1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kundërshtarët britanikë të BE-së përfitojnë nga Kaleja

Laura Kelleher10 Gusht 2015

Pamjet e masave të refugjatëve në Kale u japin municion kundërshtarëve britanikë të BE-së për daljen e vendin nga BE-ja, mendon Laura Kelleher.

https://p.dw.com/p/1GCFi
Fotografi: picture-alliance/empics/Y. Mok

Janë pamjet domethënëse nga Kaleja që hedhin benzinë në diskutimet e kundërshtarëve britanikë të BE-së për referendumin e ardhshëm mbi anëtarësinë e Britanisë në BE. Janë pamjet e rreth 5000 vetëve që presin deri tani në kampet e refugjatëve në Kale (Calais), në veri të Francës. Dhe video që tregojnë se si çdo mbrëmje refugjatët përpiqen të shkojnë përmes tunelit të Kalesë në Britaninë e Madhe.

Por jo vetëm pamjet nga Kaleja i shkaktojnë probleme kryeministrit britanik, David Cameron. Edhe në qoftë ato probleme nuk do të ekzistonin, kundërshtarët britanikë të BE-së do të përfitojnë nga debati i ngarkuar emocionalisht për refugjatët në ishull. Që prej zgjerimit të BE-së në vitin 2004, skeptikët britanikë të BE-së - në krye të të cilëve është partia populiste UKIP e drejtuar nga Nigel Farage - ia kanë dalë mbanë që anëtarësinë britanike në BE ta lidhin me çështjen e refugjatëve.

Para vitit 2004, askush nuk fliste në kuadrin e anëtarësimit në BE për refugjatët. Liria e udhëtimit shihej kryesisht në përputhje me interesat britanike - ose kuptohej të paktën si e dobishme për të gjitha palët. Por shtatë vjet pas zgjerimit të BE-së në Britaninë e Madhe janë vendosur rreth 1.5 milionë vetë nga tetë shtetet e reja anëtare të BE-së. Qeveria britanike nuk e kishte parashikuar një shkallë të tillë emigracioni. (Autoritetet mendonin se do të vinin deri në 10.000 emigrantë në vit). Po ashtu ata nuk e kishin parashikuar se çfarë do të thotë kjo për debatin kombëtar mbi emigracionin. Sepse rezultati është që Partia Laburiste dhe ajo konservatore nuk i ishin kundërvënë një pretendimi të dalë që atëherë sipas të cilit anëtarësia në BE e Britanisë së Madhe i heq asaj kontrollin ndaj kufijve të vet.

Frikë prej humbjes së kontrollit

Laura Kelleher
Laura KelleherFotografi: Laura Kelleher

Edhe pse ka pak arsye për të besuar se një dalje britanike nga BE-ja mund ta përmirësojnë situatën e refugjatëve, euroskeptikët nuk devijojnë nga pikëpamjen e tyre themelore se Britania e ka humbur kontrollin ndaj kufijve të saj. Fakti se shumica e emigrantëve që duan të vijnë përmes Kalesë në Britaninë e Madhe janë nga vende jashtë BE-së, nuk i ndal ata që ta përziejnë debatin për refugjatët me çështjen e anëtarësimit në BE.

Prandaj proevropianët duhet të gjejnë tani një mënyrë për ta bërë të qartë se një dalje britanike nga BE-ja nuk do ta ndryshojë situatën. Emigrantët nga vendet jashtë BE-së do të vazhdojnë të vijnë në Kale. Dhe pa kontrollet kufitare të britanikëve në Francë - të cilat në rast të një Brexit-i, nuk do të jenë më të mundura - Doveri do të bëhet Kaljea e re.

Drejtuesit e grupeve që do të angazhohen në fushatën për qëndrimin e Britanisë së Madje në BE gjatë muajve të ardhshëmduhet ta kenë të qartë që fushata e tyre ka nevojë për më shumë fleksibilitet. Dhe për më shumë mbështetje politike se ajo e Cameronit. Ajo duhet të bëjë të qartë se Britania e Madhe nuk është i vetmi vend që po përballet me problemin e refugjatëve, por se kemi të bëjmë me një krizë globale refugjatësh.

Një gjë nuk duhet të harrojmë: sipas Kombeve të Bashkuara, Gjermania ka strehuar vitin e kaluar më shumë se 202.000 azilkërkues. Pas Gjermanisë renditen Suedia, Italia, Franca, Hungaria dhe në fund vjen Britania e Madhe. Për ta përballuar këtë gjendje nevojitet një qasje e përbashkët e BE-së. Por së pari ne kemi nevojë për një debat të ndershëm në lidhje me emigracionin nga njerëz që vijnë nga vende jashtë BE-së. Dhe për bisedime serioze për një ndarje të drejtë të barrës.

Britania e Madhe, sikurse edhe shtetet e tjera anëtare të BE, nuk mund t'ia lejojë vetes ta injorojë krizën në vendet fqinjë të Evropës. Në të njëjtën kohë Cameroni dhe homologët e tij evropiane mund t'u përkushtohen çështjeve më afatgjata si luftimi i paqëndrueshmërisë politike në vendet fqinjë të BE-së vetëm nëse ata u përgjigjen shqetësimeve të votuesve në vendet e tyre. Për Cameronin dhe përkrahësit e BE-së mund të jetë në prag të referendumit të BE-së një ngushëllim i vogël fakti që ata nuk janë vetëm me problemin e refugjatëve.

Laura Kelleher është eksperte për politikën britanike ndaj BE-së në Qendr "Këshilli Evropian për Marrëdhënie të Jashtme" (ECFR)