1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

2014 - një vit i mirë për Greqinë

Stephanos Georgakopoulos / Pandeli Pani10 Shkurt 2014

Të gjitha shenjat tregojnë për shërim. Për herë të parë pas gjashtë vjetësh në Greqi pritet një rritje e fuqisë ekonomike, e të ardhurave nga turizmi dhe shtim i eksporteve.

https://p.dw.com/p/1B5jM
Fotografi: Fotolia/pressmaster

Një tregues jo domosdoshmërisht vendimtar por domethënës për rikuperimin dhe ristrukturimin e ekonomisë greke është numri i madh i themelimit vitet e fundit të firmave të reja në sektorin e IT-së. Startups duket se po mbijnë si këpurdhat pas shiut. Përvoja tregon se nëntë nga dhjetë startups nuk mbijetojnë pas fazës fillestare. Megjithatë kohët e fundit disa kompani të reja kanë qenë në gjendje të zënë vend jo vetëm brenda tregut grek, por dhe në tregun ndërkombëtar. Si për shembull Taxibeat, një app për smartphone përmes të cilit mund të kontaktosh taksitë që janë në afërsi dhe t'i përzgjedhësh sipas dëshirave. Këtë app pa pagesë mund ta përdorësh përveç se në Athinë dhe Selanik dhe në qytete të tjera si Rio de Zhanero, Sao Paolo, Meksiko City, Oslo, Bukuresht dhe Paris.

Kriza ka edhe efekte pozitive

Që para shpërthimit të kizës në vitin 2010 në Greqi ka pasur rrjete që organizonin takime mes sipërmarrësish inovativë dhe të gatëshmëm për t'i hyrë rrezikut dhe investitorësh potencialë. Kontakte të tilla u kanë hapur rrugën fillestare shumë bizneseve. Një nga këto rrjete është opencoffee.gr, e cila organizon - sipas modelit britanik - takime mes sipërmarrësve të rinj, biznesmenëve dhe investitorëve, të cilët ndajnë përvojat dhe njohuritë e tyre me të interesuarit. Panayiotis Vrionis ishte një nga nismëtarët. Që prej themelimit të opencoffee.gr në vitin 2007 ka ndodhur shumë thotë ai: "Për sipërmarrësit e rinj ka më shumë mundësi financimi se më parë." Në përgjithësi ka katër fonde financimi që mbështeten pjesërisht nga programi i BE-së Jeremie. "Por tani ka edhe në Greqi shumë më tepër investitorët që janë të gatshëm për të marrë përipër rrezikun e financimit fillestar të startup-eve." Sipërmarrësi i ri sheh tek kriza edhe disa efekte pozitive. Në kohë krize investitorët nuk i preferojnë investimet në dukje të sigurta, si p.sh. në aksionet e bankave greke ose në obligacionet shtetërore. Ndryshe nga e kaluara sot ka shumë më tepër investitorë që janë të gatshëm për të investuar tek firmat inovative startup.

Panagiotis Vryonis
Fotografi: privat

Kërkesat për financim tejkalojnë ofertën e kapitalit

Një nga katër fondet që u ofrojnë në Greqi ndihmave firmave startup është Fondi i Hapur. Ky ka shpallur ndërkohë thirrjen e dytë për aplikime dhe ka në dispozicion një fond prej rreth 12 milionë euros. Bashkëthemeluesi i këtij fondi Giorgos Tciralis thotë se ka një bum të vërtetë kërkesash për financim: "Kur filluam në vitin 2011 Fondi i Hapur synonte që të kishte një buxhet financimi prej 5 milionë euro. Ne mendonim se më shumë buxhet ishte i panevojshëm." Por nga atëherë kanë ndryshuar shumë gjëra. Sot fondi ka 11.7 milionë euro dhe mbështet 10 projekte. Tani Fondi i Hapur vë re se buxheti i financimeve nuk është i mjaftueshëm, pasi kërkesa i tejkalon ofertën e kapitalit. Por në të njëjtën kohë edhe përmirëson cilësinë e aplikimeve, thotë Tciralis.

Giorgos Tziralis
Fotografi: privat

Spiros Majátis i cili është bashkëthemelues i sipërmarrjes startup workable, thotë se pengesa më e madhe që një sipërmarrje e re të mbijetojë në Greqi është burokracia. Duhet të bëhet shumë për të përmirësuar strukturën e të gjithë sistemit, sidomos të bankave," thotë ai.