1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

300 studiues shqiptarë përfitojnë nga DAAD

Arben Muka7 Korrik 2006

Jens Reimann duke bërë një bilanc të deritanishëm të zbatimit të programit DAAD në Shqipëri thotë se "janë afër 300 vetë që kanë përfituar bursa vetjake", ndërkohë që i përshkruan bursistët shqiptarë si "mjaft të aftë, punëtorë dhe me iniciativë të madhe".

https://p.dw.com/p/AsEv
Faqe interneti në gjuhë të huaj e DAAD
Faqe interneti në gjuhë të huaj e DAAD

Ambasada gjermane në Tiranë ka bërë publike për të gjithë të interesuarit njoftimet për aplikantët shqiptarë të cilët kërkojnë të marrin një bursë nga programi i Shkëmbimit Akademik Gjerman, DAAD. Këtë herë ato ju ofrohen talenteve dhe studiuesve të arteve figurative, muzikës, letërsisë dhe kinemasë.

"Bursat e DAAD-it synojnë të nxisin artistët e huaj, përfshirjen e tyre në rrjete ndërkombëtare dhe të konsolidojnë qytetin e Berlinit, si një metropol i kulturës", thuhet mes të tjerave në njoftimin që Ambasada Gjermane në Tiranë ka bërë për të intersuarit në Shqipëri që kërkojnë të aplikojnë për përfitimin e tyre.

Jens Reimann, i cili sapo ka mbyllur misionin e tij 3 vjecar, në Shqipëri, si lektor i programit DAAD, ka thënë për DW-në se kontributi është në disa fusha të studimit dhe kërkimit, duke i krijuar mundësinë shkencëtarëve shqiptarë, të sapodiplomuarve, pedagogëve etj., që të plotësojnë dhe thellojnë njohuritë e tyre në institucione të ndryshme në Gjermani.

"Ka dy prioritete kryesore në zbatimin e programit, shpjegon Reimann. Sigurisht që njëri prej tyre është gjuha gjermane. Për studiuesit e gjermanishtes ka disa variante, si p.sh të studimit në një semester në një universitet në Gjermani. Ndërkohë që ka dhe programe bashkëpunimi mes universiteteve gjermane dhe homologëve të tyre në Ballkan, për rrjedhojë dhe në Shqipëri. Bashkëpunimi mes tyre është më shumë në fushën ekonomike, inxhinierike e shkencat e natyres, kjo me synimin për të ristabilizuar e rindërtuar rajonin."

Përfituesit e bursave të programit DAAD kryejnë specializime në institucionet kërkimore e shkencore gjermane në afate të ndryshme kohore, që nga kurset verore disa javore e deri në realizimin e doktoraturës që shkon në një periudhe 3 vjet.

Jens Reimann duke bërë një bilanc sasior dhe cilësor të deritanishëm të zbatimit të programit DAAD në Shqipëri thotë për DË-në se "janë afër 300 shqiptarë që kanë përfituar bursa vetjake", ndërkohë që i përshkruan bursistët shqiptarë si "mjaft të aftë, punetorë dhe me iniciativë të madhe".

Vetëm pak kohë më parë Shoqata e ish Bursisteve të DAAD-it së bashku me Shoqatën e BursistËve Humboldtian-ë organizuan në Tiranë një konferencë ndërkombëtare me temë: "Ura bashkimi me Gjermaninë", ku protagonistë të diskutimeve ishin shkencëtarët e rinj nga Shqipëria në fushat ekonomike, inxhinierike, mjedisit, bujqësise, gjuhës etj., të cilët në dekadën e fundit kanë kryer studime e kualifikime në institucione kërkimore shkencore në rajone t\ë ndryshme të Gjermanisë.