Lista Srpska “ultimatum” qeverisë së Kosovës
28 Mars 2018Qeveria e Kosovës e ka hedhur poshtë "ultimatumin” e listës Srpska për themelimin në mënyrë të njëanshme të Asociacionit të komunave serbe. Qeveria e Kosovës tha se ajo "nuk funksionon nën ultimatume të askujt”. Ky reagim i qeverisë së Kosovës u bë vetëm disa orë pasi gjatë një takimi në veri të Kosovës, subjekti politik lista Srpska, tha se "nëse Prishtina zyrtare dhe shtetet e perëndimit nuk e formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe deri më 20 prill, atëherë këtë do ta bëjnë vetë përfaqësuesit serbë të Kosovës, qoftë edhe me çmimin se do të arrestohen të gjithë”.
I menjëhershëm ishte reagimi i Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, nëpërmjet një komunikate për medie, pas një takimi që zhvilluan së bashku.
"Ishte konstatim i përbashkët se Kosova do t'i respektojë obligimet që ka marrë në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Në këtë takim është biseduar edhe për funksionalizimin e ekipit menxhues për themelimin e Asociacionit në një të ardhme të afërt, gjithmonë sipas parimeve të Brukselit, Kushtetutës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Tonet kërcënuese nga Serbia nuk do të kenë asnjë efekt në Kosovë. Institucionet e Kosovës vlerësojnë se dialogu dhe jo ultimatumet është rruga për të ecur përpara për ndërtimin e Kosovës evropiane dhe shumëtnike”, thuhet në reagimin e Presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj. Ky i fundit në një postim në profilin e tij, tha se "Kosova nuk mund të zhbëhet për hatër të askujt dhe nuk do të ketë ndarje dhe as nuk do të ketë këmbim territoresh”.
Ultimatumi qasje e gabuar
"Lista Serbe duhet të kthehet në tavolinë dhe të diskutojë për temat e përbashkëta në të mirë të qytetarëve tanë. Ultimatumi është qasje e gabuar dhe formula e vetme është baza ligjore dhe kushtetuese. Presidenti serb, Vuqiç, duhet ta kuptoj që durimi i Kosovës nuk duhet testuar pa kufi dhe se ne do ta mbrojmë të drejtën tonë”, shkroi kryeministri Ramush Haradinaj.
Gjatë ditës së merkurë listës Srpska që në parlamentin e Kosovës përfaqësohet me 10 deputetë, në takimin që zhvilloi në veri të Kosovës, ju bashkuan edhe 10 kryetarë komunash dhe 120 këshilltarë komunalë nga 10 komunat e Kosovës që udhëhiqen po ashtu nga serbët.
Kryetari i Listës Srpska, Goran Rakiq, tha para të pranishmëve se "nëse nuk fillohet shpejt me formimin e Asociacionit, serbët vetë do ta bëjnë një gjë të tillë në mënyrë të njëanshme”.
"Asociacioni nuk është kundër askujt, por është institucion edhe i serbëve edhe i shqiptarëve edhe i goranëve edhe i romëve. Policia dhe forcat paqeruajtëse KFOR, duhet të ofrojnë sigurinë e çdo qytetari. Së bashku me shqiptarët do ta ruajmë qetësinë. Ne jemi për qetësi dhe paqe dhe dua të paraqes një porosi të presidentit Vuçiq se ai dhe shteti i Serbisë, nuk do të lejojë që serbët të maltretohen apo vriten", tha Goran Rakiq, duke përmendur edhe arrestimin nga policia e Kosovës të shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq.
Asociacioni nuk ka të drejtën e autonomisë
Lista Srpska, ka parashikuar edhe hapat që do të ndërmerren për ta hartuar asociacionin e komunave serbe: Statuti i Asociacionit, do të hartohet në bashkëpunim me Prishtinën dhe Beogradin, sipas Marrëveshjes së Brukselit të 19 prillit 2013, por ku nuk merret parasysh vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. E vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, parashikon që ky asociacion mund të themelohet vetëm në bazë të kushtetutës së Kosovës e që këtij asociacioni nuk i jepet autonomi.
Sidoqoftë, zhvillimet e para dy ditëve në veriun e Kosovës dhe arrestimi nga policia e Kosovës e shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, bënë që lista Srpska të marrë vendim që të largohet nga qeveria e Kosovës. Kjo situatë Kosovën mund të sjellë zgjedhje të jashtzakonshme, apo rikonfigurim të qeverisë. Partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosja, thanë se ata nuk do t'ia bëjnë numrat listës Srpska për ta rrëzuar qeverinë e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ndërsa, nuk e kanë bërë shumë të qartë nëse mund të jenë pjesë e rikonfigurimit të qeverisë, apo do të kërkojnë zgjedhje të reja.