1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

88 përqind e të gjitha sëmundjeve në botë shkaktohen nga uji i ndotur

Ana Lehmann 20 Gusht 2008

Rreth 2.6 miliardë vetë në mbarë botën s'kanë ujë dhe kushte higjenike. Nga diareja apo nga sëmundje që shkaktohen nga uji i papastër çdo 20 sekonda në botë vdes një fëmijë.

https://p.dw.com/p/F1fH
Kanal në Jean Rabel në Haiti
Kanal në Jean Rabel në HaitiFotografi: picture-alliance / dpa

Një miliardë njerëzve në botë u duhet të mbijetojnë pa ujë të pijshëm. Pasojat janë katastrofale dhe në çdo 20 sekonda vdes një fëmijë nga diareja apo nga sëmundje që shkaktohen nga uji i papastër. Si mund të furnizohen më shumë njerëz me ujë të pastër? Çfarë rëndësie kanë impiantet sanitare për zhvillimin ekonomik? Me këto çështje po merren rreth 200 përfaqësues të qeverive dhe organizatave ndërkombëtare në konferencën e përvitshme botërore të ujit në Stokholm.

Shumica e njerëzve pa kushtet elementare sanitare jeton në Azi. Vetëm në Indi rreth 700 milionë njerëzve u duhet t'i kryejnë nevojat personale në natyrë, sepse nuk kanë nevojtore. Uji në lumenj, detra dhe kanale është i ndotur nga fekalet dhe plehrat. Deri tani nuk ka sisteme kanalizimi. Miliona njerëz pijnë ujë të papijshëm. Kjo çon në diare dhe në shumë raste në vdekje, thotë Sunita Narain, drejtuese e qendrës indiane „Për shkencën dhe mjedisin": "Ne e kemi fare të qartë, se në qoftë se nuk e pastrojmë ujin, nëse nuk kemi ujë të pastër për njerëzit, atëherë do të kemi probleme të mëdha shëndetësore. Sot fëmijët vdesin në radhë të parë nga sëmundjet, që shkaktohen nga uji i papastër."

88 përqind e të gjitha sëmundjeve në botë shkaktohen nga uji i ndotur

Shumica e fëmijëve nën moshën gjashtë vjeçare vdesin në vendet në zhvillimin nga infeksione prej ujit të ndotur. Banka Botërore konstatoi, se 88 përqind e të gjitha sëmundjeve në botë shkaktohen nga uji i ndotur. Për këtë shkak OKB-ja e ka shpallur vitin 2008 vitin e pajisjes me kushtet elementare higjienike. Kjo ka bërë, që këtë vit të flitet për herë të parë publikisht për banjot dhe sëmundjet, që vijnë nga uji i ndotur, lavdëron Sunita Narain. Specialistja e ujit është e sigurtë, se faktori i kushteve higjenike është një nga më të rëndësishmit për zhvillimin ekonomik të një vendi: „Zhvillimi është mirëqënia e njerëzve. Dhe uji i ndotur shton ngarkesën për shërbimin shëndetësor të një vendi. E qartë është se nuk mund të bëhesh i pasur, kur ka shumë të varfër, që janë të sëmurë."

Një dollar investim në impiantet sanitare dhe higjenike sjell mesatarisht nëntë dollarë fitim

Investimet në impiantet sanitare do ta përmirësonin shëndetin dhe kushtet e jetesës së njerëzve, thonë ekspertet.

Por kësaj i zë rrugën argumenti i përfitimit ekonomik. „Nëse është fjala për ekonominë, të pushtetshmit janë shumë më të vemendshëm, se sa kur argumentojmë me shëndetin", thotë Jon Lane, drejtor ekzekutiv i këshillit ndërkombëtar për bashkëpunimin në fushën e furnizimit me ujë dhe pajisjeve sanitare, "Water Supply and Sanitation Collaborative Council".

"Një dollar, që investohet në impiantet sanitare dhe në higjienë, sjell në Azi dhe Afrikë mesatarisht nëntë dollarë fitim. Raporti një me nëntë është shumë tërheqës. Vështirësia është se organizata apo personi, që ka investuar një dollar, nuk i merr patjetër edhe të nëntë dollarët – sepse fitesa kryesore qëndron në kursimin e kohës." -sqaron Lane.

Pra në qoftë se miliona njerëz nuk do të merreshin më me problemet katastrofale të ujërave të zeza dhe ujit të pishëm për të mbijetuar, mund ta shfrytëzonin energjinë për zhvillimin e vet ekonomik dhe të shoqërisë, mendon Lane: "Argumenti ka të bëjë me të mirën e përbashkët. Dhe është detyrë e kryetarëve të shteteve dhe ministrave të financave, që ta vlerësojnë rëndësinë e të mirës së përbashkët dhe të investojnë në të."

Shumë premtues një model nga Bangladeshi

Shoqëritë e Azisë jugore janë shumë kreative dhe kanë ndërmarrë shumë iniciativa për përmirësimin e shërbimeve sanitare. Shumë premtues është një model nga Bangladeshi, thotë Jon Lane Të mbështetura nga një organizatë joqeveritare komuna të vogla fshatare ndërtojnë një sistem ujësjellësi. "Koncepti është, që njerëzit të shohin, se nuk është e rëndësishme vetëm shtëpia dhe familja e vet, por edhe mirëqënia e të gjithë shoqërisë. Në qoftë se njerëzit e kuptojnë, se higjena e keqe e fqinjit dëmton edhe atë vetë apo anasjelltas, atëherë kjo është një arsye e fortë, që bashkon komunat për të përmirësuar kualitetin e jetesës." - thotë Lane.

Edhe në Indi është zbatuar ky model. Qeveria i ka dhënë prioritet temës së kushteve higjenike dhe mbështet projekte alternative. Se si mund të arrihet që të përmirësohen kushtet sanitare qoftë me përpunimin e urinës për pleh, mbledhjen e ujit të shiut, me teknologji të reja për sistemet e ujitjes etj. ekspertët do të diskutojnë në konferencën botërore të ujit në Stokholm.