1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

• Afera në radhët e drejtuesve dhe të përfaqësuesve të sindikatës të koncernit gjerman Volkswagen • Takimi i G-8 • Prishjet monumenti përkujtimor për viktimat e murit të Berlinit

PP6 Korrik 2005
https://p.dw.com/p/Arup

Në lidhje me skandalin në radhët e koncernit VW në gazetën "Thüringer Allgemeine" që botohet në Erfurt lexojmë:

"Ndoshta kryesia e koncernit VW u ka paguar vërtet anëtarëve të përfaqësisë së punonjësve udhëtime të shtrenjta turistike të shoqëruara me përjetime erotike në Brazil, në mënyrë që këta të votonin pro masave të kursimit. Po ndoshta kjo mund të jetë bërë edhe për arsye të tjera. Gjithsesi skandali në fjalë diskretiton një prej modeleve që mbahej si shembull i ekonomisë gjermane, sipas të cilit nën drejtimin e qeverisë socialdemokrate të landit Niedersachsen, ishte arritur që në një prej koncerneve më të mëdha të Evropës, drejtuesit e koncernit të arrinin një konses me përfaqësuesit e një prej sindikatave më të fuqishme gjermane, atë të industrisë metalike. Këta të fundit ranë në ujdi që punonjësit të punojnë vetëm katër ditë në javë, por për këtë të marrin si garanci që nuk do t'u shkurtohen vendet e punës."

Ndërsa gazeta "Kölnische Rundschau" kritikon zëvendëskryetarin e partisë liberale FDP, Rainer Brüderle, i cili nisur prej aferës në radhët e koncernit VW kërkoi që të shfuqizohet ligji që u jep të drejtën e votës përfaqësisë së punonjësve në rastet e vendimeve që marrin ndërmarrjet. Citojmë:

"Ka vetëm disa ditë që janë bërë publike akuzat për korrupsion në radhët e manaxherëve dhe të përfaqësuesve të punonjësve në koncernin VW, ndërkohë që hetuesit kanë filluar dje nga puna, kur Brüderle lëshoi një konkluzion gjithëpërfshirës: Duket qartë që ky skandal ka të bëjë me sistemin e së drejtës së votës për sindikatat. Sipas tij ky skandal mund të shndërrohet në "arkivolin e modelit gjerman të së drejtës së bashkëvendosjes nga ana e përfaqësisë së punëtorëve". Sa i përket pjesës tjetër të aferës, e cila ka rëndësi për ndjekjen penale të kësaj çështjeje, pra ngritjen e një rrjeti të tërë firmash fantomë prej kryesisë dhe bosëve të mëparshëm të këtij koncerni, ai nuk thotë asnjë fjalë."

Në lidhje me takimin e G-8 gazeta "Dresdner Neuesten Nachrichten" shkruan:

Bob Geldof dhe të tjerët u ranë kitarave me shumë romantikë për të përmirësuar botën. Koncertet e tij live duket se kanë ndikuar ndaj tetë burrave më të fuqishëm të botës, të cilët në takimin e tyre do të diskutojnë për të gjetur zgjidhje edhe për dy tema: "Si mund të mënjanohen varfëria dhe uria në Afrikë?" dhe "Si mund të pengohet ngrohja e mëtejshme e klimës në botë?". Gjithësesi ndonjë sukses i madh në këtë pikë nuk pritet të arrihet. Protokolli i Kyotos është një dokument me të cilin mund të fillohej reduktimi i efektit të serës. Por SHBA-të dhe Kina e konsiderojnë atë si një sulm ndaj ekonomisë së tyre. Për këtë në lidhje me mbrojtjen e ambientit bota nuk do të vazhdojë të ecë në një linjë."

Gazeta "Stuttgarter Zeitung" e quan të nevojshme ngritjen e një monumenti përkujtimor për viktimat që gjetën vdekje në përpjekje për t'u arratisur nga ish-RDGj.

"Eshtë e nevojshme që në qendër të Berlinit të ketë një element përkujtimor të dukshëm, qoftë kjo tek Porta e Bradenburgut, qoftë tek Checkpoint Chalie. Kjo duhet të jetë më e qartë dhe të bjerë më tepër në sy se disa gurë kalldrëmi të vëna në asfalt aty ku dikur kalonte muri i Berlinit, apo se disa kryqe të bardhë të vendosura në anë të Rajshtagut për viktimat, historitë e të cilëve kanë mbetur të panjohura. Edhe pse ekziston shqetësimi se qendra e Berlinit do të shndërrohej në një vend përkujtimor, ky nuk është i përligjur, sepse kushdo që kalon në këtë vend, zhytet hap pas hapi në historinë gjermane. Përse pra duhet të heqim dorë prej idesë që edhe historia e re e Gjermanisë të pasqyrohet me të gjitha dhimbjet dhe përfundimin e saj fatlum në një mënyrë të tillë që të kuptohet prej sa më shumë njerëzve?