1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çeki: romët në shkolla për fëmijë me të meta mendore

12 Nëntor 2010

Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve e ka akuzuar qeverinë çeke për dështim në përpjekjet për evitimin e diskrimimit të fëmijëve romë. Ata dërgohen në përqindje të madhe në shkolla për fëmijë me të meta mendore.

https://p.dw.com/p/Q7ZX
Fëmijë rom në Litvinov, Çeki
Fëmijë rom në Litvinov, ÇekiFotografi: DW

Shkollat në Republikën çeke - dhe në shumë vende të tjera evropiane - ende i ndajnë fëmijët e pakicës rome prej fëmijëve të tjerë. Ky ishte paralajmërimi kryesor i organizatës me seli në Budapest, Qendrës Evropiane për të Drejtat e Romëve (ERRC), e cila akuzoi qeverinë çeke për dështim në zgjidhjen e problemit të fëmijëve romë. Ata edhe më tej me një shumicë joproporcionale dërgohen në shkolla për fëmijët me të meta mendore. Robert Kushen është Drejtor Ekzekutiv i ERRC-së:

"Ne nuk mund të themi se mësuesit apo drejtorët i kanë vënë nxënësit romë në këto shkolla, vetëm pse janë romë, por shifrat flasin vetvetiu. Numri i nxënësve romë në shkollat speciale është tepër i madh në krahasim me numrin e përgjithshëm të nxënësve romë. Vetë qeveria çeke ka paraqitur një studim pas vendimit të Gjykatës, i cili vërteton se mbi 27 për qind e fëmijëve romë dërgohen në arsim special, ndërsa vetëm 2, 2 për qind e fëmijëve jo romë dërgohen në shkolla të tilla."

Shkollat për njerëzit me të meta quhen shkolla praktike


Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendosi në nëntor 2007 se 18 fëmijë romë në Çeki janë diskriminuar, sepse gabimisht janë dërguar në shkolla speciale. Ndryshimi i vetëm që ka ndodhur prej atëherë është, sipas kësaj Qendre, që autoritetet i kanë ndryshuar emrin këtyre shkollave të cilat tani quhen shkolla "praktike". Ndërkohë që prapa dyerve të shkollave, ku shumicën dërmuese përbëjnë fëmijët romë, nxënësit ndjekin një program inferior shkollor. Në këtë mënyrë atyre u kufizohet mundësia e arsimit të mëtejmë, u shkurtohet perspektiva e punësimit dhe thellohen dallimet sociale në shoqërinë çeke.

Romë në Litvinov, Çeki
Romë në Litvinov, ÇekiFotografi: DW



Qendra pohon se Republika Çeke sigurisht që nuk është e vetmja, që përdor masa të tilla. Qendra ka ngritur edhe dy padi tjera në gjyq, kundër Kroacisë dhe Greqisë, për shkak të ndarjes së fëmijëve romë. Në Sllovakinë fqinje, për shembull, një studim i kohëve të fundit tregoi se 60% e nxënësve të shkollave speciale janë romë. Stanislav Daniel, i organizatës ERRC, thotë se edhe ai vetë mezi kishte shpëtuar nga një shkollë e tillë, në kohën e fëmijërisë në Çekosllovakinë komuniste.

"Interesante është që edhe mua më patën vendosur në klasë me trajtim të posaçëm. Më vendosën në një klasë ku ishin vetëm fëmijët romë dhe ekzistonte rreziku që e tërë klasa të futet në një shkollë speciale. Ndërkohë që qysh para shkollës unë dija shkrim-lexim. Për shkaqe që nuk i kuptoja as vetë, babai im më pati mësuar para se të futem në shkollë të shkruaj dhe të lexoj. "

Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve, kërkon që qeveria çeke të bëjë më shumë për zgjidhjen e këtij problemi. Kjo konferencë u mbajt në prag të takimit të Komisionit të Ministrave, i cili do të mbahet në fund të nëntorit . Në këtë takim do të bisedohet për zbatimin e rekomandimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Qendra pohon se rekomandimet deri tani nuk janë zbatuar.

Autor: Rob Cameron/Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi