1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjendja e të drejtave të LGBTQ+ në Evropë

17 Maj 2024

Ku mbrohen të drejtat e homoseksualëve, lezbikeve dhe personave trans? Sa të sigurt ndihen personat LGBTQ+ në Evropë? Një studim nga Agjencia e BE-së për të Drejtat e Njeriut jep përgjigje.

https://p.dw.com/p/4fyDO
Gjendja e të drejtave të LGBTQ...
Gjendja e të drejtave të LGBTQ...Fotografi: OLGA MALTSEVA/AFP

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë, Interfobisë dhe Bifobisë më 17 maj, Organizata Evropiane e Lobit LGBTQ+ (ILGA) publikon të ashtuquajturën "harta e ylberit". LGBTQ+ do të thotë lezbike, homoseksual, biseksual, trans, queer dhe interseksual.

Harta e ylberit, e cila është punuar për 11 vjet, tregon statusin e mbrojtjes ligjore për personat LGBTQ+ në të gjithë Evropën. Renditja e vendeve përcaktohet nga ILGA Europe sipas një katalogu të gjerë kriteresh që përfshin të drejtat për trajtim të barabartë të personave LGBTQ+ me personat heteroseksualë, mbrojtjen nga krimet e urrejtjes dhe diskriminimin, përfshirjen në aktivitete sociale dhe vetëvendosjen gjinore.

Gjendja në vendet anëtare

Ishulli i vogël mesdhetar i Maltës është prej vitesh në vendin e parë me 88 nga 100 pikë të mundshme në trajtimin e këtyre grupeve. Islanda vijon në vendin e dytë këtë vit me 83 pikë. Në grupin kryesor në Bashkimin Evropian janë Belgjika, Luksemburgu, Spanja, Danimarka, Finlanda dhe Greqia, secila me mbi 70 pikë. Përafërsisht, mund të thuhet se sa më shumë të zhvilluara vendet veriore dhe perëndimore në Evropë, aq më të forta janë të drejtat LGBTQ+.

Christopher Street Day në Berlin
Christopher Street Day në BerlinFotografi: Jörg Carstensen/dpa/picture alliance

Vendet më të ulëta në renditje i zënë Rusia, Azerbajxhani dhe Turqia. Nga vendet e ish-Jugosllavisë, vlerësimin më të mirë e ka Kroacia me 50 për qind, Mali i Zi 48, Bosnja dhe Hercegovina 40, ndërsa Serbia me 35 për qind.

Në Bashkimin Evropian, Polonia renditet e fundit me 17 pikë pas qeverisjes dhjetëvjeçare të partisë nacional-konservatore PiS (Ligj dhe Drejtësi). Pas ndryshimit të qeverisë vitin e kaluar, renditja mund të përmirësohet vitin e ardhshëm. Sepse harta e ylberit bazohet në të dhënat e vitit 2023.

Përkeqësimi i gjendjes

Situata në Itali u përkeqësua pasi koalicioni ekstremist i djathtë "Vëllezërit e Italisë", Lega dhe Forza morën pushtetin. Italia ka qenë në vendin e tretë nga fundi i vendeve të BE-së prej vitesh, sepse shumë dispozita ligjore për prindërimin, birësimin e fëmijëve dhe martesën thjesht mungojnë për të gjithë, thotë Katrin Hugendubel, drejtoreshë e politikave ligjore në ILGA.

Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni përdor këto boshllëqe ligjore për të imponuar imazhin e saj familjar të prindërve ekskluzivisht të seksit të kundërt. "Ligjet janë thjesht të rëndësishme për të na mbrojtur nga ndryshimet politike. Dhe për momentin nuk shohim shumë tendenca në rritje”, thotë Katrin Hugendubel në një intervistë për DW.

