1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

150 vjet Bayer

Klaus Ulrich / Eliana Xhani25 Korrik 2013

Sipërmarrja që u themelua si një fabrikë e vogël bojrash, u zhvillua në një koncern ndërkombëtar me rreth 40 miliardë euro xhiro. Aspirina është produkti më i njohur i Bayer-it.

https://p.dw.com/p/19DcD
Bayer AG në Leverkusen
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kur Bayer AG fton në jubileun e 150 vjetorit, në listën e të ftuarve janë emra të shquar. Si p.sh. ai i kancelares. Në ceremoninë festive Angela Merkel lëvdoi me tone të larta koncernin ndërkombëtar. Në mënyrë të veçantë ajo vuri në dukje ...: "... se Bayer me kryqin e tij të Bayer-it është një simbol i Gjermanisë. Simbol i një Gjermanie inovative dhe me teknologji të avancuar."

Kancelarja Angela Merkel dhe kryetari i këshillit mbikqyrës të Bayer-it, Werner Wenning.
Kancelarja Angela Merkel dhe kryetari i këshillit mbikqyrës të Bayer-it, Werner Wenning.Fotografi: picture-alliance/dpa

Shefi i koncernit, Marjin Dekkers hodhi vështrimin edhe drejt së ardhmes në fjalimin e tij. Si sfidat më të madhe të së ardhmes vlerësohen: "Të bëjmë vazhdimisht zbulime të reja, të provojmë gjëra të reja, të ndihmojmë, të lehtësojmë sëmundjet, të kemi ushqim të mjaftueshëm, të kursejmë energji - këto motivojnë çdo ditë nga e para 110.000 punonjësit tanë."

Fillimet në Barmen

Në 1 gusht 1863 sipërmarrësi Friedrich Bayer dhe mjeshtri i bojrave Johann Weskott themeluan në Barmen të Vupertalit një fabrikë të vogël bojrash. Biznesi eci mirë. Ndër klientët më të rëndësishëm ishte ushtria, e cila me produktet e Bayer-it ngjyroste uniformat e veta.

Për të mbledhur kapital të ri, në 1883 firma u shndërrua në shoqëri aksionere. Në luftën e fortë me konkurrencën për lëndë të reja ngjyrosëse sipërmarrja shumë shpejt u mbështet tek të sapodiplomuarit nga universitete, të cilët kishin përfunduar studimet në degën asokohe ende të re të kimisë.

Kimistë dhe patenta

Fabrika në Leverkusen në 1891.
Fabrika në Leverkusen në 1891.Fotografi: Foto: Bayer AG/dpa

"E drejta e patentës që erdhi më vonë në Gjermani e forcoi edhe më shumë pozicionin e kimistëve pasi në Gjermani merrte patentë vetëm kush mund të tregonte se procedura e zhvilluar ishte vërtet e re. Për këtë duheshin kimistë me përvojë, që mund ta dëshmonin këtë dhe në disa raste të përballeshin me konkurrencën për një patentë të caktuar…"

…thotë historiani i ekonomisë dhe eksperti i Bayer-it Werner Plumpe nga Universiteti Frankfurt am Main. Krahas bojrave sintetike shumë shpejt u prodhuan edhe medikamente. Dhe rastësia erdhi në ndihmë: gjatë prodhimit të bojrave krijoheshin mbeturina, me të cilat fillimisht nuk dinin ç'të bënin. Kimistët filluan të eksperimentonin me këto substanca. Në fund rezultoi se me produktet dytësore nga prodhimi i bojës mund të luftoheshin sëmundje ose të paktën të lehtësoheshin simptomat e tyre.

Aspirina dhe Leverkuseni

Edhe aspirina e famshme, e cila u regjistrua për patentë në 6 mars 1899, lindi në këtë mënyrë: "Aspirina është përpunimi klasik i një produkti të ndërmjetëm të acidit salicilik nga prodhimi i bojrave."

Në 1895 Bayer me blerjen e prodhuesit të vogël të bojrave "Carl Leverkus und Söhne", mori një fabrikë të re prodhimi pranë Visdorfit në veri të Këlnit. Në 1912 Leverkuseni u bë selia zyrtare e firmës.

Që para Luftës së Parë Botërore Bayer AG ishte një lojtar global me fabrika prodhimi dhe sipërmarrje bija në shumë vende evropiane por edhe në Brazil, Argjentinë, Kinë, Japoni dhe SHBA. Gjithsej kompania kishte më shumë se 10.000 punonjës.

IG Bojra

Pal vite pas Luftës së Parë Botërore, e cila ndërpreu historinë e suksesit, Bayer humbi pavarësinë. Në 1925 kompania në Leverkusen u bashkua me sipërmarrje të tjera të mëdha të industrisë kimike në bashkësinë e interesave "IG Bojra" (Interessengemeinschaft IG Farben).

Këtu fillon edhe kapitulli më i errët në historinë e firmës: kur nacionalsocialistët vijnë në pushtet në Gjermani në 1933, e gjitha industria kimike bie në një varësi fatale nga politika e nazistëve për shkak të etjes për fitime. Produktet kimike si benzina sintetike apo kauçuku luajnë një rol të rëndësishëm në planet e Hitlerit për armatim. "IG Bojra" ka pjesë tek prodhuesi i gazit helmues Ciklon B, me të cilin nazistët vrasin miliona vetë. Vetëm në fabrikën e Leverkusenit në fund të 1944 janë të punësuar më shumë se 4000 punëtorë të detyruar.

Pas Luftës së Dytë Botërore IG Bojra shpërbëhet, bordet drejtuese paditen në proceset e Nyrenbergut.

Koncern ndërkombëtar me tri shtylla

Produkti më i njohur i Bayer-it, aspirina
Produkti më i njohur i Bayer-it, aspirinaFotografi: picture alliance/dpa

Në 1951 Bayer rithemelohet, historia e suksesit vazhdon. Në 1944 rezulton me sukses madje edhe përpjekja për riblerjen e emrit të firmës në SHBA, i cili kishte humbur atje që prej Luftës së Parë Botërore. Tani koncerni mund të prezantohet në SHBA përsëri me simbolin e tij të famshëm, kryqin e Bayer-it.

Kryesish në SHBA vdesin pas marrjes së ilaçit të Bayer-it Lipobay, për uljen e yndyrnave në gjak, shumë pacientë. Skandali e trondit aq fort koncernin sa në 2001 diskutohet për dalje nga sektori farmaceutik.

Por gjërat rrjedhin ndryshe. Sektori farmaceutik është sot shtylla kryesore e biznesit. Gati 50 për qind e xhiros realizohet në këtë fushë. Kompania është aktive edhe në mbrojtjen e bimëve me prodhimin e farave për mbjellje dhe herbicide.

Shtylla e tretë e biznesit është fusha e lëndëve plastike të cilësisë të lartë, të cilët shiten p.sh. tek industria automobilëve, elektronika dhe industria e ndërtimit. Me rreth 110.000 punonjës në të gjithë botën dhe një xhiro prej gati 40 miliardë euro, Bayer është një nga koncernet gjermane lider në industrinë kimike dhe farmaceutike. Krahas ThyssenKrupp, Siemens, Daimler dhe BASF ai është një nga sipërmarrjet gjermane me traditën më të pasur.