1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lindja e dështuar e një agjencie evropiane

17 Prill 2012

Veçanërisht të shqetësuar prej përpjekjeve në Evropë për të ndërtuar një agjenci të vetën nuk ishin kurrë gjigantët amerikanë të vlerësimit. Tani ata mund të mund të qetësohen. Agjencia po kthehet në lindje të dështuar.

https://p.dw.com/p/14eoM
Fotografi: dapd

Ideja ishte aq joshëse, nisja në udhë e një agjencie evropiane vlerësimi, që më në fund do të sfidonte Standard&Poor's, Fitch dhe Moody's dhe do të thyente oligopolin e tyre. Së bashku ata zotërojnë rreth 95 për qind të biznesit të vlerësimit.

Për disa tri sipërmarrjet janë mishërimi i së keqes dora vetë. Ato bëhen bashkëpërgjegjëse për shpërthimin e krizës financiare, pasi dhanë nota maksimale për hipotekat e pasurive të patundshme, të cilat rezultuan më vonë të ishin letra pa vlerë dhe i rrënuan bankat në mbarë botën.

Mbetet me sa duket vetëm një ide: Agjencia evropiane e vlerësimit
Mbetet me sa duket vetëm një ide: Agjencia evropiane e vlerësimitFotografi: picture-alliance/dpa

Keqbërës apo vetëm përcjellës i lajmit të keq?

Në krizën e euros Fitch-i e kompani janë kthyer në figura të urryera në Evropë. Ato ulën njëri pas tjetrit kredibilitetin e shteteve të euros dhe këtë e bënë gati gjithnjë mu në momentin kur politika pandehte se me menaxhimin e vet të krizës kishte sjellë më në fund qetësi në tregjet financiare. Në shumicën e rasteve vendet e zhvlerësuara duhet të paguajnë më shumë për obligacione të reja dhe kësisoj shihen në mënyrë më kritike nga investuesit.

"Agjencitë e klasifikimit të riskut kanë efektin e përshpejtuesve të zjarrit", thotë Rudolf Hickel nga Universiteti i Bremenit, njëri prej kritikuesve më të ashpër të agjencive të vlerësimit këtu në Gjermani, në një intervistë më të hershme me DW-në. Madje politikanët nuhasin një përbetim kundër monedhës së përbashkët evropiane. Në këtë thriller Standard&Poor's luan simahorin e industrisë financiare amerikane.

Ideja ishte bindëse

Nuk është çudi atëherë që Markus Krall, partner i firmës konsulente Roland Berger, u dëgjua verën e kaluar nga politika kur foli për idenë e një agjencie evropiane vlerësimi. Ai tha se ajo duhet të ishte e pavarur, edhe prej politikës. Për këtë arsye Krall e refuzoi qysh prej fillimit një financim prej shtetit. Paratë duhet të vijnë nga dega financiare, tha ai.

Me 300 milionë euro kapital planifikohej të niste agjencia tremujorin e dytë të këtij viti dhe nga 2013-a do të bënte vlerësimet e para. Kur të ketë nisur njëherë puna, atëherë klientët që paguajnë nuk do të jenë më firmat e shqyrtuara, po investuesit, të cilët i tërheqin vlerësimet. Në këtë mënyrë synohet të zgjidhet konflikti i interesave.

Mbështetje nga drejtimi i gabuar?

Derisa Krall u përpoq të mblidhte kapitalin e fillimit, BE-ja rendi ta ndihmonte. Në vjeshtë të vitit të kaluar komisari për tregun e brendshëm Michel Barnier paralajmëroi një reformë të degës së vlerësimeve. Një model me rotacion synon t'i detyrojë sipërmarrjet që këto të mos kërkojnë të vlerësohen vetëm prej tri agjencive amerikane. Kundër kësaj reforme lufton me thonj e me dhëmbë industria gjermane, sepse është ajo që ankohet prej vitesh se Moody's e kompani veprojnë në masë të tepruar sipas pikëpamjeve të SHBA-së. Edhe Mikëqyrja Financiare Evropiane ESMA dhe Banka Qendrore Evropiane i refzojnë planet e Barniersë.

Dyshime parimore ndaj një agjencie vlerësimi evropiane shprehin edhe ekonomistë, të cilët përndryshe nuk e kursejnë kritikën ndaj firmave amerikane të vlerësimit. Për shembull, Thomas Straubhaar, drejtor i Institutit të Ekonomisë Botërore në Hamburg HWWI, tha në një intervistë të mëparshme me DW-në: Gjendjen e e Greqisë nuk do të mund ta vlerësonte ndryshe as një agjenci vlerësimi evropiane. Axel Weber, ish-guvernator i Bankës Federale Gjermane, tha në një veprimtari në Universitetin e Këlnit në fillim të vitit, se nuk besonte që një agjenci e tillë sjell ndonjë përfitim. Sipas tij krizën në Evropë nuk e kanë shkaktuar agjencitë amerikane të vlerësimit. Ka dështuar politika, tha Weber.

Turpërim për politikën

Po t'i besosh një raporti të "Financial Times Deutschland", tani ëndrra për një agjenci evropiane klasifikimi mori fund. Sipas tij Markus Krall nuk ia ka dalë të grumbullojë 300 milionë eurot. Para së gjithash ideja e tij nuk u mbështet prej bankave të mëdha gjermane.

Dështimi i këtij projekti është baras me një turpërim për politikanët e Evropës, sepse ata favorizuan modelin e firmës këshilluese Roland Berger dhe nuk kanë gati një plan B. Mirëpo, nuk do të ishte hera e parë që politika mbetet e turpëruar.

Autor: Zhang Danhong / Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica