1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A ka alternativa ndaj energjisë bërthamore? Ndoshta gazi natyror?

31 Mars 2011

A është gazi natyror një alternativë për Evropën dhe çfarë do të thotë kjo në aspektin e varësisë nga Rusia? Prof. Gerhard Mangott nga universiteti i Insbrukut, ekspert për çështjet e energjisë kthen përgjigje.

https://p.dw.com/p/10lMH

Deutsche Welle: Katastrofa bërthamore në Fukushima të Japonisë dëshmoi me prova të gjalla rrezikun e lartë të teknologjisë atomike. Debati aktual për daljen nga enegjia bërthamore shoqërohet me diskutimin rreth burimeve alternative të energjisë. A ka alternativa ndaj energjisë bërthamore? Ndoshta gazi natyror?

Prof. Gerhard Mangott: Pyetja që shtrohet është: si mund të zëvendësohet prodhimi i munguar i energjisë? Në disa shtete sasia e munguar e energjisë në rast heqje dorë nga energjia bërthamore nuk mund të zëvendësoehet me energji të ripërtëritshme. Atëherë do t'iu drejtohemi atyre burimeve të energjisë, të cilat lejojnë njëkohësisht respektimin e kufijve të emetimit të dioksidit të karbonit, që evropianët kanë vendosur vetë. Në fushën e fosileve të djegshme këto kushte i përmbush gazi natyror. Kjo do të thotë që parimisht ekziston një shpresë, që roli i gazit natyror si burim parësor energjie të forcohet.

Deutsche Welle: A është ky një argument më shumë për projektin Nabucco?

Prof. Gerhard Mangott: Një argument që kanë paraqitur disa kritikë të gazsjellësit Nabucco është, që kërkesa për gaz nuk do të shënojë ndonjë rritje të ndjeshme vitet e ardhshme, qoftë sa i përket volumit, qoftë sa i përket pjesës së gazit natyror në furnizimin parësor të BE-së. Tani ky argument bie.“

Deutsche Welle: Më shumë gaz për Evropën, por nga do të vijë ai?

Prof. Gerhard Mangott: Pyetja është se nga cili furnizues duan të marrin gazin BE-ja, apo vendet e veçanta evropiane dhe nëpërmjet cilëve përçues. Prej disa muajsh në BE diskutohet edhe për mundësinë e shfrytëzimit më intensiv të gazit të lëngshëm natyror për të reduktuar përdorimin e gazit që përçohet me gazsjellës.

Deutsche Welle: Cilat janë avantazhet e përdorimit të gazit të lëngshëm ndaj atij që përçohet me tubacione?

Prof. Gerhard Mangott: Është shumë më e thjeshtë të bëhet adaptimi. Pra kur shtohet kërkesa për shembull në rast të një dimri shumë të ftohtë, mund të blihet më shumë gaz. Kur kërkesa është më e vogël, mund të blihet më pak. Problematika e furnizimit më gaz nga Rusia nuk ka të bëjë edhe aq me çrregullimet në furnizim për shkaqe politike, si në rastin e Ukrainës. Ajo që luan një rol më të rëndësishëm është koha e gjatë e kontratave të livrimit me Gazpromin me konsumatorët evropianë, në të cilat sasia e gazit që blihet është fikse pavarësisht nëse shtetet evropiane kanë nevojë apo jo për atë sasi."

Deutsche Welle: Cili është roli i varësisë nga Rusia?

Prof. Gerhard Mangott: Varësia e BE-së nga Rusia dhe edhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë nga furnizimi me gaz prej Rusisë, do të thotë edhe një varësi e Rusisë nga tregu aktual i shitjes: BE, Ballkani Perëndimor dhe Turqia. Kjo situatë nuk është e favorshme dhe e arsyeshme as për vetë Rusinë në aspektin e sigurisë së vet energjetike dhe të interesave të saj në eksport dhe tregti. Pra Rusia në mënyrë të arsyeshme do të diversifikojë partnerët e saj tregtarë.

Intervistën e zhvilloi: Yulia Damjanova/ Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama