1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Dy gazetarë nën hetim për tradhti ndaj atdheut

31 Korrik 2015

Konflikti mes politikës dhe medieve për raportimin mbi punën e shërbimeve sekrete ka arritur një pikë të re kulmore. Kundër dy gazetarëve po hetohet nën dyshimin për tradhëti ndaj atdheut.

https://p.dw.com/p/1G81E
Markus Beckedahl, Gründer des Blogs Netzpolitik.org
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. Pedersen

Siç njoftoi autoriteti i Prokurorit të Përgjithshëm, Harald Range, dy gazetarë akuzohen, se në publikimet për mbrojtjen kushtetuese në blogun ivestigativ "Netzpolitik.org", kanë nxjerrë sekrete shtetërore. Presidenti i Entit Federal të Mbrojtjes Kushtetuese, Hans-Georg Maassen, ka bërë kallëzim penal.

Publikim dokumentash të brendshme

Portali i internetit në shkurt dhe prill të këtij viti ka raportuar për plane të brendshme të Entit Federal të Mbrojtjes Kushtetuese lidhur me klasifikimin e komunikimit të brendshëm të shërbimeve sekrete. Artikulli i datës 25 shkurt mbante titullin "Vërshim sekret parash: Mbrojtja Kushtetuese punon në klasifikimin masiv të informacioneve në internet", artikulli i 15 prillit është publikuar nën titullin "Grupi i referatit sekret: ne prezantojmë njësinë e re të Mbrojtjes Kushtetuese për zgjerimin e mbikqyrjes së internetit". Në këto artikuj bloggerat kanë publikuar informacione të brendshme.

Përveç hetimeve ndaj dy gazetarëve Markus Beckedahl (fotogrfia e artikullit) , themelues i portalit Netzpolitik.org, dhe André Meister Prokuroria Federale po heton edhe ndaj informantëve të panjohur të bloggerave. Në rast të ngritjes së padisë dhe dënimit gazetarët i kërcënon së paku një vit burgim.

Generalbundesanwalt Harald Range
Prokurori i Pëgjithshëm Federal, Harald RangeFotografi: picture-alliance/dpa/R. Jensen

Sfondi: afera NSA

Vënia e hetuesve në veprim pason në sfondin e një debati që zgjat prej muajsh mes qeverisë, opozitës dhe medieve lidhur me raportimin mbi aferën rreth përgjimeve të Shërbimit Informativ të SHBA-së, NSA. Zyra e kancelarisë pat kërcënuar disa herë me kallëzime penale - si edhe në kontekstin e publikimit të dokumentave sekrete.

Sipas mendimit të gazetarit Beckedahl qeveria me kallëzimin penal synon të mbulojë të vërtetën mbi implikimin gjerman në aferën e NSA. Po bëhet, sipas tij, gjithnjë e më e qartë, se qeveria "është e zhytur thellë në moçalin e NSA-së dhe co.", i tha gazetari kanalit të parë televiziv gjerman, ARD.

Beckedahl: do të vazhdojmë kështu

"Ne dyshojmë tani, se përmes të tilla kallëzimeve penale po qëllohet fort kundër atyre, që duan të kontribuojnë për të zbardhur skandalin më të madh të përgjimeve në historinë e njerëzimit", deklaroi Beckedahl. "Ne nuk do të stepemi", theksoi bloggeri. Netzpolitik.org do të vazhdojë punën dhe i mirëpret "dokumentat e mëtejshme, që dëshmojnë, se si shërbimet tona sekrete, (...)pa e diskutuar me ne si shoqëri, me shëbrimet e tjera sekrete, e kanë riskontruktuar internetin në një makineri globale të vëzhgimit të plotë."

NSA akuzohet, se prej vitesh ka përgjuar telefonatat e politikanëve drejtues në Berlin. Edhe celulari i kancelares Angela Merkel me sa duket është kapur prej Shërbimit Sekret të SHBA-së.

BND si ndihmës

Përveç kësaj, sipas tyre, Shëbrimi Federal Informativ i Gjermanisë (BND)duhet të ketë ndihmuar për vite me radhë, për të përgjuar sipërmarrje dhe politikanë europianë. NSA, po sipas këtyre informacioneve, i ka dërguar BND-së për mbiqyrjen e qarkullimit të të dhënave në stacionin e saj të përgjimit në Bad Aibling mijëra kritere kërkimi, të ashtuquajtur selektorë si numra telefoni apo adresa IP të kompjuterave. Grupet paralamentare të opozitës ekologjistët dhe të majtët kërkojnë të kenë akses në listën e selektorëve. Qeveria e refuzon këtë.

Netzpolitik.org është një ndër blogjet më të njohura në gjuhën gjermane dhe është vlerësuar në vitin 2014 me çmimin Grimme-Online-Award. Bloggerat angazhohen për të drejtat digjitale qytetare. Ata raportojnë ndër të tjera edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë nga mbledhjet e Komisionit Hetimor të Bundestagut për punën e shërbimeve sekrete.

Shoqata gjermane e gazetarëve i dënoi ashpër hetimet nga prokuroria Federale. Ky qëndrim është "një përpjekje e palejueshme, për t'u hequr të drejtën e fjalës dy kolegëve kritikë", tha kryetari federal i kësaj shoqate, Michael Konken. Ai i bëri thirrje Prokurorit të Përgjithshëm Federal që të ndërpriten hetimet.

wl/qu (dpa, afp, epd)