1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Clinton apo Trump?

7 Nëntor 2016

Shumë amerikanë ende kanë dilema edhe pak orë para zgjedhjeve për presidentin e SHBA-së ata nuk e kanë vendosur se kujt do t'ia japin votën.

https://p.dw.com/p/2SH4S
USA Clinton und Trump Aufsteller
Fotografi: picture alliance/dpa/A. Filippov

"Unë e shoh atë (Clinton) dhe vërej një pakujdesi ekstreme. Ndërsa kur shoh tjetrin (Trump) e shoh "Miss Piggy". Ajo ka përvojë, e ai tjetri do ndryshime." Kështu e përshkruan dilemën e saj Virginia Lopez Rey, e cila ende nuk ka vendosur nëse so të votojë për Hillary Clinton apo për Donald Trump. Lopez Rey mendon, se Clinton është e pakujdeshme në bazë të dyshimeve të FBI për problemet e saj me komunikimin përmes e-mailit në kohën kur ishte ministre e Jashtme. Ndërsa "Piggy" është shprehja përçmuese e përdorur nga kandidati republikan Donald Trump për një ish-mis bukurie që tashmë është shëndoshur.

Lopez Rey është avokate në Miami Beach në Florida. Emigrantja nga Kuba është kundërshtare e  vendosur e abortit. Në kushte të tjera ajo me siguri që do të votonte për kandidatin republikan.

As Clinton dhe as Trump

Gati 2000 kilometra më larg të njëjtën dielemë ka edhe Brooke Carpenter, në një lagje periferike në Philadelphia. Në zgjedhjet e fundit ajo ka votuar për kandidatin republikan. Ajo është evangjeilste dhe kundër abortit. Ajo angazhohet për uljen e tatimeve dhe mendon, se një qeveri e qendrës së majtë do t'i kufizonte liritë e saj fetare. "Aktualisht mund të mendoj se do të votoj për Gary Johnson. A thua duhet të votoj për një kandidat, i cili nuk ka aasnjë shans për fitore. "Por nuk mund ta votoj Hillary Clinton apo Donald Trumpin. Ndaj mendoj se do të votoj për Johnson. Por a është ky një votim i duhur? Nuk e besoj, sepse ai ndoshta nuk do të fitojë. Ndoshta nuk duhet të votoj fare, nuk e kam idenë."

Roli i Swing States

Në mesin e rreth 10 të ashtuquajturave Swing-States, ku do të vendosen zgjedhjet, është edhe Florida ku nuk dihet fare se kush do të fitojë. Clinton ka më shumë shanse në Pennsylvania. Një rol vendimtar ka luajtur një video e emetuar muajin e kaluar, ku Trump flet me tone poshtëruese për femrat. Por në Pennsylvania nuk ka fituar ndonjë kandidat republikan në 30 vitet e fundit. Trump shpreson të fitojë mbështetjen e zgjedhësve të bardhë dhe të punëtorëve atje. Femrat e arsimuara kanë qenë një prej temave më të diskutuara në këtë fushatë. Në veçanti në të ashtuquajturat Swing States, si Florida apo Pennsylvania, ku votat e tyre mund të vendosin zgjedhjet.

Demokratët dhe republikanët e dëshpëruar

John Hudak nga Brookings Institute në Uashington thotë, se zgjedhës të pavendosur ka pasur gjithmonë. Bëhet fjalë për zgjedhësit liberalë, të cilët e kanë mbështetur Bernie Sanders dhe nuk duan asnjë kandidat tjetër. Në anën tjetër, ka dhe konservatorë me orientim social, të cilët nuk e duan kandidatin republikan Trump, por as Hillary Clintonin. Ndaj nuk dihet fare se cilin kandidat do të votojnë.

Përveç të pavendosurve, që vlerësohet se janë rreth 7%, ka dhe shumë qytetarë që duan të votjnë kandidatë të tjerë. Ndonëse kandidatët e partive të tjera nuk kanë shanse për fitore. Shumë votues, që nuk do të votojnë për Clinton apo Trump e dinë se vota e tyre do të humbasë kot, sepse kandidati i tyre nuk ka shanse të fitojë. Kjo ka ndikuar që zgjedhësit të rimendojnë edhe njëherë se për kë do të votojnë. Johnson në shtator ka pasur mbështetjen e mbi 9% të votuesve. Ndërsa tani vlerësohet se do të arrijë vetëm 5%.

Numri i të pavendosurve ka rënë, por ende mendohet se ata mund ta vendosin rezultatin e zgjedhjeve. Clinton dhe Trump janë kandidatë shumë të ndryshëm. Por edhe më tej mendohet se disa zgjedhës do të vendosin vetëm kur të futen në kabinat e votimit.