1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

130 vjet kriza financiare

Godhard Vajerer23 Shtator 2008

Banka Botërore bën fjalë për të paktën katër valë masive kapitali, që kanë vërshuar në tregjet financiare me tregjet ë hapura 130 vitet e fundit. Pas të gjitha fazave të qarkullimit të kapitalit ka pasur nga një kresh.

https://p.dw.com/p/FNN3
Në bursën e Nju Jorkut ditën e kreshit, më 25 tetor 1929
Në bursën e Nju Jorkut ditën e kreshit, më 25 tetor 1929Fotografi: AP

Sipas Çarls P. Kindëllbergerit, krizat financiare janë si gratë e bukura: "Është e vështirë t'i përshkruash, por cilido i dallon menjëherë." Në këtë pikëpamje, tri dekadat e para pas Luftës së Dytë Botërore ishin joproduktive për adhuruesin e gjinisë femërore. Midis 1945-ës dhe 1973-it ka pasur vetëm kriza financiare të dobëta të veçuara. 28 vjet qëndrueshmëri - kjo është unike dhe me gjasa do të mbetet unike. Cilat ishin arsyet? Natyrisht, lulëzimi ekonomik i Evropës mbi gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore, Plani Marshall, ndarja e botës, gara e sistemeve ndodhën njëkohësisht me shtytje të fuqishme rritjeje ekonomike.

Por po kaq i rëndësishëm: Sistemi i Bretton Woods-it. Në fshatin e vogël malor amerikan në kufirin me Kanadanë aleatët ishin marrë vesh në vitin 1944 për kontrolle të qarkullimit të kapitalit dhe për kurse këmbimi fikse; të dyja shtylla të sistemit financiar botëror, i cili nxori mësime prej gabimeve që e zhytën botën në Depresionin e Madh të viteve tridhjetë dhe që vulosën në Gjermani fundin e demokracisë parlamentare.

Marrëveshja e Bretton-Woods-it mbajti deri më 14 gusht 1973. Atë ditë presidenti amerikan Riçard Nikson e prishi në mënyrë të njëanshme sistemin monetar të kohës së pasluftës. Luftën e Vietnamit SHBA e kishin financuar me anë të kredive. Si rezultat u rrit shumë sasia e dollarit në qarkullim. Nikson-i nuk ishte më në gjendje t'i përmbushte detyrimet që lindnin prej Bretton Woods-it, për të këmbyer 35 dollarë kundrejt onsës së arit. Kishte rënë kambana e epokës së re; vite më vonë ajo mori edhe emrin: globalizim. Që atëherë kurset e këmmimit janë të liberalizuara dhe kapitali rrjedh pa u penguar përreth globit - gjithnjë në kërkim të "hanxhiut më të mirë".

Vala e parë e liberalizimit të fluksit të kapitalit nisi rreth vitit 1870 dhe përfundoi me fillimin e Luftës së Parë Botërore. Dëshmi e pranverës mbarëbotërore ishin veprimtaritë ndërkombëtare të përmasave të mëdha si ekspozitat botërore në Londër, Paris, Filadelfia, Çikago. Kapitali rridhte drejt Botës së Re dhe drejt kolonive; ndërtimi i hekurudhave ofroi hapësirë të mjaftueshme për depozita spekuluese; industria elektrike dhe kimike konkurronin në tregun botëror për hegjemoni. Në gusht 1941 morri papritur fund epoka e globalizimit.

Faza e dytë e qarkullimit të liberalizuar të kapitalit filloi pas Luftës së Parë Botërore në vitet njëzet. Kredi afatshkurtra nga SHBA mbulonin nevojën për financim në Evropën e pasluftës. Franca dhe Britania e Madhe e kishin financuar luftën kryesisht me kredi nga SHBA dhe donin t'i lanin huatë me reparacione nga Gjermania. Gjermania nga ana tjetër e kishte financuar luftën me obligacione të shtetasve të vet dhe me shtypje të re kartmonedhash. Pas të Premtes së Zezë në bursën e Nju-Jorkut investuesit amerikanë i tërhoqën paratë brenda natës nga Gjermania. Pasojat janë të njohura.

Bota pas Luftës së Dytë Botërore kishte për tri dekada rregull. Me prishjen e sistemit Bretton-Woods në 1973-in nisi vala e tretë e qarkullimit të lirë të kapitalit dhe keqësoi dramatikisht krizën e borxheve në vendet e Botës së Tretë. Vala deri tani e fundit nisi njëkohësisht me kolapsin e bllokut të pushtetit socialist.