1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A duhet të pranohet në Maqedoni Platforma?

21 Mars 2017

Debatet e fundit rreth identitetit maqedonas dhe Platformës së shqiptarëve marrin shpesh kahje të gabuar. Po si duhet vepruar?

https://p.dw.com/p/2ZZXf
Mazedonien Proteste  in Skopje
Fotografi: Reuters

Në mes të gjitha driblingjeve të partive politike dhe klithmave të heshtura drejtuar të huajve nga liderët të lënë në vetmi, dy deklarata u veçuan sipas jehonës që patën në opinion dhe reagimeve  që pasuan. E para, deklarata e Ziadin Selës, sipas të cilit para njëqind vitesh nuk ka ekzistuar identiteti maqedonas - që dëshmon qartë se si fjala e gojes është më e shpejtë se mendja e kokës. 

Deklarata e liderit të LR-PDSH është padyshim e diskutueshme nga shumë aspekte. Z. Sela nuk ka ekspertizë profesionale dhe as peshë politike për vlerësime të tilla, pa u ballafaquar me cilësim të tij si ndonjë polit-arkeolog të sojit Pasko Kuzman, apo skriboman nga çadra e VMRO-së, që mohon krijuesit letrarë maqedonas. Por para se të bëhen fluturime të tilla në vakuum, do ishte e udhës që Sela të konsultonte raportet e Fondacionit "Carnegy”, nga viti 1913 për masakrat në Maqedoni ndaj atyre që vërtet nuk kanë qenë të aftë për të definuar veçantinë e vet etnike maqedonase. E megjithatë, mbase e kanë pasur tejet të qartë se nuk janë ashtu si nuk ju është thënë se duhet të ndjehen, përkundër të gjitha bindjeve  "n'daç me hatër, n'daç me shpatë” me thikë nën fyt dhe në gjak. Moment i rëndësishëm ky, pasiqë e drejta e çlirimit nga robëria është gjithsesi hapi i parë drejt të drejtës për liri dhe vetvendosje, dhe ky është prekursori normativ për secilin identitet kudo dhe në cilëndo periudhë historike. Mllefi i sotëm politik ndaj Gruevskit apo memoria historike për vrasës banal të sojit Qose, nuk mund të konsiderohet arsyetim, argument apo pikënisje për të hapur debate apo për të manifestuar mohim të identitetit të kujtdo, pa pasur pasoja reciproke, të cilat mund të hudhin në grackën e gjykimit sipas anomalive incidentale historike. 

Rreshti i fundit fsheh edhe arsyen se pse konsideroj se deklarata e Selës meriton qortim dhe kritikë. Natyrisht, ndjenjat e maqedonasve janë shkaku primarë. Por në të njejtën masë, falë faktit që fryma e deklaratës del jashtë binarëve të narratives dhe trajektores tradicionale të politikes shqiptare dhe mendjes publike të ravijëzuar gjatë luftës për vetpërcaktim, pa mohuar të drejtën e të tjerëve për të përcaktuar identitetin e vet. Jo nga dëshira për të demonstruar ndonjë qëndrim vetpëlqyes supremacist të stilit "Shqiptarët nuk janë të tillë”, por nga eksperienca historike mund të themi se ky qëndrim vërtetë mund të konsiderohet konstante e mendjes kombëtare dhe fjalës politike shqiptare. Dhe z. Sela do duhej të shprehej më mirë, mu për shkak të përkatësisë së tij ndaj një kombi që bukur mirë kupton dhe nuk harron se mohimi i identitetit të tij është një realitet i dokumentuar për shekuj, deri sot. Mbesim me shpresë se në debatet e tjera televizive do shmang rrezikun që në rast të frymëzimeve emocionale të prezantojë qëndrime, për të cilat ai nuk është as i deleguar dhe as kompetent. 

Duhet hequr dorë nga Platforma?

Deklarata e dytë është thirrja e profesorit Denko Malevski drejtuar partive politike shqiptare që të shqyrtojnë mundësinë e tërheqjes të Platformës, si gjest me të cilin do ndihmojnë zhbllokimin e gjendjes së tanishme status-quo. Që në fillim duhet nënvizuar honi soit qui mal y pense se kolumna e Profesorit ka ndonjë prapavijë meskine apo shpirtkeqe, përveç aspirates legjitime për të dhënë propozime dhe kontribut ndaj debatit për tejkalimin e gjendjes së tanishme. Thjesht, pra, në shkrimin e tij nuk ka njet të keq. Që, fatkeqësisht, nuk mund të thuhet edhe për personat me predispozicion që rekomandimin e tij ta lexojnë në mënyrë dukshëm më të shtrembëruar. Sa për ilustrim, vlenë të përkujtoj se në analet historike ka mjaft shembuj se si idetë konstruktive dhe qëllim-mira përfundonin të shtrembëruara dhe të devijuara gjatë implementimit nga persona me ide diametralisht të kundërta nga ato të autorit autentik. Si njohës i shquar i politikave ndërkombëtare, Profesori Malevski gjithsesi do kujtojë shembullin e "telegramit të gjatë” të George Keenan, frymen në të cilën ishte i përpiluar dhe menyrën se si ishte (keq)përdorur.

