të drejtat digjitale të njeriut", premtoi ministri.

Mirëkuptim dhe tolerancë

"Ne, Deutsche Welle dhe Akademia e DW, jemi së bashku pasqyra e Gjermanisë kozmopolite." Me këto fjalë drejtori i përgjithshëm i DW-së Peter Limbourg shprehu mirënjohjen e tij për angazhimin e punonjësve të Akademisë së DW-së, e po ashtu edhe për partnerët dhe mbështetësit e projekteve të saj. Të gjithë së bashku, theksoi Limburg, japin një kontribut të domosdoshëm për lirinë e informacionit dhe të medias.