1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

150 vjet nga themelimi i SPD

Bahri Cani23 Maj 2013

150 vjet socialdemokraci: Partia Socialdemokrate feston në Lajpcig përvjetorin e themelimit të saj. Në këtë festim po marrin pjesë 1600 mysafirë nga 80 vende të ndryshme. Kancelarja Merkel e ka dërguar një urim më parë.

https://p.dw.com/p/18cem
SPD -150 vjetori i themelimitFotografi: picture-alliance/dpa

Socialdemokracia paraqitet "si një zë i papërkulshëm i demokracisë në Gjermani", me këto fjalë e vlerësoi Partinë Socialdemokrate (SPD) kancelarja gjermane Angela Merkel. "Për këtë shërbim jashtëzakonisht të lartë që i bën vendit, SPD-ja meriton respektin dhe mirënjohjen time më të lartë", thuhet në deklaratën e kancelares dhe kryetares së CDU-së, Angela Merkel, të botuar në gazetën "Leipziger Volkszeitung". Kancelarja uron SPD në emër të CDU-së dhe në emrin e saj personal. Ajo edhe vetë merr pjesë në festimet në Gewandhaus.

Graumann rikujton kohën e nazizmit

Këshilli Qendror i hebrenjëve në Gjermani kujton në veçanti kohën e nazizmit dhe rolin historik të socialdemokracisë në kohërat më të vështira për këtë vend. "SPD-ja ka një traditë të mrekullueshme, unike dhe gjithmonë angazhohet për liri, solidaritet dhe njerëzi", deklaroi kryetar i i Këshillit Dieter Graumann për gazetën "Passauer Neuen Presse". Ai në veçanti thekson guximin dhe dinjitetin e 94 deputetëve të SPD-së, të cilët me 23 mars 1933, ishin të vetmit të cilët votuan kundër ligjit për fuqizimin e Adolf Hitlerit. Ndërkohë që gjesti më i prekshëm për te ishte gjunjëzimi i ish-kancelarit Willy Brandt në Varshavë.

SPD 150 Jahre Festakt in Leipzig 23.05.2013 Gabriel und Merkel
Angela Merkel e pranishme në festën e SPD në LajpcigFotografi: picture-alliance/dpa

Ish-ministri federal, 91 vjeçari Egon Bahr nënvizoi meritat shumë të mëdha të partisë së tij socialdemokrate gjatë dekadave të kaluara. Ai në veçanti theksoi të drejtën e grave për të votuar, heqjen dorë nga diktatura e proletariatit dhe votimin kundër ligjit për fuqizimin e Hitlerit.

Mysafir edhe Hollande

Në ceremoninë festive po merr pjesë edhe presidenti i Francës François Hollande si dhe nëntë presidentë dhe kryeministra të tjerë të vendeve të ndryshme evropiane. Në listën e folësve janë edhe presidenti Joachim Gauck si dhe ish - kancelarët Gerhard Schröder dhe Helmut Schmidt. Në festime janë edhe kryetarët e 30 partive të ndryshme socialdemokrate dhe socialiste si dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike të SHBA-së.

SPD 150 Jahre Gabriel Hollande Gauck in Leipzig 23.05.2013
Gabriel - Hollande - Gauck në LajpcigFotografi: picture-alliance/dpa

Themelimi i Shoqatës së Përgjithshme Punëtore të Gjermanisë (ADAV) nga Ferdinand Lassalle me 23. 05.1863 në Lajpcig konsiderohet si ditëlindja zyrtare e socialdemokratëve gjermanë. Partia Socialdemokrate Punëtore e Gjermanisë është themeluar më 1869. Ndërsa emri i saj zyrtar Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD) daton nga viti 1890.