1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Personat nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia pa shans për azil

Bahri Cani5 Nëntor 2015

Intervistë me Thorsten Klute, sekretar shteti në Ministrinë për Punë dhe Integrime në landin Renania Veriore Vestfalia. Shtetasit e Shqipërisë dhe Kosovës nuk kanë shansa për azil, por ekziston mundësia e ardhjes legale.

https://p.dw.com/p/1H0AW
Thorsten Klute
Thorsten KluteFotografi: DW/B. Cani

Deutsche Welle: Landi i Renanisë Veriore Vestfalisë, si landi me numrin më të madh të banorëve në Gjermani, po përballet kohët e fundit me një numër shumë të madh të refugjatëve dhe azilkërkuesve. Cilat janë problemet tuaja më emergjente në këtë moment?

Thorsten Klute: Ne vërtetë po përballemi me probleme të mëdha me strehimin e personave që kërkojnë mbështetje dhe azil. Por detyra jonë më e rëndësishme është që të kujdesemi për personat që mund të mbeten ne Gjermani, për një kohë më të gjatë. Ata duhet të integrohen në shoqëri, të shkojnë në shkolla, të mësojnë gjuhën gjermane, të kryesojnë ndonjë përgatitje profesionale dhe të përgatiten për tregun e punës. Kjo vlenë për personat të cilët kanë të drejtë të mbeten në Gjermani për një kohë më të gjatë.

DW: A janë edhe shqitparët në mesin e këtyre që mund të rrinë më gjatë dhe mund të integrohen në Gjermani dhe çfarë do të ndodhë me ata të cilët nuk kanë të drejtë të mbeten në Gjermani?

Thorsten Klute: Duhet të themi shumë qartë: Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia janë vende të sigurta të origjinës. Dhe personat nga këto vende nuk kanë kurfarë shansi për azil. Ndaj nuk ia vlenë të marrin rrugën nga Shqipëria apo Kosova, të vijnë këtu dhe të kërkojnë azil. Këto ditë ka filluar edhe kthimi i personave të cilët kanë kërkuar azil dhe nuk e kanë fituar këtë të drejtë. Kthimet kanë filluar edhe për në Shqipëri. Pra, duhet të themi edhe njëhërë shumë qartë: njerëzit nga Kosova dhe Shqipëria nuk kanë kurfarë shansi për azil. Neve duhet të gjejmë rrugë të tjera bashnkëpunimi, por azili nuk është kurfarë rruge.

DW: Cilat janë këto rrugë për ardhjen e shtetasve të Shqipërsë dhe Kosovës në Gjermani?

Thorsten Klute: Besoj se një rrugë shumë e rëndësishme është ndërtimi dhe forcimi i këtyre vendeve. Kontributin e tyre në këtë drejtim mund ta japin edhe personat që kanë punuar një kohë të caktuar jashtë vendit. Një prej rrugëve për ardhje në Gjermani është ajo përmes Blu Card, apo kërkesa për punë në profesionet për të cilat Gjermania ka nevojë. Ka ardhur koha të zgjerojmë këto rrugë, sepse është shumë e qartë që në Shqipëri dhe Kosovë ka persona që duan të punojnë në Gjermani. Ne ende nuk jemi të përgatitur sa duhet për këtë, por është shumë mirë që minsitrja federale e Punës Andrea Nahles, ka bërë të ditur se Gjermania çdo vit do të 20.000 punëtorë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, nëse ata sigurojnë një kontratë pune. Në këtë drejtim jemi duke bërë përparime.

Thorsten Klute
Thorsten KluteFotografi: DW/B. Cani

DW: Në cilat fusha ka landi juaj nevojë për fuqi punëtore?

Thorsten Klute: Më së shumti kemi nevojë për profesionet e mjekësisë, përkujdesjen për të moshuarit, në disa fusha zejtarësh, në gastronomi... Ka pra shumë fusha ku mund të gjenden vende të lira pune. Por po e përsëris edhe një herë: azili është rruga e gabuar për të ardhur në Gjermani. Ne duhet të flasim edhe për kontigjente dhe të gjejmë një rrugë më të mirë bashkëpunimi me Shqipërinë, Kosovën dhe vendet e tjera.

DW: A keni nisur ndonjë projekt konkret bashkëpunimi me Shqipërinë apo Kosovën në këtë drejtim?

Thorsten Klute: Ne së pari duhet të kujdesemi për kontigjentin e paramenduar nga qeveria federale për 20.000 punëtorë në vit, nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Gati një e katërta e këtyre punëtorëve do të vie në NRW. Atyre duhet t'u jepen shansa për vende të mira pune. Nuk ka nevojë për pojekte të tjera në këtë drejtim. Në Shqipëri dhe Kosovë ka njerëz që duan të punojnë në Gjermani. Ndërsa në Gjermani kemi nevojë për fuqi punëtore, sepse aktualisht të lira janë qindra mijëra vende pune. Demografët thonë se Gjermania ka nevojë për 300.000 - 400.000 punëtorë të huaj në vit, për të mbajtur nivelin e prodhimit të tanishëm.