1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëShtetet e Bashkuara të Amerikës

A duhet të rrëzojë NATO dronët rusë mbi Ukrainë?

Alexandra von Nahmen
15 Shtator 2024

Ekspertët propozojnë një përgjigje të NATO-s ndaj shkeljeve të hapësirës ajrore nga dronët dhe raketat ruse. A duhet të rrëzojë NATO dronë rusë?

https://p.dw.com/p/4kaI9
Dronat dhe mbrojtja me raketa mbi Kiev në Ukrainë
Dronat dhe mbrojtja me raketa në UkrainëFotografi: Evgeniy Maloletka/AP/picture alliance

Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, 8 shtator, dy avionë luftarakë rumunë F-16 u ngritën nga baza ajrore në Borca, një qytet afër kufirit meUkrainën. Banorët e rajonit u paralajmëruan me mesazhe në celular për mundësi rreziku. Paralajmërimi u dha pasi sistemi rumun i vëzhgimit me radarë zbuloi një dron rus që kishte hyrë në hapësirën ajrore rumune. Droni thuhet se qëndroi atje për më shumë se 30 minuta dhe përfundimisht u kthye përsëri në drejtim të Ukrainës.

Nuk ishte ky incidenti i parë i këtij lloji nëRumani në territorin e NATO-s. Vetëm një ditë më parë, një dron rus u rrëzua nëLetoni. Numri i incidenteve të tilla është rritur në katër javët e fundit dhe Rusia duket e gatshme të rrezikojë edhe më shumë. "Situata po përkeqësohet dhe NATO duhet të gjejë një përgjigje tani," tha për Deutsche Wellen, Jamie Shea, ish-zëvendës ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-s për sfidat e reja të sigurisë.

Shea, tani një bashkëpunëtor i lartë në Friends of Europe, një institut kërkimi në Bruksel, argumenton se aleanca duhet "t'u japë anëtarëve të saj mbrojtje më të madhe". Aleanca ka premtuar se do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s.

A po teston Rusia NATO-n?

NATO ka dënuar shkeljet e fundit të hapësirës ajrore nga Rusia, duke i quajtur ato "të papërgjegjshme dhe potencialisht të rrezikshme". Megjithatë, në një postim në rrjetin social X, zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s në largim, Mirce Joana, theksoi se aleanca nuk ka asnjë informacion që "tregon një sulm të qëllimshëm nga Rusia ndaj aleatëve”.

Video Dronat
Dronat me video për mbrojtjeFotografi: DW

Ekspertë të tillë si Jan Kalberg, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane me qendër në Uashington, dyshojnë se Rusia mund të shqyrtojë përgjigjen e NATO-s dhe të përpiqet të gjejë mospërputhje "midis asaj që themi dhe asaj që bëjmë". Ata gjithashtu mund të përpiqen të testojnë aftësinë e aleatëve për të komunikuar, tha ai për DW.

Kjo çështje ishte ndër temat e diskutuara gjatë një takimi me dyer të mbyllura të Këshillit të Atlantikut të Veriut në Bruksel këtë javë. Presioni ndaj NATO-s për të shkuar përtej masave tashmë të vendosura, duke përfshirë rritjen e mbikëqyrjes, patrullimet ajrore dhe vendosjen e më shumë sistemeve të mbrojtjes ajrore në rajonet lindore të aleancës, duket se po rritet.

A duhet që NATO të rrëzojë dronët rusë?

Në një intervistë të fundit me "Financial Times", ministri i Jashtëm polak, Radek Sikorski tha se Polonia, ashtu si vendet e tjera në kufi me Ukrainën, kanë "detyrë" të rrëzojnë raketat ruse përpara se ato të hyjnë në hapësirën e tyre ajrore. Në nëntor 2022, dy fermerë u vranë kur një raketë - këtë herë një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase - shpërtheu jashtë fshatit Pshevodov, rreth pesë kilometra në perëndim të kufirit ukrainas.

Si një komb sovran, Polonia me siguri mund të bëjë gjithçka që e sheh të nevojshme për mbrojtjen e saj, por qeveria polake nuk ka gjasa të lëvizë në këtë drejtim pa një vendim kolektiv të Aleancës. NATO e ka kundërshtuar deri tani propozimin, duke përmendur rrezikun që aleanca të bëhet pjesë e konfliktit.

A mund të ndihmojë një zonë tampon në kufirin me Ukrainën?

Zgjerimi i mbrojtjes ajrore polake ose rumune mbi Ukrainën perëndimore do ta ndihmonte Poloninë jo vetëm të mbrojë qytetarët e saj, por edhe qytetet ukrainase si Lviv, thotë Berzina. Ky do të ishte një efekt anësor i rëndësishëm dhe i mirëpritur për Ukrainën me afrimin e dimrit, kur Rusia mund të sulmojë edhe më shumë infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Sulmet ruse në Lviv
Sulmet ruse në LvivFotografi: Roman Baluk/REUTERS

Shea pret po ashtu një rritje të incidenteve në hapësirën ajrore të NATO-s duke pasur parasysh numrin në rritje të sulmeve ruse në Ukrainën perëndimore. "Pyetja e vërtetë është: a duhet të vdesë dikush tjetër, përveç dy polakëve, dhe sa duhet të përkeqësohet situata përpara se të zgjidhet një çështje e tillë?

Por Shea theksoi, se nëse NATO vendos të përdorë sistemet e saj kundërajrore përtej kufirit me Ukrainën, "përdorimi duhet të jetë mjaftueshëm i kufizuar" për të shmangur përshtypjen se "Perëndimi po futet në luftë". Megjithatë, mburoja "duhet të jetë operative efektive" jo vetëm për të kapur dronët, por edhe raketat balistike përpara se ato të mund të kalojnë në territorin e NATO-s. Sipas tij, një zonë prej 100 kilometrash brenda territorit ukrainas është ndoshta "minimumi që siguron kohë të mjaftueshme për zbulim, vëzhgim dhe përgjim".

Pengesat politike për aleatët e NATO-s

Në fund të fundit, ky është një vendim politik. Ekspertët pajtohen se NATO ka burimet për të krijuar një zonë sigurie në kufirin me Ukrainën, nëse vendos ta bëjë këtë. Por me zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA dhe me politikën komplekse të brendshme në Francë dhe Gjermani, qeveritë e këtyre vendeve duket se kanë pak dëshirë të marrin vendime që mund të kritikohen si sjellje e vendeve të tyre buzë luftës me Rusinë. "Derisa rusët të na sulmojnë qëllimisht, ne do të mbyllim një sy”, tha ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea. Por nëse një dron rus kërcënon seriozisht një zonë civile në territorin e NATO-s, kjo mund të ndryshojë të gjithë situatën.