Arsyeja reale për rezervën time ndaj propozimit Malevski nuk buron nga qëndrimet e oponentëve të Platformës. Përkundrazi, mu falë mënyrës në të cilen kolumna është lexuar dhe interpretuar nga ana e atyre që ofruan përkrahje të parezervë ndaj propozimit të tij. Disa prej tyre, duke aktruar "frymëzim me ethe qytetarizmi", tejkaluan edhe çirrjet më albanofobe te VMRO-DPMNE duke deklaruar me arrogancë të paparë se "votuesit shqiptarë tani e tutje edhe më shumë do votojnë LSDM, pasiqë çështja e gjuhës shqipe iu ka mbrri deri në hundë”. Nëse e lëmë anash përbuzjen cinike me shqiptarët dhe gjuhën e tyre amë, shokon qasja manipulative me të cilën apeli i Malevskit për tejkalim të krizës reduktohet në suaza të viktimizimit të shqiptarëve në favor të rejtingjeve partiake dhe ndonjë pike shtesë në favor të politikave banale ditore. Që imponon dilemen se vallë, me të këtillë "intelektual liberal-demokrat”, ç'na duhet  Gruevski? 

Në konstelacion të tillë të skenës politike, triumfalizmi me të cilin VMRO-DPMNE e interpreton terheqjen nga Platforma me arsyetime se "ja, dëshmuam se kush është pronar e kush qiraxhi” është po aq i rrezikshëm sa edhe abuzimi që do pasojë nga ana e opozites. Por në drejtim të rrënimit të relevancës së peshës politike të partive politike shqiptare, të cilat në sytë e votuesve shqiptar do konsideroheshin të paafta për të jetësuar politikat e veta, prandaj kërkojnë shpëtim nën skutaqet e LSDM. Konform logjikës së këtillë, paraqitja e Platformës është reagim ndaj albanofobisë së VMRO-DPMNE po aq sa është edhe reagim ndaj aspiratave të LSDM që mangësitë e veta, mungesën e ofertës socio-ekonomike dhe shmangien nga lufta kundër krimit e korrupcionit ta kompensojë me oferta të padefinuara dhe të paprecizuara kulturo-artistike ndaj shqiptarëve, me qëllimin të anulimit të relevances të "elitave” partiake në kampin politik shqiptar. Por, për dallim nga shqiptarët e rëndomtë, këto "elita” posedojnë si instrumente ashtu edhe deshirën e flaktë që t'i hakmerren Zoran Zaevit me të njejtën masë. Pa të drejtë ankese. 

Mazedonien Arsim Zekolli
Arsim ZekolliFotografi: DW/K. Blazevska

Platforma nuk është pengesë

Falë mangësive evidente në  mosdefinimin e rolit dhe kontributit të nënshkruesve shqiptarë ne epideminë e krimit dhe korrupsionit, Platforma nuk mund të konsiderohet si  ndonjë pret-a-porter zgjidhje e situates. Por, përkundër të gjitha tentativave për të dëshmuar të kundërten, ajo nuk është dhe as që mund të trajtohet apo vlerësohet si pengesë për zgjidhje të krizes, dhe aq më pak të akuzohet si kërcënim për sovranitetin, integritetin e vendit dhe të identitetit të maqedonasve. Asnjë zhurmë mediale me të cilat Ivanov, Gruevski dhe protestuesit këmishë-zi "sovranist”, nuk mund ta mbulojnë dot heshtjen e tyre absurde dhe habitëse në lidhje me dekompozimin në vijim e sipër të trekëndëshit sovranitet-integritet-identitet që zhvillohet përmes pranimit masovik, të maqedonasve të pasaportave nga vendet fqinje, që paraqet instrument meskin për depopullizim sistematik dhe inxhenjering etno-identitar mu para syve të SHBA dhe BE. Zyrtarët e apostrofuar nga e djathta, por edhe ata nga LSDM, nuk kanë pse të ndjehen të obliguar të ofrojnë shpjegime,  megjithëse patjeter do duhet të pyesin veten se, sikur edhe të ndodhte që partitë shqiptare të terheqin Platformen, mbetet dilema sa do ndikonte kjo mbi ndaljen e proceseve në fjalë të iniciuara me "afrimin” e tyre të heshtur? Dilema bëhet edhe më akute nëse kemi parasysh pasojat e liberalizimit të vizave për në Kanada me disa nga vendet fqinje të Maqedonisë. Do ishte e udhës që këta zyrtarë të mendojnë mbi efektet e mundshme të liberalizimit të tillë, së paku me gjysëm shqetësim, ngjashëm me atë që shfaqin lidhur me Platformën.

Qoftë individualisht, qoftë institucionalisht, shqiptarët duhet, pa asnjë hamendje, të distancohen dhe të dënojnë tezën provokative të z. Sela mbi identitetin e maqedonasve të para njëqind viteve.  Por, cështja e identitetit të maqedonasve gjatë dhjetë viteve para nesh, është sfidë me të cilen maqedonasit doemos do të ballafaqohen, përveç nëse nën rolin e vet-dizenjuar të  bartësve të sovranitetit nënkuptojnë edhe të drejtën sovrane për vet-shpërbërje. Që nga Kryengritja e Ilindenit të Gushtit 1903 dhe deri në protestat qytetare të Majit 2015, shqiptarët pa hamendje përgjigjeshin ndaj ftesave të maqedonasve për të bashkuar forcat. Ndërsa që nga misioni i Mis Ston e deri te studiuesi i maqedonistikes Viktor Friedman, po ky Perëndim "i mallkuar”, vazhdimisht kontribuonte për mbrojtjen dhe promovimin e identitetit maqedonas dhe çështjen maqedonase si fakt dhe realitet. Që sot është nën sulm të hapur alt-historik dhe alt-identitarë nga ana e "arushës së veriut”, e kamufluar me ikonografi VMRO. Dhe asnjë mllef i aktruar kundër Platformës nuk do eliminojë dhe as shërojë këtë sfidë reale dhe evidente që qëndron palëkundshëm para palës maqedonase.

Platforma "akt çlirimi"

Tërheqja e Platformes nuk mund të jetë zgjidhje për sfidat, të cilat ekzistojnë gjatë kohë para paraqitjes dhe koncipimit të saj. Aq më shumë që përveç aspektit ditor-politik dhe ndëretnik, Platforma në vete përmban ca nuanca diskrete, por bukur të rëndësishme të definimit të dinamikave përbrenda kampusit shqiptar dhe pozitën e tij interaktive përbrenda vendit dhe shoqërisë në përgjithësi. Për fat të keq, histeria mediale drejt njollosjes së Platformës në favor të interesave polit-partiake nuk lejon shumë vend dhe kohë për elaborime më të thella të këtij aspekti si dhe vleren e saj aplikabile në lëvizjet gjeo-strategjike, pasojat mbi raportet e brendshme a interesat afatgjate të bashkësive dominante etnike. Shmangia nga Platforma, bazuar në interesat e politikave ditore apo reduktimi i saj në favor të "ndihmës ndaj LSDM”, mund të ngjajë si hap i qëlluar taktik, por me pasoja afatgjata strategjike për shqiptarët dhe dyfish më shumë  për tërë vendin.

Sadoqë mund të jenë qëllimmira, kërkesat për tërheqje të Platformës rrënojnë kontributin e saj pragmatik ndaj forcimit të kohezionit shoqëror. Përfshirë këtu edhe frymën që mëton të promovojë si demonstrim të lirisë pozitive (të shqiptareve) për të qenë drejtues të fatit të vet nëpërmjet përzgjedhjes së lirë në favor të barazisë në vendin, në të cilin janë autokton dhe në të cilin janë përcaktuar të qendrojnë edhe më tutje. Jo vetëm sipas trashëgimisë historike apo akteve administrative, por si vendim autonom sipas vullnetit të lirë të tyre. Që bie ndesh me lirinë negative në të cilën shqiptarët duhet të kënaqen me pranimin e lirisë së dozuar dhe të imponuar, të ndihmuar edhe nga ndikimet e jashtme që  rrjedhimisht del se është e sanksionuar nga statusi i barabartë në vendosjen për fatin e vet. Platforma është kthesë dramatike dhe jetike me të cilën liria pozitive e maqedonasve për vetpërzgjedhje (vetvendosje), nuk barazohet sipas faktorit të lirisë negative (sikur është rasti tani), por mbindërtohet me lirinë e përzgjedhjes pozitive të shqiptarëve. Refuzimi i Platformës mbetet si opsion, por opsion që shtyn shqiptarët drejt lirisë negative që anulon detyrimin në favor të diskriminimit pozitiv ndaj alternativave të tjera të cilat qëndrojnë në disponim. Thënë më thjeshtë: Platforma është akt i çlirimit të ndërsjellë mes dy bashkësive. Por, edhe nga vetvetja.