1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Afganas të dënuar dërgohen nga Gjermania në Afganistan

30 Gusht 2024

Një fluturim u nis nga një aeroport në Gjermaninë lindore për të deportuar persona në Afganistan. Ky është dëbimi i parë i afganëve që kur talebanët morën pushtetin në Kabul në vitin 2021.

https://p.dw.com/p/4k63F
Abschiebeflug nach Afghanistan (Archiv)
Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Një fluturim deportimi për në Afganistan është nisur nga aeroporti gjerman i Leipzig/Halle, njoftoi të premten Ministria e Brendshme e Saksonisë.

Ky është dëbimi i parë i afganëve në vendin e tyre të origjinës që kur talebanët morën pushtetin në Kabul në gusht 2021.

"Këta janë shtetas afganë, të gjithë të dënuar që nuk kishin të drejtë të qëndronin në Gjermani dhe ndaj të cilëve ishin marrë masa deportimi”, tha zëdhënësi i qeverisë Steffen Hebestreit në një deklaratë shtypi.

Një aeroplan çarter i Qatar Airways që transportonte 28 shkelës afganë nga shtete të ndryshme gjermane u nis nga Leipzigu, qyteti më i madh në landin lindor të Saksonisë, për në Kabul në orën 6:56 të mëngjesit (00456 GMT).

Muaj negociatash para dëbimit

Qeveria gjermane në një deklaratë falënderoi "partnerët kryesorë rajonalë" për mbështetjen e tyre. Ajo shtoi se janë planifikuar më shumë dëbime të tilla.

Sipas revistës gjermane të lajmeve Der Spiegel, dëbimi është rezultat i dy muajve negociata sekrete me Katarin, i cili vepron si ndërmjetës me Afganistanin.

Gjermania nuk ka marrëdhënie diplomatike me regjimin taleban në Afganistan. Negocimi i drejtpërdrejtë me talebanët, disa prej zyrtarëve të të cilëve janë subjekt i sanksioneve ndërkombëtare, shihet gjerësisht si problematik.

Debim ne Afganistan (arkiv)
Debim ne Afganistan (arkiv)Fotografi: picture alliance/dpa

Berlini kishte ndaluar dërgimin e njerëzve në Afganistan për shkak të shqetësimeve të të drejtave të njeriut pas ardhjes në pushtet të talebanëve në vitin 2021.

Përjashtim me afrimin e zgjedhjeve

Një debat politik mbi rregullat e azilit dhe dëbimit është hapur në Gjermani në prag të zgjedhjeve rajonale.

Turingia dhe Saksonia, dy shtete gjermane lindore ku partia kundër migrantëve AfD kryeson në sondazhe, mbajnë zgjedhjet të dielën.

Pas sulmit vdekjeprurës me thikë në Mannheim në fund të majit, kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi se dëbimi i kriminelëve më të rrezikshëm dhe të dyshuarve si terroristë në Afganistan dhe Siri do të jetë sërish i mundur.

Diskutimi u ndez pasi tre persona u vranë dhe tetë u plagosën në sulmin që ndodhi gjatë një festivali që shënonte 650 vjetorin e Solingen-it. I dyshuari është një azilkërkues sirian i refuzuar.

aud (dh/dpa, Reuters)