1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aarhus: Me drita dhe spektakël në vitin kulturor

22 Janar 2017

Danezët thuhet se janë disi të ftohtë. Jo në Aarhus - ku nisi me një spektakël dritash dhe muzike viti si Kryeqytet Evropian i Kulturës.

https://p.dw.com/p/2WCvY
Dänemark Aarhus Eröffnungsfeier Europäische Kulturhauptstadt 2017
Fotografi: DW/B. Riegert

Këngëtarja dhe kompozitorja Eivër Palsdottir nga Ishujt Faroe është tejet e lumtur. Rreth 1.000 këngëtarë dhe dy orkestra luajtën nga veprat e saj nën dritat dhe projeksionet e një shfaqeje plot ngjyra në portin Aarhusit. Ujë, drita dhe një himn nordik.

Një përzjerje perfekte, mendojnë shumë prej më shumë se 30.000 spektatorëve që ndoqën ceremoninë e Aarhusit si kryeqytet kulturor i Evropës. "Gjysma e qytetit duket se ka dalë rrugëve", thotë një polic, që  përpiqet ta drejtojë rrjedhën e njerëzve në rrugët e bllokuara për automjetet. Organizatorët e ceremonisë së hapjes së Kryeqytetit Evropian të Kulturës kishin llogaritur me më pak pjesëmarrës. Kryeqyteti kulturor danez i Evropës llogarti se gjatë vitit 2017 do të vijnë deri në 10 milionë vizitorë.

Dänemark Aarhus Eröffnungsfeier Europäische Kulturhauptstadt 2017
Fotografi: DW/B. Riegert

Arhusi është qyteti i dytë më i madh i Danimarkës dhe madje edhe qyteti më i vjetër i vendit. Nga gërmimet është zbuluar se qyteti është themeluar nga vikingët në shekullin e 8-të. Qyteti, i cili shtrihet në grykëderdhjen e një lumi quhej në të kaluarën Aros, që do të thotë deltë lumi dhe lidhet me vendndodhjen e tij në lumin "Aarhus Å". Edhe pse një qytet i rëndësishëm universitar dhe kulturor Arhusi është gjithmonë nën hijen e Kopenhagës, por kjo pritet të ndryshojë gjatë vitit 2017.

Dänemark Aarhus Eröffnungsfeier Europäische Kulturhauptstadt 2017
Fotografi: DW/B. Riegert

Let's rethink!

Motoja e Arhusit si Kryeqytet Kulturor 2017 është: "Let's rethink!" - "Le të mendojmë edhe një herë!" Artistë nga e gjithë bota janë ftuar për t'iu përgjigjur sfidave të së ardhmes. "Arti mund të ndryshojë botën", Olafur Eliasson, artist instalimesh, është i bindur për këtë. Ai është bërë së fundi i njohur me aksionin e tij me blloqet e akullit nga akullnaja Vatnajëkull e Islandës të cilat i vendosi që të shkriheshin në sheshin para ndërtesës ku zhvillohej Samiti Botëror i Klimës në Paris.

Dänemark Aarhus Europäische Kulturhauptstadt 2017
Fotografi: DW/B. Riegert

Tema të tjetra që do të trajtohen prej artistëve dhe shkrimtarëve në Aarhus janë shtëpitë verore, rëndësia e qyteteve, hapësirat e jetesës, muzika popullore dhe madje edhe garat me makina.

Dänemark Aarhus Europäische Kulturhauptstadt 2017
Fotografi: DW/B. Riegert

Çlirim i liturgjisë fetare

Edhe feja do të luajë një rol në aktivitetet e vitit 2017 në kryeqytetin kulturor danez të Evropës. Teatri Svalegangen do të ofrojë projektin artistik "Çliroje liturgjinë fetare!" Ideatorë të këtij projekti janë peshkopi luterian i Arhusit, Poul Henning Bartholin dhe drejtori artistik i teatrit, Per Smeedegaard.

Dänemark Aarhus Europäische Kulturhauptstadt 2017 Olafur Eliasson
Fotografi: DW/B. Riegert

Fjala është për modernizimin e meshave, gjatë të cilave në vend të këngëve fetare do të këndohen këngë të muzikës së lehtë. Një nga shfaqjet do të jepet në katedralen e Arhusit. Në këngët e përzgjedhura nuk do të ketë asnjë këngë dashurie, por vetëm këngë tekstet e të cilave konsiderohen si "ekzistenciale", sikurse thotë Per Smeedegaard.

Javën e ardhshme e ka radhën ceremonia në Pafos në Qipro, Kryeqyteti i dytë Evropian i Kulturës për vitin 2017.

Bernd Riegert' Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE