1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

300 milion euro kontribut në Shqipëri

Elert Ajazaj11 Gusht 2006

Ç'është grupi bankar KfW?

https://p.dw.com/p/As6k
Selia e grupit bankar KfW në Frankfurt mbi Main
Selia e grupit bankar KfW në Frankfurt mbi MainFotografi: KfW Presse

Grupi bankar gjerman KfW bashkëpunon me Shqipërinë që prej vitit 1989. Vëllimi i përgjithshëm e kontributeve, qoftë në formë kredie apo dhurate financiare kap vlerën e 300 milion eurove - kontributet vjetore luhaten mes 10 dhe 15 milion eurove. Sektorët më të rëndësishëm të veprimtarisë janë në rrjetet e furnizimit me ujë, ai i ujërave të zeza, ai energjetik dhe nxitja e sipërmarrjeve të vogla. Por spektri i detyrave të këtij grupi bankar është shumë më i gjerë.

Dikur i njohur si Banka për Rindërtimin / Kreditanstalt für Wiederaufbau, Grupi Bankar KfW është banka nxitëse e Republikës Federale Gjermane. Në përputhje me detyrat e tij ky grup ndahet në pesë njësi: banka nxitëse, e cila nxit personat privatë në fusha si ndërtimi, banimi, kursimi i energjisë, mbrojtja e mjedisit apo financimi i arsimimit; banka e firmave të mesme, e cila financon krijuesit e firmave, personat që punojnë për llogari të vet dhe sipërmarrjet e mesme; KfW Ipex-Bank financon projekte dhe eksporte të përmasave të mëdha; dhe së fundi banka për zhvillimin, e cila mbështet bashkëpunimin financiar me vendet në zhvillim. Alexander Mohanty, zëdhënës shtypi i grupit shpjegon dallimin kryesor nga bankat e zakonshme:

"Ndryshe nga bankat private që punojnë për rritjen e fitimit ne në radhë të parë duhet të përmbushim detyrën tonë, nxitjen ekonomike në Gjermani dhe në Evropë. Kjo detyrë dhe fushat e veprimtarisë sonë ekonomike janë përcaktuar qartë në ligj."

Ndër të tjera KfW-ja këshillon qeverinë gjermane në privatizimin e sipërmarrjeve shtetërore. Shembuj për këtë janë Deutsche Telekom dhe Deutsche Post, paketa aksionesh të të cilave hidhen herë pas here në treg në faza të favorshme. Përballë kësaj game detyrash kuptohet nevoja e madhe për kapital e grupit. Në Evropë institucioni është emetuesi i pestë më i madh pas shteteve Gjermani, Francë, Britani e Madhe dhe Itali. Sërish Alexander Mohanty:

"Për rifinancimin e veprimtarisë së saj KfW-ja merr kredi në një vëllim vjetor midis 50 dhe 55 miliard eurove në tregjet financiare ndërkombëtare. Ne jemi bankë me vlerësimin A e trefishtë, renditja më e mirë e mundshme që japin agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit. Kjo është e mundur sepse garantuesi ynë është Republika Federale Gjermane."

Edhe angazhimi në vende si Shqipëria bën pjesë në misionine KfW-së. Ajo mbështet që prej vitit '89 projekte të ndryshme, kryesisht publike. Alexander Kampen është përgjegjës për Shqipërinë në sektorin e vendeve dhe specifikon ndarjen e mjeteve financiare në Shqipëri:

"Projektet ujore zënë afërsisht 40 për qind të premtimeve të përgjithshme, sektori energjetik mbi 31 për qind dhe sektori tjetër, ai i nxitjes së sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme zë 15 për qind. Projekte ka edhe në sektorin shëndetësor si dhe nxiten masa të përmasave të vogla në rajone veçanërisht të varfra ekonomikishtm, si për shembull në Shqipërinë veriore."

Në fushën e nxitjes së firmave të vogla dhe të mesme KfW-ja ofron rifinancim për bankat shqiptare. Ajo është edhe bashkëpronare e bankës Procredit, e përhapur në shumë qytete të vendit dhe e përqendruar kryesisht tek firmat e mesme. Alexander Kampen:

"Puna e saj është mjaft e suksesshme. Është arritur të nxiten mijëra sipërmarrje, të bëhen të mundura mijëra investime dhe të krijohen shumë vende pune."

Një projekt aktual i KfW-së në bashkëpunim me italianët është lidhja përmes linjës transmetuese Elbasan / Podgoricë e rrjetit energjetik shqiptar me atë evropian, çka e bën Shqipërinë më pak të varur nga prodhimi i brendshëm.