1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A janë realë treguesit e rritjes ekonomike në Shqipëri?

22 Korrik 2009

Ekspertët e zhvillimeve ekonomike e shikojnë në mënyra të ndryshme besueshmërinë e treguesve të fundit të Institutit të Statistikave INSTAT.

https://p.dw.com/p/IvGd
Numratore
Treguesit e Instituti i Statistikave, INSTAT, në pikëpyetje

Instituti i Statistikave në Tiranë ka publikuar ditët e fundit treguesit e rritjes ekonomike të Shqipërisë për tremujorin e parë të vitit 2009, sipas të cilëve rritja ka qenë në kuotën 6 përqind. Sipas këtyre të dhënave sektorët që dhanë kontribut në këtë rritje ishin postë-telekomunikacionet, shërbimet dhe ndërtimi. Por nga ana tjetër rënie kanë shënuar industria, eksportet etj.

Nevojitet një paketë masash antikrizë

Ekspertët e zhvillimeve ekonomike e shikojnë në mënyra të ndryshme besueshmërinë e këtyre treguesve. Por ata bashkohen në nevojën e një pakete masash antikrizë nga ana e qeverisë së re të paszgjedhjeve, idenë e riorganizimit të zërave të buxhetit në varësi të aktualitetit, kujdesit parësor ndaj grupeve sociale në nevojë, që ekspozohen edhe më shumë nga efektet e krizës.

Ritmet e rritjes ekonomike të Shqipërisë për këtë vit nuk do të jenë ato të vitit 2008

Artan Hoxha drejtor i Institutit për Studime Bashkëkohore në Tiranë mendon se treguesit që ka publikuar Instituti i Statistikave, INSTAT, janë politizuar pa të drejtë. Vetë Hoxha vlerëson si mjaft pozitive metodën e re nga ky institucion për të përllogaritur nivelin e rritjes ekonomike me bazë tremujore, krahas përllogaritjeve për periudhën vjetore. Të dyja metodat nxjerrin qartë tendencën e rritjes së ekonomisë shqiptare, thotë Artan Hoxha për DW, duke shtuar: "Ritmet e rritjes ekonomike të Shqipërisë për këtë vit nuk do të jenë ato të vitit 2008. Do të jenë goxha më të ulta, por nuk do të jenë negative, apo dhe afër zeros. Treguesit e tremujorit të parë konfirmojnë se do të kemi një vit me vështirësi, por me rritje pozitive. Më të lartë se qëndrimet më shumë se konservatore të FMN-së."

Qeveria e re duhet të rishikojë buxhetin e shtetit për pjesën e mbetur nga viti 2009

Por Dr. Zef Preçi, i cili drejton Qendrën Shqiptare për Kërkime Ekonomike në Tiranë, ka një mendim ndryshe për treguesit më të fundit që ka shpallur Instituti i Statistikave. Ai i përshkruan ato si pjesore dhe "që synojnë të ruajnë imazhin e krijuar të qeverisë në fushatën elektorale" Për Preçin Shqipëria nuk është në recesion, por sipas tij "rritja ekonomike është ngadalësuar në kufijtë e saj maksimalë". Ai mendon se nga qeveria e re duhet "të rishikohet buxheti i shtetit për pjesën e mbetur nga viti 2009, duke arritur përputhje të burimeve të të ardhurave me destinacionin e përdorimit të tyre, për t'u fokusuar më tepër tek aspektet sociale, për të mbrojtur ato kategori që janë të ekspozuara nën ndikimin e krizës."

Rivendosja e marrëdhënieve me FMN-në rregullon imazhin e Shqipërisë

Sipas Preçit edhe rivendosja e marrëdhënieve me FMN-në duhet të konsiderohet si prioritet që rregullon realisht imazhin e Shqipërisë, rrit aftësinë e saj për të thithur fonde, pra zbut efektet e krizës. Në të njëjtën kohë kjo rrit garancitë e institucioneve financiare, të bankave private për të investuar në vend. "Hartimi i një pakete antikrizë do të ishte sipas meje baza e programit të qeverisë së ardhshme. Ajo duhet të përfshijë një numër masash fiskale që kanë të bëjnë me lehtësimin e marrëdhënieve të shtetit me biznesin, duke pasur parasysh pagat dhe çmimet e referencës. Këto kanë të bëjnë dhe me rritjen e fleksibilitetit të rritjes së tregut të punës, si dhe për të stimuluar ato degë të ekonomisë që ndjehen më të prekura nga kriza, si produktet për eksport dhe të tjera të kësaj natyre".

Më tepër investime publike

Artan Hoxha shprehet se elementi më i rëndësishëm antikrizë është prodhimi nga politika shqiptare i një qeverie të qëndrueshme. Kjo sipas tij, është domosdoshmëri sidomos gjatë 2009-s dhe deri në mes të vitit tjetër, kur efektet e mundshme të krizës do të jenë prezente në ekonominë shqiptare. "Një qeverisje e paqëndrueshme do të ishte një sinjal negativ për besueshmërinë e agjentëve ekonomikë me të gjitha efektet negative më pas. Në këtë periudhë krize shpenzimet më produktive të qeverisë janë ato që lidhen me investimet publike. Sidomos tani kur impulsi investues i biznesit është më i reduktuar se sa në një kohë tjetër. Qeveria duhet të vazhdojë të mbajë të njëjtin model fiskal, që është eficent. Shtrëngesat e mundshme financiare të qeverisë nuk duhet ta lëkundin nga qëndrimi ndaj këtij sistemi." Hoxha shikon të nevojshme që në këtë periudhë sasi të fondeve publike të përdoren me kujdes, me kontroll sistematik të hyrjeve dhe daljeve, që në fund të vitit të mos kemi surpriza deficiti buxhetor, jashtë atyre të programuara. Sikundër dhe dr. Zef Preci, edhe Artan Hoxha shikon si "detyrë parësore kujdesin social ndaj grupeve në nevojë, që ekspozohen dhe më shumë nga efektet e krizës".

Autor: Arben Muka
Redaktor: Dr. Pandeli Pani