1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Adopto një artist, ndihmo artin

Ashifa Kassam /Amarildo Topi22 Qershor 2013

Kriza ekonomike ka pakësuar fondet për industrinë krijuese në Spanjë. Por tani në Madrid, një projekt i ri është duke inkurajuar të rinjtë të zhvillojnë talentin e tyre.

https://p.dw.com/p/18u81
Fotografi: DW/A. Kassam

Që pas vizitës në një studio arti në lagjen e saj në dhjetor të vitit 2012, Teresa Navajas është duke punuar me ide të reja për të mbështetur artistët bashkëkohorë në Madrid. Ajo që dikur ishte një hapsirë boshe në çatinë e një kishe në qytet, tashmë është kthyer në një studio arti.

"Hapsira ishte fantasttike. Ata ishin të mrekullueshëm", thotë 30 vjeçarja, sytë e së cilës shkëlqejnë kur flet për impresonet e para për Studio Beneficencia.

"Arti nuk shitet më si disa vite më parë. Galeritë e artit janë duke vuajtur gjithashtu. Ato kishin mbështetje nga shteti spanjoll, por tashmë shumë prej tyre nuk e kanë më këtë ndihmë. Shumë galeri janë mbyllur", thotë Jairo Alfonso, një nga artistët që punon për studio Beneficencia.

Rënia e interesit për blerjen e veprave të artit do të thotë që artistët e Studio Beneficencia nuk mund të punojnë me kohë të plotë. Ata detyrohen të bëjnë punë të thjeshta ose kurse, dhe në kohën e lirë të vrapojnë për në studio.

Spanien Jairo Alfonso im Studio Beneficencia in Madrid
Jairo Alfonso me një nga punët e tij në Studio BeneficenciaFotografi: DW/A. Kassam

"Unë do të bëj gjithçka për të fituar pak para. Unë punoj për aq sa mendoj se më mjaftojnë për nevojat e mia, më pas kohën tjetër ia kushtoj vetëm artit. Është e vetmja mënyrë për të vazhduar karrierën time", thotë Ugo Martinez Lazaro.

Shteti po braktis artin

Sipas Navajas kriza u ka hequr mundësitë shumë artistëve spanjollë. Ajo drejton gishtin nga qeveria spanjolle, dikur një mbeshtetëse e madhe artit. Fshatrat, bashkitë, qeveritë rajonale dhe administrata publike blinin vazhdimisht punime artistike për muzetë e tyre. Edhe fondacionet jepnin para për të mbështetur artistët e rinj me anë të trajnimeve të ndryshme.

Por zbatimi i masave të shkurtitmit të buxhetit ka shteruar të gjitha këto burime mbështetjeje për artin. Situata u përkeqësua më shumë në shtator të vitit 2012 kur qeveria, në përpjekje për të rritur të ardhurat, rriti taksat për shitjet e punimeve artistike nga 18 në 21 përqind. "Të blesh një pikturë spanjolle në Londër, të kushton më lirë se në Madrid", thotë Navajas. Për shkak të kësaj takse, sipas saj janë mbyllur shumë galeri arti në Madrid dhe gjithë vendin. Ato që kanë tentuar të mbijetojnë kanë marrë përsipër rrezikun të mbijetojnë me emrin e artistëve të rinj të panjohur. "Ka artistë shumë të mirë që shkojnë jashtë për të shitur punimet e tyre," shpjegon ajo.

Por në fund të fundit nuk është një lajm i keq thotë artisti i Studio Beneficencia, Pedro Lopez Zamora. Ai shikon artin si një përgjigje ndaj krizës. "Aktualisht vendi ynë është në krizë dhe personalisht mendoj se kjo ka një ndikim pozitiv tek artistët. Zhvillon një ambjent ku artistët janë në gjendie të marrin më shumë rreziqe përsipër", thotë ai.

Spanien Pedro López Zamora im Studio Beneficencia in Madrid
Artsiti spanjoll Pedro López ZamoraFotografi: DW/A. Kassam

"Adopto një artist"

Në Spanjë janë disa koleksionistë të mëdhenj arti të fokusuar në mbledhjen e artit klasik, çka do të thotë që artistët duhet të përqëndrohen aty. Prandaj Navajas filloi të mendonte si të krijonte një marrëdhënie më direkte mes artistëve dhe koleksionistëve.

"Koleksionistët rrallë herë takojnë artistët dhe shijojnë një eksperiencë reale. Prandaj mendova se nëse koleksionistët do të kishin një marrëdhënie direkte më artistët do të admironin më shumë punën e tyre", thotë ajo.

Këtu lindi edhe ideja "adopto një artist". Me një pagesë prej 50 eurosh në muaj, për një periudhë 6 mujore, Navajas ftoi miqtë dhe familjarët e saj të sponsorizonin artistët që punojnë në Studio Beneficencia. Paratë u jepen artistëve, në mënyrë që ata të mos shqetësohen për shpenzimet ditore, por të përqëndrohen tek punët artistike. Si falenderim çdo person që kontribuon në fund të gjashtë muajve merr një punim artisitik si dhuratë. Deri tani shumë pak njerëz janë regjistruar, por është një fillim i mirë.