Përmirësimi

Giorgia Meloni dhe një përgaqësues i LGBTQ, që ia ndërprenë fjalimin.
Giorgia Meloni dhe një përgaqësues i LGBTQFotografi: Fabio Murru Cagliari/IPP/picture alliance

Në përgjithësi, sipas avokates së ILGA, Katrin Hugendubel, renditja e vendeve evropiane nuk ka ndryshuar shumë, pasi pothuajse nuk ka mbetur ndonjë iniciativë për të mbrojtur të drejtat. Përjashtim bën Gjermania, ku tani është miratuar ligji për vetëvendosjen e identitetit gjinor. Një vetëvendosje e tillë është e mundur vetëm në njëmbëdhjetë nga 49 vendet evropiane ku është kryer hulumtimi.

"Ndërsa disa vende, përfshirë Gjermaninë, kanë bërë progres, në shumë vende të tjera ka thjesht stagnim, që do të thotë se nuk miratohen ligje të reja”, ankohet bashkëpunëtorja e Shoqatës Evropiane LGBTQ+. "Kjo është shumë e rrezikshme në një kohë kur shohim urrejtje dhe dhunë në rritje, kur qeveritë po përpiqen të minojnë të drejtat e njeriut, veçanërisht njerëzit LGBTQ+."

Më shumë dukshmëri, më shumë armiqësi

Agjencia e Bashkimit Evropian për të Drejtat e Njeriut (FRA) prezantoi një studim gjithëpërfshirës me rastin e Ditës kundër Homofobisë. Ajo donte të dinte se si njerëzit queer e shihnin situatën e tyre. 100.000 njerëz në të gjithë Evropën morën pjesë në një sondazh online. Sipas hulumtimeve, personat LGBTQ+ janë më të hapur për identitetin e tyre. Në shkolla flitet më shumë për këto çështje sesa pesë vjet më parë, kur u krye studimi i fundit madhor i këtij lloji.

Në të njëjtën kohë, diskriminimi, mobingu apo ngacmimi dhe gjuha e urrejtjes janë rritur në jetën e përditshme, sipas të anketuarve. Më shumë se një në dhjetë persona LGBTQ+ janë sulmuar fizikisht. Ky është një numër pak më i lartë se pesë vjet më parë. "Ne shohim që hapja është më e madhe. Personat LGBTQ+ tregojnë më shumë se kush janë. Ata kërkojnë më shumë pjesëmarrje në jetën shoqërore. Dhe për shkak se ata e bëjnë këtë dhe janë më të dukshëm, veçanërisht të rinjtë, tendenca është se ata janë më shpesh objektiv i dhunës dhe ngacmimit”, shpjegon Miltos Pavlou nga Agjencia Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ai drejtoi studimin.

Më shumë urrejtje në internet

Viktor Orban në Bruksel
Hungaria në vendin e fundit për respektimin e të drejtave të LGBTQFotografi: John Thys/AP Photo/picture alliance

"Ne shohim një lidhje më të madhe këtu. Urrejtja dhe dhuna nuk vlen vetëm për personat LGBTQ+, por edhe për përhapjen e përgjithshme të urrejtjes në internet. Shpresojmë që BE-ja të përdorë mjete të reja ligjore për ta luftuar këtë në mënyrë më efektive”, tha Miltos Pavlou për DW. Agjencia për të Drejtat e Njeriut nuk bëri një listë të renditjes së vendeve evropiane. "Ne nuk e drejtojmë gishtin drejt shteteve, sepse në të gjitha shtetet ka probleme, të tilla si mobingu ose ngacmimi në shkolla, për më tepër, situata ndryshon shumë nga vendi në vend nëse arrijnë të raportohen krime të urrejtjes dhe diskriminim." .

Katrin Hugendubel nga shoqata LGBTQ+ ILGA gjithashtu thekson se kuadri ligjor në një vend, realiteti shoqëror dhe pranimi shoqëror nuk janë gjithmonë të njëjta. Në Hungarinë ligjërisht shumë kufizuese (vendi i 30-të) me një qeveri nacional-konservatore, nuk ka martesë për të gjithë, por në sondazhe më shumë se gjysma e hungarezëve e mbështesin atë.

 

Bernd Riegert, me kostum dhe kravatë të kuqe, me kostum blu dhe këmishë bojëqielli.
Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE