1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aborti mbetet temë tabu në Gjermani

Kathrin Erdmann11 Janar 2007

Shifra në rënie, por ende tejet të larta

https://p.dw.com/p/AsD8
Ky kundërshtar i abortit do të protestojë duke shpërndarë 40 milionë kukulla të tilla plastike
Ky kundërshtar i abortit do të protestojë duke shpërndarë 40 milionë kukulla të tilla plastikeFotografi: AP

Më shumë se 120.000 gra kanë kryer një ndërprerje të shtatzanisë në vitin 2005 në Gjermani. Për vitin e kaluar pritet një numër i ngjashëm, të dhënat e sakta do të përmbidhen pas disa javësh në statistika. Që prej 5 vjetësh numri i aborteve është nërënie, megjithëse disa njerëz i konsiderojnë shifrat ende tejet të larta. Por numrat e thatë tregojnë pak për arsyet dhe gjendjen në të cilën një grua vendos për të abortuar. Të dhënat dhe studimet për këtë temë shumë personale janë të rralla.

Për ta shprehur që në fillim me fjalët konçize dhe të thata të ligjit: Sipas nenit 218 të kodit penal gjerman aborti është parimisht i kundërligjshëm. Por aborti mbetet i padënueshëm në qoftë se kryhet brenda dy javëve që nga zënia. Këtu duhet patur parasysh: Për marrjen e vendimit gruaja shtatzanë duhet të shkojë jo vetëm tek mjeku por edhe në një qendër të pavarur këshillimi. E tillë është për shembull organizata Pro Familia. Cornelia Kardell punon në qendrën e këshillimit të Pro Familia-s në Hamburg.


“Ligji parashikon tri ditë kohë për tu menduar pas këshillimit, kështu që aborti mund të kryhet më e herëta në ditën e katërt pas këshillimit.“

Përjashtime nga ky rregull lejohen vetëm në rast të një arsyeje për ndërprerjen e shtatzanisë. Kjo do të thotë që kur vazhdimi i shtatzanisë do të kishte pasoja shpirtërore apo fizike apo kur fëmija do të lindte si pasojë e një vepre penale, si për shembull përdhunimi.

Në tri ditët pas këshillimit, afat që duhet respektuar në përgjithësi, gratë kanë mundësi që të mendohen edhe një herë për vendimin e tyre. Arsyet për abort janë shumë të ndryshme, thotë Cornelia Kardell:

“Për të rejat është në radhë të parë vendimtare mosha. Duan të përfundojnë fillimisht kualifikimin profesional, kjo është shpesh një arsye. Një tjetër arsye është se ato mendojnë që: Në qoftë se bëj fëmijë atëherë në një lidhje të vazhdueshme me partnerin, jo me dikë të cilin nuk e njohin mirë apo me të cilin nuk ekziston një lidhje e tillë ose apo ka përfunduar. Ose edhe kur partneri e thotë qartë se nuk është i gatshëm që e mbështet një vendim të tillë për shtatzaninë.“

Dhe natyrisht që shpesh kanë rëndësi arsyet financiare. Të gjitha këto arsye i duken të njohura Margitta Fiedler-it. Ajo abortoi për të parën herë tetë vjet më parë.:

„Në atë kohë studioja dhe për tu financuar edhe punoja. Gjendja nuk e lejonte që të ndërprisja studimet. Të vazhdja dhe të merrja përsipër edhe përgjegjësinëpër fëmijën, kjo për mua as që vihej në diskutim atëherë. Kjo ishte krejtësisht e pamundur.“

Shoku i saj i atëhershëm studionte dhe ata kishin një lidhje jo shumë të ngushtë. Edhe për të nuk shtrohej për diskutim pasja e një fëmije. Margitta shkoi në Bremen dhe adoptoi në mënyrë ambulante. „Pas tri orësh dola“, thotë ajo. Si mendonte ajo atëherë?

„Nuk e përfytyrova asnjëherë që ishte një fëmijë. Mua atje mu tha se mund të dallohej që ishte një fëmijë. Atje u përballa për herë të parë me këtë fakt, sepse deri atëherë kjo kishte qenë për mua vetëm një shtatzani.“

Vendimi i saj ishte thjesht racional. Sot ajo mendon ende se vendimi i atëhershëm ishte i duhuri:

„Nuk mendoj se u solla në mënyrë të papërgjegjshme, jo. Besoj se ajo që bëra ishte vetëmbrojtje. U mendova mirë nëse mund ta rrisja fëmijën, nëse mund ta merrja apo jo përsipër përgjegjësinë. Me të dalë nga spitali çështja për mua përfundoi.“

Aborti i dytë u krye disa vite më vonë. Ajo kishte mbetur shtatzanë si pasojë e një përdhunimi.

35 vjeçarja është sot dizajnere mode dhe ka folur gjithmonë hapur për dy abortet e saj, nuk është dënuar ndonjëherë për to:

„Shumë shokë të mitë e dinin këtë fakt. Ata kanë pasur mirëkuptim të plotë. Asnjëri nuk më ka parë me çudi. Nuk kishte gjë që s’shkonte.“

Sipas ligjit këshilluese si Cornelia Kardell e organizatës Pro Familia duhet të ndërmjetësojnë. Megjithatë Kardell thotë:

„Unë nuk i këshilloj as pro e as kundër abortit. Çështja është të përcjellësh informacionet e nevojshme. Pra kur një grua vjen dhe thotë: Sapo kam filluar një punë të re, nuk mund ta vazhdoj shtatzaninë – atëherë unë i them: Koha e provës përfundon në atë çast ku ju mbeteni shtatzanë dhe nga atëherë ju nuk mund të pushoheni nga puna.“

Në të mirë të të drejtave të grave këshillueses do t’i dukej me vend sikur të mos kishte detyrim për të shkuar në këshillim dhe gratë të mund të vendosnin vetë nëse duan apo nuk duan të këshillohen. Por ajo e di nga përvoja që shumë grave u bën mirë këshillimi:

"Ajo që më pëlqen është se edhe ato gra që në fakt vijnë vetëm sa për të marrë dëshminë e këshillimit nisin të bisedojnë dhe janë mirënjohëse kur mund të sqarojnë pyetje të caktuara dhe të flasin me një person asnjëanës, apo kanë edhe mundësinë të shprehin trishtimin e tyre.“

Sepse asnjë grua nuk e ka të lehtë të marrë vendimin për të abortuar, përkundrazi, mendon Cornelia Kardell. Ka nevojë të madhe për të biseduar, thotë ajo. Sepse në Gjermani, pavarësisht tolerancës demonstrative, tema e abortit ka mbetur temë tabu.