1700 vjet jetë hebreje në Gjermani
6 Janar 2021Dorëzimi i një dekreti perandorak nuk ishte gjë e lehtë në shekullin IV. Një video në faqen e internetit të shoqatës 321-2021: 1700 vjet jetë hebreje në Gjermani - tregon se si bëhej dërgimi i dekreteve në Perandorinë Romake të asaj kohe.
Asokohe nga Këlni, që mbante emrin Colonia Claudia Ara Agrippinensium dhe ishte kryeqyteti i provincës së Gjermanisë së Ulët, Perandori Konstandin mori një kërkesë nga këshilli i qytetit , i cili donte të riparonte një urë të rrënuar. Këlnit i mungonin paratë dhe një hebre me emrin Isaac donte të ndihmonte, por për këtë ai duhej të bëhej anëtar në këshillin e qytetit, dhe prandaj banorët e Këlnit i shkruan Perandorit Konstandin.
Perandori nuk e dinte atë moment ndoshta, se çfarë dokumenti të vlefshëm historik krijoi me këtë dekret. Sepse ai është burimi më i hershëm i jetës hebreje në Europë në veri të Alpeve. Aty mund të lexohet: "Përmes ligjit të vlefshëm në të gjithë perandorinë u lejojmë të gjithë këshillave të qytetit, që hebrenjtë të pranohen në këshill." Ky dekret, që iu kthye Këlnit, provon kështu qartë që hebrenjtë jetonin atë kohë në Këln.
Dëshmia e parë e jetës hebreje në veri të Alpeve
Qysh në vitet 1950, arkeologët zbuluan thesaret e para të komunitetit hebre nën sheshin e bashkisë së Këlnit. Në atë kohë ata hasën në mbetjet e një sinagoge nga shekulli i 11-të dhe të një mikvahuni, banjoje për ritualet e grave. Por kur sheshi i bashkisë u shndërrua në parking gjatë rindërtimit të Këlnit të shkatërruar pas luftës, gjetjet u zhdukën përsëri nën tokë për dekada.
Vetëm në vitin 2007 arkeologët nisën përsëri gërmimet. Dhe bënë një zbulim shekullor: lagjen mesjetare hebraike të Këlnit. Po nëse disa nga rrugicat, muret, bodrumet dhe shkallët ekzistonin që në vitin 321 ende nuk dihet.
Deri në vitin 2024 në vendin e gërmimeve arkeologjike do të ndërtohet një muze. Po ashtu Këlni ka bërë kërkesë për t'u përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Por gjetje të jetës hebreje nga fillimi i Mesjetës janë zbuluar edhe në qytete të tjera. Në Augsburg, arkeologët hasën në një llambë vaji të shekujve 4. 5., mbi të është stamposur një menora, një shandan hebre. Hebrenj kishte edhe në Trier, siç dëshmohet nga një dekret i Perandorit Valentinian I (364-375), i cili ndalonte strehimin e ushtarëve në sinagoga.
Vit aksioni kundër racizmit dhe antisemitizmit
Viti 2021, 1700-vjetori i dekretit të Perandorit Konstandin, është shpallur vit aksioni për bashkëjetesën e feve. Dekreti i Konstandinit i vitit 321 është burimi më i vjetër dhe për këtë arsye një provë e rëndësishme se ekzistonte "një bashkëjetesë e feve të ndryshme", thotë Andrei Kovacs, drejtori menaxhues i shoqatës "321-2021: 1700 vjet jetë hebreje në Gjermani" dhe bashkëorganizator i vitit përkujtimor.
Gjatë këtij viti do të organizohen ekspozita, takime, festivale këngësh e vallesh e plot aktivitete të tjera.
Përndjekja dhe diskriminimi i hebrejve do të jenë po ashtu pjesë e aktiviteteve, sidoqoftë, në vitin e përvjetorit, fokusi do të përqendrohet tek e bukura dhe bashkëjetesa e feve.