1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

ADAC: tragete greke me mangësi për sigurinë

30 Korrik 2009

Ekuipazhet greke të trageteve janë të mbingarkuara ndonjëherë edhe në përballimin e masave më të thjeshta të sigurisë. Në këtë konkluzion arrin Klubi i Përgjithshëm gjerman i Automobilëve, ADAC, pas testimit.

https://p.dw.com/p/J0Np
ADAC logo, graphic element on white

Nga 14 anije greke të testuara, katër syresh, pra gati një e treta, nuk i përmbushin normat e sigurisë. Lista e mangësive të konstatuara është mjaft e gjatë: barka shpëtimi me defekt, pika zjarrfikësi dhe hidrantë zjarrfikësish të amortizuar, madje në një rast mungonin paretet e izolimit në kuvertë, që janë të detyrueshme. Zëdhënësja e ADAC-së në Mynih, Sabine Bähr në intervistë për programin në greqisht të DW-së lidhur me mangësitë e vërejtura thekson:

„Ka mungesa informacioni për pasagjerët, lidhur me normat e sigurisë dhe rrugët e shpëtimit, ka mungesa apo defekte në paretet izoluese në kuvertë, prej nga mund të depërtojë uji. Tjetër problem është, se janë në qarkullim shumë anije mbi 30 vjeçare, që nuk janë modernizuar me pajisjet e kohës. Edhe kjo është e rrezikshme."


Testi është kryer nga ekspertë të pavarur të lundrimit, në periudhën nga maji deri në fillim të qershorit. Një rezultat i tillë i testimit është mjaft i dëmshëm për shoqëritë greke të lundrimit, pikërisht tani në sezonin e verës, kur është piku i qarkullimit.


E pyetur se përse testi është kryer pikërisht në këtë periudhë, për DW-në zëdhënsja e ADCA-së, Bähr thotë:

"Natyrisht që kemi mirëkuptim që rezulatet negative nuk u pëlqejnë shoqërive përkatëse. Por nga ana jonë ky është një apel ndaj konsumatorëve, të cilët duhet ta dinë se çfarë i pret dhe si duhet të veprojnë kur është fjala për sigurinë e tyre. Nga ana tjetër, ne duam t' i ndërgjegjësojmë shoqëritë përgjegjëse të shohin se ku qëndrojnë problemet dhe çfarë duhet të bëjnë për përmirësimin e standardeve. Kjo është edhe arsyeja përse ne i realizojmë teste të tilla."

Nga tragetet e testuara´, njëri mori notën e përgjithshme "me shumë mangësi" dhe tre të tjerë "me mangësi", katër anije u vlerësuan me notën "mjaftueshëm". Pesë tragete dolën "mirë", por vetëm për një u dha nota "shumë mirë".

Testin e humbi trageti „Sardinia Vera“ e shoqërisë së lundrimit "Kallisti Ferries", që qarkullon mes Vathit dhe ishullit Samos. ADAC-ja é vlerëson si shqetësuese gjendjen teknike të anijes 34 vjeçare si dhe nivelin e vetëdijes së ekipazhit për sigurinë. Fituese e testit të ADAC-së është „Ionian King“, e shoqërisë së lundrimit "Agoudimos Lines", e cila qarkullon mes Patrës në Peloponez dhe Igumenicës.

Sipas zëdhënëses së ADAC-së, znj. Bähr arsyeja për të ndërmarrë këtë test...:

"...ka të bëjë me shtimin e ankesave dhe vërejtjeve të anëtarëve të klubit tonë lidhur me anijet greke. Nga testet e mëparshme ne e dinimin se ku qëndrojnë problemet."

Si pasojë e aksidenteve me anije, vitet e kaluara janë mbytur herë pas here shumë njerëz. Në Greqi ende është në kujtesë rasti i tragetit „Express Samina“, i cili në vitin 2000 me 534 pasagjerë në bord u përplas në një shkëmb dhe u fundos brenda pak minutash. Si rrjedhojë e humbën jetën 76 vetë. E pavarësisht rasteve të tilla, shoqëritë greke të lundrimit ende investojnë shumë pak për sigurinë e pasagjerëve të tyre.


Autor: DPA/DWGr/Vilma Filaj Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi